Sa po rrezikohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi
Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq mbledh më 18.03 në Graçanicë, lokalitet ky jo larg Prishtinës, i banuar me shumcë serbe, në një takim të gjithë kryetarët e komunave me shumicë serbe.
Ky takim pason një dakordim të mëhershëm të tyre me kryeministrin e Serbisë Aleksander Vuciq, ku u tha se për çdo veprim në Kosovë do të ketë dakordim të plotë ndërmjet kryetarëve të komunave me shumicë serbe, qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të tjerë serbë në institucionet qendrore të Kosovës.
Lajmi u bë i ditur nga vet zyra e zotit Gjuric, mirëpo, nuk saktësohet qëllimi i takimit. Një mbledhje e tillë ndodhë për herë të parë që nga mbjatja e zgjedhjeve lokale ku u përfshinë edhe katër komunat veriore të Kosovës.
“Përveç Drejtorit Gjuriq, në mbledhjen e anëtarëve të Kuvendeve të komunave me shumicën serbe do të jenë të pranishëm edhe zëvendëskryeministri krahinor, Branimir Stojanoviq, ministrat serbë dhe deputetët në institucionet krahinore, kryetarët e komunave dhe mysafirët e tjerë”, thuhet në komunikatën për media të zyrës së Marko Gjuric.
Asociacioni i komunave me shumice serbe
Mediat në Prishtinë shkruajnë se ky takim i paraprinë krijimit të asociacionit të komunave me shumice serbe, që është pjesë e marrëveshjes së dialogut Kosovë-Serbi. Qeveria e Serbisë ka kohë që ka hartuar një statut të saj se si do të duket ky asociacion, mirëpo, kjo është e papranueshme për Prishtinën zyrtare e cila thotë se asociacioni i komunave me shumicë serbe në bazë të marrëveshjes së 19 prillit 2013, do të krijohet sipas ligjeve të Kosovës. Kështu i pati thënë në një intervistw të mëhershme DW-së, kryenegociatorja në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.
“Pjesë e marrëveshjes se 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është edhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të jetë i krijuar sipas ligjeve të Kosovës. Në këtë fazë nuk ka pasur bisedime për të ndërtuar planin për zbatim, sepse, zakonisht pas marrëveshjes pasojnë nën-marrëveshjet për zbatim që ne zakonisht i quajmë plane aksionale për zbatim dhe një plan i tillë duhet dakorduar në nivel kryeministrash. Ndërkohë, ne si qeveri përkatësisht Ministria e Pushtetit Lokal, i ka dorëzuar Brukselit një draft statut për atë se si duhet të duket ky asociacion dhe funksionet që mund t'i ketë”, thotë Edita Tahiri.
Serbia synon prani më të fuqishme institucionale në Kosovë
Ndërkohë, një analist politik, Fisnik Korenica, nga instituti “Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i tha DW-së se Serbia po tenton me asociacionin e komunave me shumicë serbe ta fuqizojë institucionalisht praninë e saj në Kosovë .
“Asociacioni i Komunave Serbe është një pikë ku Serbia kërkon ta fuqizojë tutje institucionalisht prezencen e saj në Kosovë, ama një gjë e tillë është çështje që duhet zgjidhur në kuadër të debatit politik në Kosovë dhe legjislacionit në fuqi, por jo në dialog me Sebinë. Pretendimi i Serbisë për ta futur statutin e asociacionit në dialogun e Brukselit, përbën tendencë për ta bërë fakt kërkesën e saj për prezencë më të fuqishme institucionale në Kosovë, gjë që do të rrezikonte seriozisht konceptin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve”, thotë Fisnik Korenica, nga instituti “Grupi për Studime Juridike dhe Politike”.
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, si duket nuk e shohin të arsyeshëm vazhdimin e dialogut me Beogradin në procesin që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, përderisa pala serbe të mos zbatojë marrëveshjet e arritura deri tani. Kështu kë thënë për mediat në Prishtinë, Valon Murtezaj, këshilltar për punë të jashtme i kryeministrit të Kosovës. Sipas tij, Prishtina zyrtare kërkon që të ketë një pasqyrë të qartë të marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë dialog, para se të hapen temat e tjera.
Kufijtë e dialogut
Analisti Fisnik Korenica, mendon se qeveria e Kosovës duhet ta rimendojë qasjen ndaj dialogut me Serbinë dhe në koordinim me Kuvendin e Kosovës, të bëj një agjendë dialogu që përcakton edhe kufijtë e dialogut të tillë. “Mendoj që vazhdimi i dialogut përpara se Serbia t'i jetë përkushtuar zbatimit të marrëveshjeve të arritura njëherë me Kosovën është i pakuptimtë. Dialogu nuk është qëllim në vetvete; qëllim është normalizimi i marrëdhënieve. Prandaj, refuzimi për t'i zbatuar marrëveshjet e derisotme përbën shkelje të detyrimeve që ka marrë Serbia ndaj Bashkimit Evropian dhe tregon që Serbia e ka shfrytëzuar dialogun me Kosovën thjeshtë si një instrument të përfitimit në kuadër të rrugës së saj evropiane, por, në thelb, praktikisht ka bërë tepër pak për të zbatuar detyrimet e marra në raport me Kosovën. Në këtë dimension, vlerësoj që qeveria e Kosovës duhet ta rimendojë qasjen ndaj dialogut, dhe në koordinim me Kuvendin e Kosovës, të bëjë një agjendë dialogu që përcakton edhe kufijtë e dialogut të tillë”, thotë Fisnik Korenica.
Sipas analistit Korenica, “në rrathanat aktuale, përderisa Serbia vazhdon të emërojë kryetar paralel të komunave në Kosovë, vazhdon ta kontrolloj në mënyrë direkte Listën “Serpska”, vazhdon ta mbaj të bllokuar veriun dhe grupet e armatosura atje, dhe vazhdon të ndaj buxhet të saj shtetërorë për Kosovën, ajo në fakt po shkelë thelbin e përcaktimeve të marrëveshjes së 19 Prillit dhe përkushtimin që ka marrë në raport me BE-në për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës”.
Lista Serpska vazhdon të bojkotojë pjesëmarrjen në qeveri
Lista Serpska që në kuvendin e Kosovës përfaqësohet me 10 deputet dhe e cila është pjesë e qeverisë së Kosovës, akoma po vazhdon të bojkotojë pjesëmarrjen në qeveri dhe institucionet tjera të Kosovës që nga shkarkimi i ministrit serb, Aleksander Jabllanovic. Ky bojkotim me gjasë po e vështirëson edhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Lehtësi në këtë proces mund të bëjë Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, e cila në fund të këtij muaji pritet që ta vizitojë Kosovën. Në takimin e parë që Federica Mogherini kishte me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të Serbisë Aleksander Vuciq me 9 shkurt të këtij viti, u arrit marrëveshja Kosovë-Serbi për drejtësinë.