Sep Blatter rival i Luis Figos, për kreun e ri të FIFA-s
Kreu i FIFA-s, Sep Blatter, i cili e udhëheq organizmin më të lartë të futbollit botëror prej vitit 1998, e ka tashmë një rival para zgjedhjeve të ardhshme që do të zhvillohen në muajin maj. Luis Figo ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për t’u bërë presidenti i ardhshëm i FIFA-s, me vendosmërinë për të ndryshuar një organizatë, që ai e përshkruan si shpesh të lidhur me “skandale”. Ish-ylli i Realit të Madridit dhe Barcelonës e bëri të ditur synimin e tij për të garuar kundër Sepp Blatterit në një intervistë për CNN, gjatë së mërkurës. 42-vjeçari është i njohur në mbarë botën për karrierën 20-vjeçare si futbollist, ndërkohë që mund të konsiderohet edhe si kërcënimi më serioz ndaj “pushtimit” që Blatter i ka bërë trupës më të lartë qeverisëse të futbollit. Figo është shpallur dy herë “Lojtari më i Mirë i Vitit”, teksa ka luajtur me Portugalinë në 127 ndeshje zyrtare, përfshi Botërorin 2002 dhe 2006, ashtu sikurse dhe në tre kampionate europiane. – “Jam kujdesur shumë për futbollin, ndaj ajo që synoj unë është t’i ndryshoj imazhin FIFA-s, jo vetëm atë aktualin, por edhe atë që ka pasur përgjatë viteve të kaluara. Nuk më pëlqen aspak imazhi i saj”, tha ai për korrespondentin e CNN në Madrid. – “Nëse kërkoni në internet me termin FIFA, fjala e parë që do ta shoqërojë atë është ‘skandali’. Asnjë fjalë pozitive. Është pikërisht kjo që ne, të gjithë së bashku, duhet të ndryshojmë fillimisht dhe të përpiqemi të përmirësojmë imazhin e FIFA-s. Futbolli meriton më shumë sesa kaq”. Më tej ai shtoi se ka mbështetjen e gjerë të botës së futbollit. – “Kam folur me shumë njerëz të rëndësishëm në futboll; lojtarë, trajnerë, presidentë federatash; dhe të gjithë ata mendojnë se diçka duhet bërë. Por për të ndryshuar imazhin e FIFA-s duhet ndryshuar lidershipi, qeverisja e tij, duhet më shumë transparencë dhe solidaritet. Ndaj mendoj se ka ardhur momenti për këtë gjë”. Figo u bashkohet në këtë garë ish-yllit të Paris SG, David Ginola, kandidatit të pavarur Jerome Champagne, zëvendëspresidentit të Konfederatës Aziatike të Futbollit, Princit Ali, dhe kreut të Federatës Holandeze, Michael van Praag; të gjithë me synimin për të zbritur nga froni Sepp Blatterin.