Servet Pëllumbi: Saliu, ky provokator i pashërueshëm

 

Nga Servet Pëllumbi

Para se të komentoj ato që ndodhin aktualisht në parlament dhe në politikën shqiptare, më duhet të sqaroj diçka në konceptin filozofik dhe estetik. Me interes është në këtë rrafsh koncepti trolling, i ndërhyrjes keqdashëse në sistemin e komunikimit virtual për ta ofenduar, indinjuar e krijuar konflikt me atë që komunikon, duke shkelur rregullat e kodit etik të bashkëveprimit. Në politologjinë e sotme vlerësohet si një “novacion”, si një mënyrë e veçantë perceptimi edhe në botën reale. Posaçërisht nënvizohet aplikimi i këtij koncepti në luftën politike, sidomos kur kjo luftë konceptet ndryshe nga konkurenca politike. Këtu “trolling” (provokacioni) shprehet në formën e agresivitetit, të sjelljes tallëse dhe ofenduese ndaj kundërshtarëve, thjesht për të bërë një holy war (“luftë të shenjtë”), për të shkaktuar një konfrontim që s’ka qëllim tjetër veç tërheqjes së vëmendjes dhe largimit nga çështjet “delikate”, nga temat e rëndësishme pa interes për atë që provokon.

Në luftën politike, si rregull, provokacionet përdoren për ta “nxjerrë nga binaret” kundërshtarin, për ta bërë fajtor pa faj vetëm e vetëm se atë nuk e “mbajnë nervat”, duke reaguar në mënyrë agresive ndaj provokimit dhe provokatorit. Sidomos kjo për debatet parlamentare, emisionet e posaçme në media, ndërhyrjet në rrjetet sociale etj. Në qasje të tilla, më shpesh ndodh që provokimi e provokatori të harrohen më shpejt, kurse “viktimë” sidomos në rrafshin etiko-moral të bëhet ai që “ha karremin”! Nuk ka aq rëndësi se ç’thua për t’u mbrojtur, sepse në plan të parë del humbja e drejtpeshimit që ndodh me “viktimat” e provokimit, por jo me provokatorin që e ka menduar e përgatitur atë skenar që më parë. Thënë ndryshe, me futjen në përdorim të teknologjive informacioniste, të deformosh të dhënat dhe të mashtrosh të tjerët sidomos në politikë, është bërë më e lehtë por shumë më e rrezikshme, sepse kështu “vritet” çdo lloj besimi.

Në politikën shqiptare deri sot në rolin e mjeshtrit të paarritshëm për zbatimin e kësaj metode të huajtur nga “bota e internetit”, them se me konsensus në vendin e parë duhet rreshtuar Sali Berisha, që në “trolling-et” (provokimet) e veta gërsheton çështjet parimore, interesat e publikut, me emocionet që shkaktojnë shitja e mashtrimeve për të vërteta, futja në çështjet personale familjare, shoqëruar me ofendime, denoncime momentale apo gjoja të nxjerra “nga dosjet”, me kërcënime, akuza dhe truke oratorie për të ndikuar sa më emocionalisht tek dëgjuesit. Jo rastësisht kur del në foltoren e Parlamentit ai merr me vete një kompjuter të përmasave modeste, por të sofistikuar. Të vetët e duartrokasin, të tjerët hutohen…! Dëshmi që tregon se s’duhet të ketë vend për asnjë lloj “amnistie publike” për metoda të tilla përçarëse, që venë formën mbi përmbajtjen dhe emocionet mbi arsyen. Madje s’duhet të ketë vend as për lejim “zemërgjerë” nga kryesuesit e seancave, të shkeljes permanente të rregullores nga ana e “trollinger-it” të PD-së, për të folur sa herë do, sa dhe si do në Kuvendin e Shqipërisë!

Për të mos e marrë këtë, as si “lavdërim të skajshëm” dhe as si “denigrim të një politikani”, po ritheksoj se metoda e provokimit meriton të trajtohet si komponent i bërjes së një politike negative agresive, që përpiqet të zhbëjë çdo pikë takimi me kundërshtarët politikë, për t’i thënë jo çdo lloj bashkëpunimi midis palëve e aq më tepër për të sabotuar çdo mundësi dialogu e mirëkuptimi midis tyre. Kjo metodë shpreh mungesë respekti edhe në raport me publikun e gjerë dhe duhet parë si e kundërt me kërkesën për të pasur bashkësi politike të civilizuara. Prandaj reformimi i thellë i sistemit politik pluralist duhet doemos të përfshijë edhe teknologjinë dhe metodën e bërjes së një politike të hapur, transparente, të kulturuar dhe në përputhje me interesat kombëtare, me traditën tolerante dhe moralin qytetar.

DITA

SHKARKO APP