Sa kushton një deputet , popullit shqiptar?

 

 
 

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Shqipëria është një vend i varfër, por jo të gjithë e dimë se sa na kushton një deputet.

Nëse njëherë në katër vjet çdo shqiptar shpreh vullnetin e tij me anë të votës dhe zgjedh një deputet për ta përfaqësuar në Parlament, çdo muaj nga xhepat tanë ne kontribuojmë për të paguar këtë vullnet.

Në një kohë që të gjithë zyrtarët dhe politikanët e vendit deklarojnë se Shqipëria është një vend i varfër, në një kohë që pensionistët ngrejnë zërin e tyre për rritje të pensioneve, duke mos u mjaftuar me atë që shpërblehen për kontributin e tyre për shtetin në shumë vjet, një deputet i Kuvendit të Shqipërisë i kushton buxhetit të shtetit 3 milionë lekë të vjetra në muaj.

Kjo shifër, që ndokujt mund t’i duket e vogël dhe ndokujt tepër e madhe, duke pasur parasysh kushtet ekonomike të vendit tonë, përfshin një sërë shpenzimesh që mbulohen nga Kuvendi i Shqipërisë për deputetët. Përveç pagës bazë të deputetit, shpenzimet prej rreth 3 milionë lekësh të vjetra në muaj përfshijnë pagesat për celularin, pagesa për çdo mbledhje të komisioneve parlamentare, pagesat për makinat, pagesat për dieta, apo dhe pagesat për hotele.

Shpenzimet e deputetëve

Statusi i deputetit përcaktohet nga disa ligje të ndryshme që janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Në bazë të këtyre ligjeve deputetët përfitojnë rreth 3 milionë lekë të vjetra në muaj për kontributin që japin në legjislativin shqiptar.

Këto tre milionë ndahen në zëra të ndryshme, ku si zë kryesor mund të përmendimin pagën e deputetit, e cila, pa llogaritur taksat dhe tatimet që mbahen, është rreth 1 milion e 400 mijë lekë të vjetra në muaj.

Për dy kryetarët e grupeve më të mëdha parlamentare, paga është 5-15 për qind më shumë në raport me numrin e anëtarëve të grupit. Por, deputetët përveç pagës bazë shpërblehen dhe për pjesëmarrjen e tyre në komisionet parlamentare të përhershme të Kuvendit, ku çdo anëtar paguhet me 20 mijë lekë për çdo mbledhje të komisionit.

Përjashtim bëjnë kryetari i komisionit dhe nënkryetari, të cilët paguhen përkatësisht me 25 mijë lekë dhe 22 mijë lekë për çdo mbledhje të komisionit parlamentar. Në shpërblimin për pjesëmarrje në komision ka dhe diferenca, pasi vetëm deputetët e komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe atij të Ligjeve paguhen për 12 mbledhje në muaj, ndërsa anëtarët e komisioneve të tjera të përhershme paguhen për 8 mbledhje në muaj.

Një vend të veçantë në trajtimin e deputetëve zë dhe pagesa e celularit, ku për çdo deputet nga buxheti i shtetit jepen 170 mijë lekë në muaj.

Përjashtim këtu bëjnë kryetarët e komisioneve parlamentare dhe kryetarët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, për të cilët pagesa e telefonit është 200 mijë lekë në muaj.

Dieta që marrin deputetët janë një zë tjetër në shpenzimet për ta, ku çdo ditë ka vlerën e rreth 56 mijë lekëve.

12 ditë dietë në muaj përfitojnë deputetët që banojnë jashtë Tiranës, ndërsa 6 ditë në muaj të gjithë deputetët e tjerë.

Përveç pagesës bazë për dietën, deputetët shqiptarë përfitojnë dhe pagesën e hotelit për çdo natë që flejnë jashtë vendbanimit të tyre, e cila është 20 mijë lekë nata. Ligjet që përcaktojnë statusin e deputetit parashikojnë që ai të pajiset me makinë nga Kuvendi dhe ky i fundit jep mesatarisht 190 mijë lekë në muaj për karburant dhe 150 mijë lekë në muaj për riparime dhe shërbime që mund t’i bëhen çdo makine. Vlefta në lekë për karburant varet dhe nga zona ku është zgjedhur deputeti, pasi ka nga ata deputetë që marrin deri në 500 mijë lekë në muaj për karburant duke qenë se kanë zonat larg, dhe ka nga ata që përfitojnë deri në 40 mijë lekë në muaj. Këtu përmendim deputetët e Tiranës.

Përveç shpenzimeve të sipërpërmendura, Kuvendi mbulon dhe shpenzimet e shoferit të deputetit, të cilat shkojnë deri në 600 mijë lekë në muaj, ku futet paga, dieta dhe hoteli. Gjithashtu, Kuvendi i siguron deputetët me një shtëpi me qera deri në 450 mijë lekë në muaj, në rast se ata e kanë të nevojshme. Çdo deputetë i Kuvendit të Shqipërisë pajiset me zyrë dhe një sekretare në zonën ku është zgjedhur, por shpenzimet për këto përballohen nga pushteti lokal.

 

Trajtimi i deputetëve

139.590 lekë Paga

17.000 lekë Pagesë telefoni

2.000 lekë Për çdo mbledhje komisioni

5.584 lekë Dieta në ditë

Kryetarët e Grupeve Parlamentare

Paguhen 5-15 % mbi pagën e deputetit, në raport me numrin e anëtarëve të grupit Dy kryetarët e grupeve më të mëdha paguhen 20.000 lekë tarifë celulari në muaj

Deputetët e komisionit të Ekonomisë dhe Financave

Paguhen për 12 mbledhje në muaj

24.000 mijë lekë në muaj anëtarët

26.400 mijë lekë në muaj nënkryetari

30.000 mijë lekë në muaj kryetari

Deputetët e komisionit të Ligjeve

Paguhen për 12 mbledhje në muaj

24.000 mijë lekë në muaj anëtarët

26.400 mijë lekë në muaj nënkryetari

30.000 mijë lekë në muaj kryetari

Komisionit e tjera të përhershme të Kuvendit

Paguhen për 8 mbledhje në muaj

16.000 lekë në muaj për anëtarët

17.600 lekë në muaj nënkryetari

20.000 lekë në muaj kryetari

Dietat e deputetëve të Kuvendit

5.584 mijë lekë në ditë

12 ditë dieta në muaj për deputetë që banojnë jashtë Tiranës (67.008 mijë lekë)

6 ditë dieta në muaj për të gjithë deputetët e tjerë (33.504 mijë lekë)

Pagesat e celularëve

20.000 lekë në muaj kryetarëve të dy grupeve më të mëdha parlamentare

20.00 lekë në muaj kryetarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit

17.000 lekë në muaj deputetëve të tjerë

Makina, 34.000 lekë në muaj

Deputetëve u lejohet mesatarisht deri në 19.000 lekë në muaj karburant

Për riparime dhe shërbime 15.000 lekë në muaj

Tiranë-Shkodër 20.000 lekë karburant

Bulqizë 30.000 lekë karburant

Tiranë 4.000 lekë karburant

Shoferët

Pagesa për një shofer arrin shifrën 60.000 lekë në muaj, ku përfshihen paga, dieta dhe hoteli

 

Deputetët kanë sekretare dhe zyrë, me të cilat i pajis pushteti vendor

Sekretarja paguhet 15.000 lekë në muaj

Deputetëve u sigurohet një qera për shtëpi deri në 450 mijë lekë në muaj, në rast se është e nevojshme.

A. META

SHKARKO APP