SHBA dhe BE përkrah Tahirit dhe Policinë, PD përkrah krimit!
Nga Zef Shtjefni
Një nga pozicionimet më skandaloze, më të papërgjegjshme, më antishtet ka qenë ajo e djeshmja e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka. Hapur dhe qartazi, pa pikën e gajles, ai i ka justifikuar aktet terroriste të ditës së djeshme kundër familjes së Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ai i ka quajtur ata haptazi si luftë mes bandash kriminale. Ky është fjalor i pastër kriminal i njerëzve të papërgjegjshëm të politikës sonë, që fatkeqësisht quhen deputetë dhe opozitarë të këtij vendi. Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe OSBE-së përkundrazi, nuk kanë dilemën më të vogël se këto janë sulme terroriste, që kanë për qellim frikësimin dhe gjunjëzimin e shtetit shqiptar në lutën e madhe të nisur kundër krimit të instaluar në vend prej “Qeverive të Rrumpallës” dhe shprehin mbështetjen e fuqishme e të gjithanshme për Qeverinë, për Policinë e Shtetit kundër kriminelëve të tritolit e terrorit. Mirëpo, kur dëgjojmë fjalët e Opozitës sonë, çuditërisht kuptojmë se jo vetëm nuk i dënon terroristët dhe krimet e shëmtuara që po tronditin sistemin demokratik në vend dhe jetën e shqiptarëve çdo ditë, por përkundrazi bëjnë përpjekje t’i justifikojnë ato dhe t’u japin kurajo grupeve kriminale, sikur po bëjnë luftë me palët rivale për trafiqe e interesa të tyre. Ky është koncepti që kanë për Shtetin, për Policinë e Shtetit, për Ministrin e Brendshëm Opozita jonë mjerane! Kështu, mua më duket se çdo gjë tjetër mund të jetë ajo, por veç Opozitë jo. Kur sulmohet Ministri i Brendshëm, është sulmuar çdo qelizë e shtetit, është sulmuar, siguria, jeta dhe prona e çdo shqiptari. Opozita jonë duket se është shumë e kënaqur nga kjo! Duket se është shumë e kënaqur edhe nga përmbytjet në jug, ku përpiqet të pengojë e nxijë çdo punë të Qeverisë, veç nga inati, meqë Ajo po bën atë që as e ëndërronin pushtetarët e Saliut. Kur sulmohet Ministri i Brendshëm, është sulmuar e terrorizuar i madh e i vogël në këtë vend. Por kjo as i intereson grupit të SHQUP-it! Para ca ditësh nga një kafene e Tiranës, një ish i dënuar u dërgoi kaq fjalë: “mos ma përmendni më emrin!” Manikini apo Kryetari fals i PD-së sa nuk u menderos nga frika dhe ngaqë nuk kishte fytyrë t’i kërkonte ndihmë Policisë së Shtetit me vrerin që kishte vjellë për te sistematikisht, filloi ta akuzonte Policinë se gjoja nuk po e mbronte dhe madje se ishte ajo që po e kërcënonte.
Ky është mjerim logjik i kësaj Partie, është fatkeqësi e madhe për vendin, që në vend të një opozite reale e të përgjegjshme, një opozite shtetformuese e atëdhedashëse kemi një grup mercenarësh të Sali Berishës, që për inat të humbjes së interesave të mëdha të pushtetit të tij, është gati t’i verë zjarrin Shqipërisë në çdo kohë e me çdo mjet. Ata nuk arrin dot të ngrënë një opozitë të fortë me ide e alternativa më të mira se Qeveria, sepse nuk kanë njerëz të mendjes. Në vend të opozitës kanë mbledhur një grup mercenarësh të gatshëm për destabilitet, për përkrahje të hajdutëve të energjisë, të drogaxhinjve të Lazaratit e Dukagjinit, të ndërtuesve rrënues të Shqipërisë, të xhihadistëve, të terroristëve të tritolit. SHBA-ja dhe BE-ja u distancuan hapur nga ky qëndrim skandaloz i PD-së. Tani radhën e kanë shqiptarët ta thonë fjalën e tyre dhe t’u tregojnë vendin. Një grup militarësh, si ky i PD-së së Sali Berishës sot, në një vend normal demokratik perëndimor, me këtë fjalor dhe këtë veprimtari, do rrezikonte shumë të nxirrej jashtë ligjit. Një Opozitë e tillë që përkrah terroristët dhe bëhet avokate e çdo të keqeje në vend, nuk i sjell asgjë të mirë as Shqipërisë, as Europës. Dhe nuk ka se si, kur në krye të PD-së janë vënë pikërisht njerëzit që janë akuzuar më shumë se askush tjetër në këtë vend për vepra kriminale. Nuk po flas për Berishën dhe veprat e tij, që nga zjarrvenia e Shqipërisë në 97-ën e këtej. Por dhe më i përzgjedhuri i tij, Basha ka qenë në epiqendër të çdo ngjarje negative që ka ndodhur, në çdo detyrë që i është besuar nga shefi i tij. I humbën buxhetit të shtetit 230 mln euro në rrugën e Kombit, kur ai ishte Ministër i Ndërtimit të rrugëve. U vranë 4 vetë të pafajshëm në mes të bulevardit të Tiranës në mitingun e 11 janarit, pas vjedhjes së zgjedhjeve, kur ai ishte Ministër i Brendshëm. Zgjodhën sekretar të Përgjithshëm të Partisë njeriun e akuzuar si më të inkriminuarin në vjedhjen e zgjedhjeve në këtë vend. Bile, i dënuar dhe nga drejtësia e vetë Berishës për korrupsion. Për Kryetarin e grupit, Palokën dhe as Jozin nuk kam se ç’them, pasi e kanë të shkruar në ballë gjithçka duhet të dimë për to. Pra, çfarë tjetër mund të presim nga këta njerëz!? Ata po na tregojnë shkoqur se kush janë. Ata akuzojnë të tjetër pikërisht për atë çfarë përfaqësojnë dhe bëjnë vetë. Kështu, nëse duam të kuptojmë se çfarë po thonë dhe çfarë kanë bërë dje e çfarë po bëjnë sot PD-ja e Sali Berisha, mendoni ekzaktësisht të kundërtën e atyre që thonë çdo ditë. Ndaj, mendoj se popullit shqiptar nuk i mbetët rrugë tjetër, veç të rreshtohet fort përkrah Qeverisë së vet të ligjshme, përkrah SHBA-ve dhe BE-së në luftën e madhe kudër terrorit dhe frymëzuesve e përkrahësve të tyre. Nuk kemi shpëtim tjetër, përveç mposhtjen e tyre dhe europianizimin i vendit.