Serbia nën presion për vrasjet e shqiptaro-amerikanëve

 

Serbisë po i kërkohet të ndjekë penalisht komandantë të lartë të policisë për vrasjen e tre shqiptaro-amerikanëve të vitit 1999, pasi faktet tregojnë se autorët e dyshuar dihen prej vitesh nga autoritetet

Nga Marija Ristic, Milka Domanovic, BIRN- Beograd

 

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara këtë javë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç u pyet nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë në SHBA në lidhje me arsyen pse Serbia ende nuk e ka zgjidhur vrasjen 16-vjeçare të tre shtetasve amerikanë me origjinë shqiptare, të cilët luftuan së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës në fund viteve 1990.

Para vizitës së Vuçiç,policia serbe pohoi se ka prova të jeta që mund të sillnin më në fund para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi. Javën e kaluar, u njoftua gjithashtu se do të formohet një komision i ri i posaçëm për të zgjidhur vrasjen, i udhëhequr nga redaktori dhe gazetari i njohur serb, Veran Matiç. Por familja e vëllezërve Bytyçi, të cilët u vranë në një qendër trajnimi të policisë serbe në Petrovo Selo në korrik të vitit 1999 në Serbi, thonë se kanë marrë për vite me radhë premtime nga institucionet serbe, por deri tani pa ndonjë rezultat konkret. “Dje një komision, sot prova të reja, çfarë çmendurie tjetër do të ketë nesër? Kryeministri Vuçiç nuk mund t’i shmanget rolin e tij qendror dhe aktiv në parandalimin e një hetimi të besueshëm,” tha për BIRN Praveen Madhiraju, një avokat dhe këshilltar pro bono i familjes Bytyçi. Madhiraju tha se provat që ka mbledhur ekipi i tij, provat e gjykatave serbe dhe një hetim i FBI-së mbi vrasjet, ka lidhur një gjeneral të lartë të policisë, Goran Radosavljevic, i njohur edhe me pseudonimin Guri, me vdekjet në Petrovo Selo. Radosavljevic, tani në pension, është një anëtar i Partisë Progresive Serbe, dhe Madhiraju pretendon se ai vazhdon të jetë i mbrojtur nga kryeministri serb, i cili është nga e njëjta parti.

Pavarësisht provave kundër Radosavljevic, tha Madhiraju, Serbia ka krijuar “një vend të sigurt” për të, për shkak të lidhjeve të tij të fuqishëm brenda partisë dhe forcave të policisë. “Duke vazhduar të mbrojë Goran “Guri” Radosavljevic dhe duke lejuar që dëshmitarët të acarohen, asnjë sasi provash s’do të mund t’i kapërcejë sfidat në këtë çështje”, tha Madhiraju.

Sipas burimeve të BIRN, agjencia e sigurisë e ushtrisë serbe aktualisht po kontrollon vendndodhjen e Radosavljeviçit në kohën e vrasjes, duke qenë se shumë dëshmitarë thanë se ai ishte në Petrovo Selo, pavarësisht faktit se ai u shpreh se ishte me pushime kur ka ndodhur vrasja. Të njëjtat burime thanë se hetimi fillestar tregoi se ai po merrte telefonata në linja të veçanta të kohës së luftës në lidhje me vrasjen, por për një procedurë të mëtejshme ligjore, prokuroria serbe kërkoi një konfirmim se ai ishte i pranishëm në qendrën e trajnimit policor në kohën e vrasjes. Madhiraju tha ndërkohë se hetimi i ekipit të tij tregoi se shumica e provave që policia gjoja po i shqyrton tani ekzistonin që më parë.

‘Guri’ i Luftës së Kosovës

Radosavljeviç, i cili tani drejton disa kompani sigurimi në Beograd, shërbeu me policinë serbe që kur la akademi e sporteve. Për pjesën më të madhe të kohës, ai ishte në krye të njësive policore të trajnimit, por u bë i njohur gjatë luftës në Kosovë. Pikërisht atëherë mori edhe pseudonimin “Guri”. Në vitin 1998, ai ishte njëri prej komandantëve të policisë serbe që udhëhoqi sulmin ndaj familjes së ish-udhëheqësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, kur u vranë rreth 40 persona, duke përfshirë edhe anëtarë të familjes së tij, gra dhe fëmijë. Edhe pse shumë grupe të drejtash e klasifikuan sulmin si krim lufte, Radosavljeviç pohoi se Jashari po e përdorte familjen e tij si mburojë. Radosavljeviç udhëhoqi gjithashtu një tjetër sulm kontroversial gjatë luftës në Kosovë – në janar të vitit 1999, policia serbe mësymi fshatin Reçak në Kosovë, ku u vranë 44 vetë. Sulmi bëri që NATO-ja të bombardonte ish-Jugosllavinë, duke qenë se OSBE-ja i konsideroi civilë viktimat, edhe pse Radosavljeviç dhe Ministria e Brendshme serbe u shpreh se veprimi ishte kundër “terroristëve”. Më vonë, masakra në Reçak ishte pjesë e aktakuzës kundër presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Radosvljeviç u konsiderua gjithashtu një njeri që gëzonte besim të madh nga autoritetet e Beogradit dhe gjatë luftës në Kosovë ai gjithashtu ka shërbyer si asistent në selinë e shtetit për Kosovën, e cila kryesohej nga Sreten Lukic, i cili më vonë u dënua për krime lufte gjatë konfliktit. Gjatë viteve 1998 dhe 1999, Radosavljeviç gjithashtu veproi si një nga komandantët e njësive speciale policore të Serbisë, të njohur si “PJP”. Në vitin 1999, ai u emërua komandant i grupit të posaçëm të operacioneve të policisë, i njohur si “OPG”. Njësitë ishin të pajisura shumë mirë dhe të stërvitura midis forcave jugosllave që operonin gjatë luftës, dhe në Serbi perceptohen ende si heroike pavarësisht akuzave të rënda të bëra kundër tyre në Gjykatën e mbështetur nga OKB-ja në Hagë. Sandra Orlovic, drejtoreshë e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, tha se shumë nga krimet e PJP-së dhe OPG-së mbeten të pandëshkuar, sepse dokumentet e njësive janë ende të klasifikuara si sekrete. “Gjykata e Hagës ka konstatuar se disa krime janë kryer nga këto njësi dhe formacione të policisë. Është e sigurt se dokumentacioni është i varfër, por ajo që është e sigurt është se ato dokumente ekzistojnë në arkivat e policisë,” tha Orloviç për BIRN. Disa kërkesa në polici nga ana e BIRN në lidhje me aktivitetet e njësisë PJP në luftë u refuzuan. Policia gjithashtu nuk pranoi t’i tregojë BIRN-it emrat e komandantëve të njësisë, duke pretenduar se ata nuk e kanë këtë informacion.

Njësia PJP nuk është akuzuar vetëm për pjesëmarrje në mënyrë aktive në disa prej sulmeve të Kosovës të cilat janë konsideruar më vonë për krime lufte nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato serbe, por edhe në zhvendosjen e trupave dhe operacionet e fshehjes së tyre.

Në vitin 2001, Radomir Markoviç, ish-shefi i sigurimit të shtetit në Serbisë, në një deklaratë të dhënë në polici, dha detaje në lidhje me planin e përparuar për atë që ai e quajti “spastrim terreni”, e cila u ra dakord në nivelin më të lartë të mundshëm, në ish-Jugosllave zyra e presidentit Sllobodan Millosheviç, synonte fshehjen e një prove shumë të madhe nga Gjykata e Hagës…

Të vrarë nga pas shpine

Tre trupat u identifikuan si ata të vëllezërve Bytyçi në vitin 2002 dhe Radosavljeviç u hetua për pak kohë nga prokuroria serbe, por nuk u padit kurrë. Vëllezërit i ishin bashkuar një dege vullnetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të quajtur Brigadat e Atlantikut, e cila ishte aktive gjatë konfliktit me forcat e Beogradit në vitin 1999. Përkrahë anëtarëve të tjerë të Brigadës së Atlantikut, të cilët kryesisht vinin nga SHBA-ja, vëllezërit udhëtuan për në Kosovë për të luftuar kundër Serbisë. Pas marrëveshjes së paqes të korrikut 1999, e cila i dha fund luftës së Kosovës, ata ranë dakord të shoqëronin disa fqinjët romë në Serbi. Por kur ata kaluan një vijë të pashënuar kufitare midis Serbisë dhe Kosovës, pranë Merdares, ata u arrestuan nga policia serbe se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në atë që atëherë ishte Jugosllavia. Pasi kryen dënimet e tyre, ndërsa largoheshin nga burgu në qytetin e Prokupljes në Serbinë jugore, u arrestuan përsëri, u çuan në një qendër stërvitore policore në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një magazinë atje. Gjatë mbrëmjes së 9 korrikut 1999, ata u lidhën me tel nga persona të panjohur dhe u çuan në një vendgrumbullim plehrash, ku u ekzekutuan me plumba pas qafe. Radosavljevic luajti një rol të rëndësishëm në rrëzimin e Millosheviçit në tetor të vitit 2000, kur ai vendosi të mos përdorte forcë policore kundër protestuesve të cilët po demonstronin për dorëheqjen e liderit jugosllav, dhe zgjodhi atë që doli të ishte pala fituese. Ai u bë një figurë e shquar në institucionet policore dhe shtetërore serbe – duke kaluar nga një nga shërbëtorët më të ngushtë të regjimit të Millosheviçit në një prej gjeneralëve të policisë të qeverisë të sapothemeluar demokratike të udhëhequr nga kryeministri Zoran Djindjic. Disa muaj pas rrëzimit të Millosheviçit, Radosavljeviç u caktua komandant i njësive speciale të policisë dhe në vitin 2001 ai u bë komandanti i parë i një force të brendshme të ministrisë quajtur Xhandarmëria. Ai u përgëzua gjithashtu për rolin e tij në udhëheqjen e forcave policore gjatë një konflikti të shkurtër me kryengritës shqiptarë në jug të Serbisë në të njëjtin vit….Pasi dha dorëheqjen nga policia në vitin 2005, ai filloi biznesin dhe ngriti një kompani sigurimi dhe shkoi jashtë shtetit për të trajnuar trupa të huaja në vende si Libi dhe Afganistan. Shumë persona thanë për BIRN se ai u largua nga vendi dhe policia për shkak të frikës së tij se do të akuzohej, duke qenë se presioni i Shteteve të Bashkuara për vrasjet e vëllezërve Bytyçi u rrit.

SHKARKO APP