Sejko në Mal të Zi, në samitin e guvernatorëve të Ballkanit
Në datën 16 qershor 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në samitin vjetor të vendeve të rajonit të mbajtur në Becic, Mal i Zi. Në këtë samit, pjesëmarrës ishin guvernatorët e bankave qendrore të Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë dhe zëvendësguvernatorët e bankave qendrore të Kosovës dhe Sllovenisë si dhe ministra të financave dhe drejtorë të tatimeve nga vendet e rajonit.
Samiti i këtij viti me temë “Stabiliteti financiar rajonal në një mjedis të ri global” trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonomitë e rajonit si dhe hapat që duhen ndërmarrë për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme.
Paneli i guvernatorëve në të cilin guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, ishte i ftuar të mbante një fjalë për të pranishmit, kishte në fokus diskutimet mbi politikat monetare të ndjekura nga bankat qendrore të vendeve të rajonit, si dhe nga Rezerva Federale (Fed) dhe nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Në krye të fjalës së tij, Guvernatori Sejko theksoi se qëndrimi i politikës monetare të vendeve të rajonit ndikohet në një fare mënyre edhe nga qëndrimi i politikës monetare që ndjekin bankat qendrore si Fed-i dhe BQE-ja.
Guvernatori Sejko shtoi se politika monetare e ndjekur nga këto dy banka qendrore mund të ketë ndikim për vendet me një sistem financiar të dollarizuar apo euroizuar duke influencuar në kredinë e brendshme, kushtet financiare, bilancet dhe kursin e këmbimit.
Ai nënvijëzoi se harmonizimi i politikës monetare të vendeve të rajonit me politikën e ndjekur nga BQE-ja përbën një rëndësi të veçantë për ekonominë e tyre, duke marrë në konsideratë ekspozimin e vendeve të rajonit nëpërmjet shkëmbimeve tregtare me partnerët kryesorë në Eurozonë dhe bankat evropiane.
Më tej, Guvernatori Sejko u ndal tek ndikimet në Shqipëri dhe u shpreh se qëndrimi i politikës monetare të BQE-së, ashtu si dhe për vendet e rajonit, është me rëndësi të veçantë për ekonominë tonë pasi influencon mbi kushtet monetare dhe sistemin financiar, duke mbajtur parasysh ekspozimin e vendit tonë në dollar dhe në euro.
Lidhur me ndikimin e politikave të Fed-it në vendin tonë, Guvernatori Sejko e cilësoi atë si të tërthortë dhe shtoi se shtrëngimi i politikës monetare nga Fed-i nuk do ta prekte Shqipërinë drejtpërdrejt, përveç ndikimeve të zakonshme negative mbi çmimet e karburantit dhe të lëndëve të para.
Gjithashtu, Guvernatori Sejko i njohu të pranishmit me planin e hartuar nga Banka e Shqipërisë së bashku me autoritete të tjera në vend, për uljen e përdorimit të monedhës euro si dhe për rritjen e përdorimit të monedhës vendase në ekonominë shqiptare, me qëllim reduktimin e nivelit të ekspozimit ndaj monedhave të huaja dhe për ta bërë sistemin financiar në vend më elastik.