Sako Zeneli i Fterrës “e kishte llafin dyfek”…

Përsiatje nga cikli “Gazetar midis dy shekujve” nga Kristo Mërtiri

…Kështu më thoshte miku im shumë i çmuar, Jani Thomagjini nga Nivica e Bregut të Detit. Kështu e vlerësonte ky “Hero i Punës”, njeriun me shkronja kapitale në memorien e Fterrës, Corraj, Borshit, Lukovës e gjer në Lumin e Vlorës. Sepse kur unë shkova nga Përmeti si korrespondent i Jugut me rezidencë në Sarandë, ai kishte ikur. Kishte ikur larg e shumë lart. Iku 44 vjeç! Kishte mbyllur sytë përgjithmonë atje, në Përroin e Mostrogunës…Përrua që ka mbi 37 vjet që ndërron barin e lulet përqark, por aspak dhimbjen dhe mallin njerëzor që drithëron sot e kësaj dite zemrat fterriote, gurët e drurët. 37 vite bie e shkrihet si pikë loti vesa e mëngjesit. Dhe vendin e mbulon një gurgullimë psherëtime nga gurra borshiote dhe burimet në Ixuar. Se ajo nuk ishte vdekje, po ishte gjëmë. Nuk thotë kot mençuria e lashtë: Ia dhanë drurit e u tha, ia dhanë gurit e u ca, ia dhanë lumit e shteroi, ia dhanë njeriut e duroi ! “Karshi Sopotit mbi lumë/ Ç’të të bëj, o ditë e zezë/ U rrënofsh, o Mostrogunë/ Që hëngre Sako Zenelë !…/ E ka dashur tërë Fterra/ Ku loti kullon si shpella”. Teno Lona e Shako Mehmeti, Nurce Gjoni, Marsela Dhuli, Taipi, Afro, Tomorri etj., ngritën, selitën e kënduan këngë zemre atje, në sheshmejdanin e Mirënjohjes e të Dashurisë që nuk përthahen kurrë. Gjurmë jete dinjitoze që shkrepin mirësi në çdo shteg e shtëpi të kësaj treve bukurimbuluar, me njerëz të dhembshur e të ditur (vetëm nga Fterra janë mbi 100 mësues!). Mirëpo djersën dhe përkushtimin e tij atdhetar e njerëzor, e gjen në hekurudhën Elbasan-Peqin si vullnetar me atë këngën në buzë “Se ndërtojmë Shqipërinë e Re…”. E gjen në Kavajë e sidomos në Lugun e Zi të Tropojës, 3 vjet ushtar i Kufirit ! Vetëm zemra e tij e dinte se ç’tërmet i pruri mandata e zezë atje, në Lugun e Zi: Befas, i kishte ikur përgjithmonë Nusreti i shtrenjtë, vëllai i madh, 36 vjeç. Dhe Sakua nuk arriti dot t’i hidhte vëlla-xhanit as edhe një grusht dheu nga dheu i ëmbël i Fterrës!… Jetë me brenga e maraze të mëdha. Mbi zemër e mbi shpinë i ra një mal me halle. Por nuk u bëri bisht kurseve e shkollave bujqësore-ekonomike. Pas pak viteve, përsëri vullnetar, pa qibër e pa kulpra vetjake e familjare. Edhe sot, po të shkoni në odat e ngrohta dibrane e sidomos në Klenjë ku jetoi e punoi mbi një vit, por edhe në Maqellarë, Trebisht etj., me siguri dikush do u tregojë edhe për “labin e papërtuar e mendjehollë”. Jabanxhinjtë e mirë fjalështruar e punëmbaruar si Sako me shokë, malësorët dibranë e tropojanë i ulnin në ballë të oxhakut në kullat hijerënda e krenare.( Po sot? Mjaft mjekë, juristë me e pa magjistraturë, ekonomistë e mësues, çuditërisht e quajnë “persekutim” ose gati “internim” emërimin në shërbim të banorëve në krahinat malore në Veri e në Jug. O tempora, o mores !). Se jeta e çdo gazetari aktiv ruan thesare me margaritarë, larg punës së mbyllur vetëm në studio e redaksira kryeqyteti. Isha me fat që njoha nga afër e sy më sy gati tërë viset e Shqipërisë time, pa dylbi e celularë, pa internete e salltanete, pa fuoristrada, pa portale e kanale që marrin e kopjojnë fjalë për fjalë njeri-tjetrin pa pikë sedre profesionale e qytetare. Disa me diplomë gazetari të blerë, nuk i njohin qytetet as si emra?! (P.sh. te një kanal televiziv me shikueshmëri  jo të ulët, gazetari nuk e dinte fare emrin Çorovodë dhe na e servir lajmin me -“Sot, në qytetin e Skraparit…” etj., lajthitje foshnjore që të ngjallin krupën). Të mos dish as gjeografinë minimale, mere me mend historinë apo qindra fshatra fushorë, kodrinorë e malorë ! Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur Shqipërinë e shikon vetëm nga këmbët e Dajtit. Le të mos shkëputemi nga tema e shkrimit…

-Sako Zeneli ishte djalë vendi jo dosido, por si drejtues pushteti i zgjedhur nga fterriotët, borshiotët e çorriotët, hynte shtëpi më shtëpi, arë më arë, në vatra kulture e në qendra shëndetësore, në shkolla, kopshte e çerdhe, në stane e në shtrunga verore e dimërore, atje ku jetonte e punonte njeriu. I prekte gjërat nga afër e plot dashuri, me përgjegjësi qytetare e shtetërore. Prandaj nuk ia mori asnjëherë ferra fjalën. Madje “ i vinte jastëk” thonë vërsnikët e paktë dhe më të rinjtë se ai. Se njeriu i pastër që kuvendon pa dorashka e pa bujashka, pa “fjalë të ëmbla e punë të tharta” siç nënvizonte fort burrërori i paharruar Jani Thomagjini, i ka dyert, shtigjet e udhët kurdoherë të hapura për te fshatari e qytetari…

Rrëfimet e nënë Iles kusuremadhe e zemërmadhe, jo më kot kalonin gojë më gojë brenda e jashtë Fterrës emërmirë. Virtytet e saj dhe të bashkëshortit punëmadh Rrapo që nderohej gjer në Kuc e Corraj, Kudhës e Pilur, Golëm e Zhulat (pa përmendur këtu miqësitë e shumta familjare në Borsh), u përcollën bukur e me dinjitet te 4 djemtë e te vajza e vetme Resmie. Se dardha shpesh bie ndënë Motërzeza që jetoi e punoi në Kombinatin Tekstil në Tiranë, paska mbyllur sytë me plagë të hapura që ndoshta pikojnë ende nën dhe e mbi dhe. Plagën më të rëndë ia la Sako gojëbehari. Plagë që nuk iu shërua kurrë plotësisht edhe kur Peti e Graniti (dy nipat e shtrenjtë) u rritën e u bënë burra me fëmijë, të zotë e që nuk ua ha qeni shkopin. Ndërsa nënë Ilja e zgjuar e vjershëtore popullore si ajo, këndonte e qante me ligje si rrallë tjetër në nahije : “ Sako xhani, më helmove/ Perëndi, pse s’më more?!/ Po më le këtu kokole/ Djalë, e zeza !…”. Dahatja korbë e fatzezë u kallkanos e tëra. Vecse vëllazëria Zeneli ishte dhe mbeti një model adhurues në Fterrë, Sarandë, Gramsh, Tiranë e kudo. Ishte fryt i asaj nëne me derte dhe plot mençuri natyrale, që Merqezi i tregonte bukur. Ndërsa Sakua, një nga këshillat e saj e kishte lajtmotiv të paprekshëm dhe jo rrallë ua dhuronte me takt e lezet të tjerëve : “ Tri gjëra mos bëni në jetë, se të dënon Perëndia, po edhe Qeveria : Tradhti, Kusëri e Kurvëri !…”. Rrojti 93 vjeçe. Iku në atë botë, te shtëpia e djalit në Tiranë, te kolegu e miku im i vjetër Guro…

Kur fillova punë në Sarandë, te një zyrë e vockël përdhese por me histori të madhe (kish punuar në Doganë ashtu i sëmurë tuberkuloz, bilbili i Gjuhës Shqipe, frashërlliu i pavdekshëm, “Naim Shqipëria” !), mu ngulitën mjaft episode tronditëse që bartin mesazhe kuptimplote për njerëzillëkun e vërtetë pa kujë e pa zhurmë. Nuk i kam thënë kurrë publikisht. Momenti i parë : Te agjensia e udhëtarëve në krye të qytetit bregdetar, mëngjeseve po shikoja shpesh Guron e Kanon (bashkëshorten trimëreshë e të paepur Kanerinë). Me trasta në duar, prisnin korrierën(tip autobusi) që shkonte edhe në Fterrë. I dërgonin ushqime e shishe qumështi nënë Iles 80- vjeçare. Herë djali e herë nusja… Momenti i dytë : Pas një kalvari të gjatë mundimesh e ndëshkimesh të pamerituara nga Vlora në Finiq të Sarandës, babai i 4 fëmijëve njeri më i mirë se tjetri, Gurua emërohet kryeredaktor i gazetës lokale “Fitorja”. Në çastet më të vështira të jetës së vet, pas fjalëve melhem, nga të vetmet puthje vëllazërore e burrërore ishte dhe mbeti ajo e Sako vëllait. 23 vjet qëndroi edhe në vend të babait Rrapo, plot urtësi e maturi… Sa shumë njerëz takonte e bisedonte shtruar, miku im ! Por fare pak (për të mos thënë hiç) mësuan për burimin e një “huqi” të ri : Herë pas here, në zyrë, në kafene a në rrugë ngulte natyrshëm vështrimin mbi orën e dorës, shpesh drithërohej e i njomeshin sytë përmes dialogut me të tjerët. Ndonjërit nuk i vinte mirë, se i kuptonte si sinjale për të shkurtuar takimin. Kështu një çerek shekulli ! Ajo ishte ora e markës “Shanghai” e sapoblerë enkas nga Sakua, dhuruar e këmbyer pak ditë para gjëmës me orën e vjetër të vëllait, blerë në fillim të viteve pesëdhjetë. Mirëpo akrepat e saj të lodhur e lanë vrapin e fundit atje në greminë, në Mostrogunë në Krizë…

Pse ia dëgjonin dhe ia besonin llafin Sako Zenelit ? Sepse nuk ishte i ndershëm dhe i drejtë si drapëri, me veten dhe të tjerët. Sepse nuk kishte fjalë rrumbullake e lapurake, nga ato që nuk zënë vend gjëkundi. Sepse i kishte zët mburravecët e gënjeshtarët. Dhe as bënte “nën udhë e mbi udhë”. Portreti i tij i dashur do të mbetej gjysmak pa dëgjuar e lexuar Vasil Anagnostin e famshëm në krye të NB Lukovës së brezareve legjendë për 22 vjet; vajzën dinjitoze çame Vito Mucaj, Jordan Panin, Gëzim Dushën, Bedo Micin, Nedrete Hizmon, Shako Mehmetin, Nefo Avrecin, Zace Malaj, Salihe Kofina, Mënir Zhupa etj., etj. “O Sakua ynë, i miri/ Pse nuk prite të vin prilli/ Të këndoje si bilbili…”. Janë këngët dhe ligjet e një mandilezezë nga Corraj, janë të nënë Parashqevisë së Simon Dhimpalit. Në këtë trevë uniteti e plot cika stërralli, dashuria për njeri-tjetrin nuk i ndau e as i përçau dot kurrë në “turq” e “kaurë”… Sot e kësaj dite, një ulli mbi shtëpinë e Korkute sikur mban iso të lehtë vajtimtare. Ka 37 vjet që e thërrasin edhe “ulliri i Sakos”. E mbolli bashkë me shokët. Ndërsa era e gjethit të tij dhe gurgullima në Ixuar shkojnë e derdhen shpesh me mërmërimë në Sheshez… Mua, sa herë më merr malli për Guron e Kanon kur rrinë paksa gjatë te dy fëmijët në Kanada, lexoj e dëgjoj këngë e rrëfime buronja për njeriun shpirt njeriu,për Sakon e Fterrës…

SHKARKO APP