Sa kollaj u vidhka Banka?!

Nga Erion Kristo

Ky shkrim po botohet për herë të tretë, sepse është banka e tretë, e katërt, e pestë, e me radhë, që po vidhet. Madje, gjatë vitit 2014 janë vjedhur rreth 40 filiale bankash. Ndërkohë, asnjë lëvizje konkrete për sigurinë e bankave. Asnjë bankë në Shqipëri nuk është e pavjedhshme, ndërsa duhej të ishin si Fort Nox, banka federale amerikane. Sepse duke qenë se kemi fare pak lekë, ato duhej të ishin shumë, po shumë të mbrojtura. Problemi është se ata që jetojnë duke vjedhur, e kanë të qartë tashmë se ne na mungojnë parametrat e sigurisë bankare.

Ideja se nuk mund të bëjmë asgjë, është një ide jo fort e ndershme, jo fort e drejtë. Diçka mund të bëjmë. Në vend që të merremi me pasojat, mund dhe duhet të merremi me shkaqet. Po pse gjithçka që nisim e lëmë në mes? Përse ka mbetur në vend kërkesa për siguri e bankave, edhe pse është kërkesë ligjore për licencimin? Ka një shprehje popullore që thotë se i mençur pas davaje mund të bëhet kushdo. Po përse na ndodh që nuk bëhemi të mençur edhe pas davaje? Përse mungesa totale e vullnetit, e dëshirës për të bërë mirë, e imponimit të vlerës na ka sjellë në këtë ditë të zezë, ku pjesa më e madhe e institucioneve të shtetit është kthyer në institucione që punojnë në kushte emergjence dhe nuk e njohin parandalimin? Përse duhet të paguajmë çmim për marrëzinë tonë?

Po fusha e zgjidhjeve është një fushë jo fort e vështirë dhe aspak e minuar. Përkundrazi, shumë zgjidhje ndonjëherë janë shpëtimtare dhe më të thjeshta se sa veza e Kolombit.

Në fillim fare, në kuadrin e sigurisë së përgjithshme, duhet të ketë një plan të posaçëm të policisë për të ruajtur objektet e sigurisë së veçantë. Bankat janë taksapagues të mëdhenj, sepse i paguajnë shtetit një sasi të madhe të ardhurash, duke tatuar fitimet e depozitave tona me 10% çdo vit, për të folur vetëm për një detaj, pa harruar transaksionet e tjera. Si të tilla, bankat duhet të kërkojnë më tepër nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit. Duhet të ketë një prani më të madhe të forcave të policisë pranë këtyre objekteve. Madje duhet të ketë plane të posaçme për të kapur ata persona që synojnë vjedhjen e bankave. Plane që nuk lejojnë daljen nga qytetet të grabitësve, siç ka ndodhur rëndom.

Policitë private duhet të sigurojnë parametrat e cilësisë. Rasti i fundit, kur një mori policësh nuk bënë as reagimin më të vogël përballë vjedhësve, denoncon një cilësi të ulët. Kjo cilësi duhet të monitorohet edhe nga organi që jep licenca për polici private, që është Ministria e Brendshme. Ndoshta duhet të ndryshohet edhe legjislacioni përkatës. Nuk mund të jepen licenca thjesht për të dhënë të tilla. Edhe kontraktimi i policive private nga bankat duhet të ketë më tepër parametra. Shpesh, policët e bankave, janë ca “qyqarë” që veç mbajnë armën në dorë, po s’kanë asnjë stimul për të rrezikuar përdorimin e saj.

Më e rëndësishme, do të ishte investimi në sisteme sigurie të posaçme, e sidomos dyer të blinduara, me akses të vështirë, që i gjen lehtazi kudo në botë. Sot nëpër banka mund të hysh pa asnjë lloj pengimi. Kjo rrit shpejtësinë e kryerjes së një veprimi kriminal.

Bankat asnjëherë nuk mund të improvizohen në apartamente banimi. Ato duhet të konceptohen nga e para, qysh në ndërtimin e pallateve, dhe jo të adoptohen, sikur të ishin butikë të rëndomtë. Kjo do të thotë se nëse nuk përmbushen parametra të caktuar, bankës edhe mund t’i mbyllet filiali.

Cenimi i sigurisë së bankave, nuk cenon vetëm financat e bankave, por edhe sigurinë e jetës së qytetarëve që kryejnë transaksione. Dhe kjo e fundit është çështja më madhore. Ndaj, kur licencohet një bankë, ka disa parametra të posaçëm sigurie. Pyetja është: kush i cenon? Kush i mbyll sytë përballë mosrealizimit të këtyre parametrave. Kjo duhet të sjellë edhe ndryshime në legjislacion. Legjislacioni duhet të mbrojë maksimalisht sigurinë bankare.

Situata e sotme, që vijon prej shumë vitesh, tregon mangësi të mëdha në mënyrën e të menduarit. Po jo se nuk i kemi menduar mijëra herë gjërat që themi e shohim. Nuk ka skutë të ferrit tonë që nuk është përshkruar më mirë se sa përshkroi Dante, Ferrin e vet. Ajo që na mungon është vlerësimi për intelektin, vlerësimi për atë tjetrin që çoç di. E mbi të gjitha përdorimi i kësaj depoje të madhe baruti që janë njerëzit e dijes dhe ekspertët. Për t’i përdorur paraprakisht, dhe jo thjesht për të komentuar ngjarjet që ndodhin tek ne. Ka ardhur koha të bëhemi të zgjuar tërë kohës, edhe pse ka kosto. Këto kosto janë gjithmonë më të vogla, se sa mungesa permanente e sigurisë. Prandaj kërkohet me të madhe diskutimi publik i kësaj çështjeje dhe çdyllosja e veshëve përgjegjës.

 

SHKARKO APP