Saranda, qyteti i 40 shenjtorëve

 “Qyteti portual i Sarandës vendoset në pjesën jugore të Shqipërisë dhe në kohën e lashtë, emri i këtij qyteti ishte Onchesmus.” Një blog turistik mbi bukuritë e Europës Jugore është ndalur këtë herë në Sarandë, për të sjellë një histori të shkurtër të qytetit dhe zonave më të veçanta rreth saj për të gjithë të apasionuarit e turizmit nga e gjithë bota.

‘Meanderbug’, shkruan se sipas historianit dhe shkrimtarit shqiptar, Neritan Ceka, emri Sarandë vjen nga shekulli i 15-të, kur 40 murgj dhe ushtarë u vranë nga turqit për arsyen e vetme se nuk donin të ndryshonin fe. Për këtë arsye banorët vendas dhe kisha i shpalli ata shenjtorë. Origjina e emrit Agii Saranda vjen nga dy fjalë Greke – Agii që nënkupton ‘shenjtorë’ dhe Saranda që nënkupton ‘dyzetë’. Tani qyteti njihet vetëm si Sarandë.

E shtrirë përgjatë detit Jon, koha e Sarandës është e këndshme dhe me diell shumicën e ditëve të vitit. Qyteti i Sarandës është ndërtuar në stil amfiteatri me tre rrugë paralele. Katër rrugë me shkallë lidhin kodrën e qytetit me çdo shëtitore pranë bregdetit. Përgjatë shëtitores së madhe mund të gjeni hotele të bukura dhe restorante me ushqim tepër të shijshëm.

Historia e legjendave

 Legjenda thotë se banorët e lashtë të zonës së Sarandës ishin pasardhës të heroit grek, Akilit. Sipas një nga shumë legjendave, në shekullin e 12 para Krishtit, Heleni, biri i Mbretit Priam të Trojës, lundroi në perëndim për të vendosur një pushtim të ri. Gjatë udhëtimit të tij, ai zbarkoi në ishullin e Korfuzit dhe vendosi të sakrifikojë një dem për Zotin e Olimpit, Apollonin, i cili ishte një nga gjashtë zotat mbrojtës të Trojës.

Gjatë ceremonisë, demi i plagosur i shpëtoi thikës së Helenit dhe notoi përgjatë detit Jon drejt tokës më të afërt, ku vdiq pas plagëve të marra. Duke ndjekur demin, Heleni e mori këtë si një shenjë të Apollonit dhe ndërtoi një qytet në miniaturë të Trojës, duke i dhënë emrin “Vouthrotos”, që në greqishten antike ka kuptimin “demi i plagosur”. Vouthrotos tani quhet Butrint dhe vendoset 26 kilometra larg Sarandës.

Saranda ka plazhe me gurë dhe mjaft gjire të virgjëra për të eksploruar, përfshirë dhe qytetin arkeologjik të Butrintit dhe burimin hipnotizues të “Syrit të Kaltër” (Blue Eye). Mes Sarandës dhe Butrintit plazhet dhe ishujt e Ksamilit janë perfektë për një zhytje të freskët pas një ditë të lodhshme.

SHKARKO APP