Serbët i kujtojnë Daçiçit frigoriferët me shqiptarët e vrarë në Kosovë
Lajme E Premte, 9 Prill 2021 21:46
Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiç, se “pranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), do të ishte i barabartë me anëtarësimin e të ashtuquajturit Shtetit Islamik i Irakut dhe Levantit (ISIL)”,- ka hasur në reagime të ashpra nga opinioni publik në Serbi.
Në portalet e mediave më të njohura beogradase, si “B92”, qytetarët serbë pyesin se, si mund të jetë Kosova njëlloj si “ISIL”-i kur vet Daçiç pi kafe dhe takohet rregullisht me ish-kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi.
Për më tepër, Daçiç kishte marrë pjesë në konferencën “Western Balkans 6”, të mbajtur në Prishtinë, ku Republika e Kosovës kishte marrë pjesë si shtet i barabartë me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të “Procesit të Berlinit”.
Komentuesit e tjerë serbë thonë se ISIL-in nuk e kanë njohur 111 shtete dhe se Serbia është detyruar të nënshkruante Marrëveshjen e Brukselit me Kosovën, sepse në bisedime kishte hyrë si palë humbëse dhe se kështu Serbia, faktikisht, e ka njohur Kosovën.
Qytetarët e tjerë serbë pyesin edhe përse në artikujt e ndryshëm serbë shkruhet “importues për Kosovën”, e të tjerët thonë se Kosova tashmë është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.
Një nga komentet më të fuqishme është se, dallimi mes Kosovës dhe ISIL-it qëndron në frigoriferët famëkëqinj të Serbisë që bartnin kufomat e civilëve shqiptarë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.