Sekreti i suksesit të Ilir Metës

Dikush mund ta konsiderojë këtë mendim demagogji apo etyd ndaj rinisë dhe Metës. Aspak. Parë nga optika e politikës si profesion dhe praktikë, është tashmë fakt që rinia përbën energjinë e të gjitha betejave elektorale të LSI. Zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015, dëshmuan se të gjitha zyrat elektorale të LSI…

Dr. Bledar Kurti

260 000 vota të LSI, 60% rritje në krahasim me dy vite më parë, LSI forcë e parë në qarkun Gjirokastër, dhe rezultate spektakolare në shumë bashki të vendit. Zgjedhjet e shkuara na mësuan se teksa të gjitha partitë e tjera tkurren LSI rritet! Me të drejtë shtrohet pyetja, cili është sekreti i Ilir Metës?

Politika shqiptare, që pas rënies së regjimit, është parë nën dy optika. Nga njëra anë, qasja e masave ndaj politikës në tërësi, e bazuar mbi opinione personale qytetare, qëndrime komunitare, bashkëbisedime kafenesh, dhe sigurisht fanatizmi partiak. Nga ana tjetër, politika si një profesion, shkencë, disiplinë dhe ideologji. Kësisoj, parë nga optika diletante, sekreti i suksesit të Ilir Metës mund të marrë shumë përgjigje në varësi të nivelit shoqëror të çdo shqiptari, por parë nga optika e politikës si profesion dhe shkencë, Ilir Meta është politikan profesionist, dhe si i tillë i ka idetë e qarta dhe platformë konkrete për partinë që ai drejton. Dhe, sekreti i suksesit të tij politik dhe elektoral, është rinia.

Që nga krijimi i LSI, rinia ishte fjala më e përdorur në retorikën e Metës dhe të kujtdo tjetër në këtë parti. Përtej vetë fjalës rini, arriti të institucionalizojë konceptin e rinisë në politikë duke themeluar Lëvizja Rinore për Integrim e cila është po aq e rëndësishme sa vetë emri i partisë, e përfaqësuar denjësisht në parlament dhe në këshilla bashkiakë. Vetë Meta nuk e ka fshehur kurrë këtë sekret të suksesit të tij, madje sa më publike aq dhe më e suksesshme rezulton për të. I bindur që rinia e meriton të jetë fokusi i partisë së tij, nga një LSI me qindra anëtarë tashmë është shndërruar partia më me peshë në vend me 260, 000 votues.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ëndrra e madhe e rinisë shqiptare për demokracinë dhe Europën. Gjatë kësaj periudhe Shqipëria ka kaluar përmes shumë vështirësive, dështimeve  dhe arritjeve, shumë aspekte të jetës janë përmirësuar dhe disa sektorë janë modernizuar, por gjithsesi, diçka duket se nuk ka ndryshuar, kjo është aspirata e rinisë shqiptare për të qenë e barabartë me rininë europiane. Sot rinia shqiptare mund të ketë udhëtuar më shumë në hapësirën shengen sesa rinia e viteve ‘90, por ajo ende nuk ka kushtet e plota për t’u ndjerë me zemër europiane, e barabartë me shanse arsimimi dhe punësimi, me kushte jetese dhe mundësi për të përmbushur ëndrrat e saj ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në vendet e BE-së.

Rinia shqiptare ka ende një të drejtë të merituar, por të munguar. Të drejtën për të jetuar dhe ëndërruar si të rinj e Europës. Rinia shqiptare është evropiane gjeografikisht dhe me zemër, por ëndrrat e tyre dallojnë nga ato të bashkëmoshatarëve përtej kufijve, pasi nuk e kanë ende luksin të eksplorojnë fuqinë e brendshme dhe aspiratat rinore por i duhet të enden në labirinthet fizike, emocionale dhe të pashpresa të kërkimit të një pune, të mbështetjes së familjes etj..

Këtë të drejtë të mohuar LSI e ka mision, Ilir Meta e ka fokus të retorikës politike dhe verbum-it publik dhe rinia shqiptare e kupton dhe duket qartë që e mbështet. Këtë e dëshmon edhe kampi veror i Jalës, i cili përtej plazhit dhe argëtimit rinor është shndërruar në një traditë të përvitshme që frymëzon të rinjtë drejtë angazhimit politik.

Siç u pa në samitin e BE në Vjenë vitin e kaluar, teksa vendet e Ballkanit perëndimor prisnin projekte spektakolare dhe madhështore, Europa tregoi se ka në fokus të saj rininë. Në deklaratën e përbashkët, vendet u zotuan se do të ndërtojnë ura afrimi mes të rinjve duke ndjekur shembullin e zyrës për të rinjtë franko-gjermanë. Ata u zotuan për krijimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor në Ballkanin Perëndimor, si edhe për të forcuar inkurajimin dhe ndihmën për të rinjtë në rajon, për të luftuar dhe distancuar veten e tyre nga fenomenet e racizmit, ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes, diskriminimit në baza etnike, fetare dhe gjuhësore. Samiti kishte në fokus edhe edukimin ndaj vendosi ndërtimin e një platforme për shkollimin profesional në fushat e IT-së, infrastrukturë, turizëm dhe energji, në përputhje me nevojat specifike të vendeve.

Pra, rinia shqiptare ëndërron Europën dhe Europa e do rininë. Këtë raport të thjeshtë racional, ndryshe nga Rama dhe Basha, të cilët e kanë lënë në harresë rininë, Ilir Meta e ka kuptuar me kohë, ndaj rinia si fokus, ideologji, mision, dhe shtysë ka rezultuar e suksesshme në betejat e tij politike dhe elektorale.

Dikush mund ta konsiderojë këtë mendim demagogji apo etyd ndaj rinisë dhe Metës. Aspak. Parë nga optika e politikës si profesion dhe praktikë, është tashmë fakt që rinia përbën energjinë e të gjitha betejave elektorale të LSI. Zgjedhjet vendore të 21 Qershorit 2015, dëshmuan se të gjitha zyrat elektorale të LSI ishin të mbushura me të rinj dhe të reja me një dëshirë të dukshme dhe të sinqertë për të promovuar partinë e tyre. Edhe në rrjetet sociale, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u koordinuar, të rinjtë e LSI dhe LRI zaptuan hapësirën e komunikimit duke promovuar më shumë shërbimin dhe punësimin, dhe duke i bërë thirrje miqve të tyre të votojnë LSI.

Kjo energji e madhe e rinisë ka krijuar një raport të ri edhe me vetë politikën. Sot të rinjtë dëshirojnë të jenë më aktiv në politikë dhe në aksione komunitare dhe padyshim është një dallgë e pandalshme që i jep dinamikë partisë së Metës.

Në LSI si lideri ashtu edhe partia po progresojnë në mënyrë konstante me dinamikën rinore që ajo mbart. Kjo energji, e drejtuar me maturinë e një politikani profesionist dhe lektori në politikën shqiptare siç është Ilir Meta, formon një formulë, e cila ka rezultuar dhe do vazhdojë të rezultojë absolutisht e suksesshme edhe në të ardhmen.

SHKARKO APP