Sejko: Rritja ekonomike për 2016 parashikohet 3 – 3.2 %

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se parashikimi i Bankës për rritjen e ekonomisë së Shqipërisë gjatë vitit 2016 është 3 deri në 3.2 për qind.

Duke folur për Zërin e Amerikës, pas takimeve në Uashington me zyrtarët e Fondit Monterar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, zoti Sejko, tha se Banka e Shqipërisë është treguar më konservatore në këtë parashikim se sa Banka Botërore.

Por më shumë se shifrat, tha guvernatori Sejko, ajo që ka rëndësi është prirja pozitive e zhvillimit, fakti që ekonomia e Shqipërisë gjatë viteve të fundit ka shënuar vazhdimisht rritje.

 I pyetur për shqetësimet e ngritura lidhur me klimën e përkeqësuar të biznesit për investimet e huaja, guvernatori Sejko tha se shqetësimet duhet të jenë në qendër të vëmendjes së qeverisë dhe të gjithë aktorëve që kanë një ndikim në mjedisin e përgjithshëm të biznesit.

Duke e vënë theksin tek faktorët e jashtëm, zoti Sejko përmendi situatën jo pozitive në rajon dhe se eksportet shqiptare janë të ndikuara ndjeshëm nga vështirësitë ekonomike që kanë partnerët në eurozonë. Gjatë vitit 2015, tha ai, u shënua një rritje e investimeve të huaja në nivelin 11.5 për qind,  si rezultat i rinvestimeve ekzistuese në Shqipëri dhe pritet që këtë vit ky nivel të rritet nga fillimi i projektit të TAP-it dhe ndërtimi i një hidrocentrali në jug të vendit.

Guvernatori tha se vetëm me instrumentat e bankës qëndrore, si ulja e normës së interesit, nuk mund të arrihet rritja ekonomike, por duhet të ketë një kombinim më të mirë të politikave monetare me politikat stimuluese fiskale si dhe me reformat e duhura strukturore, të cilat arrihen me një udhëheqje politike me strategji të qarta.

Shqipëria tha ai i ka shpallur dhe i ka ndërmarrë reformat strukturore dhe është në procesin e vazhdimësisë së këtyre reformave, por do të duhet më tepër kohë për të marrë rezultate.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ishte këto ditë në Uashington, ku mori pjesë në takimet e pranverës të Fondit Monetar Nërkombëtar dhe të Bankës Botërore. Zoti Sejko ishte i ftuar për një bisedë të drejtpërdrejtë në emisionin “Ditari” të Zërit të Amerikës.

SHKARKO APP