Salianji: Nuk ka marrëveshje për vaksinën Covid, Rama i ka lënë shqiptarët në mëshirë të fatit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji këtë të enjte i ftuar në studion e ABC është shprehur se Shqipëria akoma nuk ka asnjë marrëveshje në lidhje me vaksinën anti Covid.
Salianji ka deklaruar se Rama shkoi në SHBA me lekët e taksave nga shqiptarët dhe e shiti si një udhëtim për të bërë marrëveshjen për marrjen e vaksinës, ndërkohë që akoma nuk kemi asnjë afat ndërsa në Serbi sot ka filluar aplikimi.
Gjithashtu ai është shprehur se deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje për marrjen e vaksinës me kompanitë e certifikuara dhe se Shqipëria dhe shqiptarë fatkeqësisht janë në mëshirë të fatit.
“Është një autoritat dhe ka përfunduar si ato lindorët, ne nuk kemi asnjë kontratë siç ka Serbia, për të cilën Rama me taksat e shqiptarëve shkoi në SHBA dhe bëri një foto dhe shopping pasi ashtu u shit shqiptarëve ndërsa Serbia dhe miku i tij Vuçiç ka siguruar vaksinën.
Ndërsa këshillatari i tij si plakat sulmonte, ne nuk na mungon vaksina por na mungon qeveria. Nëse nuk paguan nga taksat kompanitë që e kanë bërë vaksinën do e lësh në dorë të lypjes dhe në mëshirë të fatit shqiptarët”, ka thënë Salianji.
Ndërsa sa i përket pezullimit të punimeve për Aeroportin e Vlorës dhe për aksin Milot-Fier, Salianji ka deklaruar se nuk ka asnjë projekt konkret në lidhje me këtë përveçse në projekte 3D. /abcnews