Shehi: Po presim nga SPAK, Berisha nuk inspiron më
Kreu i LZHK, Dashamir Shehi thotë se protestat e PD-së nuk e kanë më peshën dhe efektin e nevojshëm politik. ”S’po protestojmë si në Teheran. Këto nuk janë protesta qytetare masive, por tubime militantesh që po lodhen javë pas jave”, deklaroi Shehi.
Ai theksoi se pjesëmarrja e kufizuar tregon mungesën e një mesazhi të fortë politik dhe të figurave frymëzuese. Sipas tij, Sali Berisha nuk arrin më të inspirojë shumicën e shqiptarëve për të dalë në rrugë.
Shehi u shpreh se opozita duhet të ndalë retorikën e përsëritur dhe të ndërtojë një projekt politik të qartë, 360 gradë, me objektiva konkrete. “Nuk mjafton të kërkosh largimin e Edi Ramës apo qeveri teknike, kur këto nuk janë realisht të arritshme. Opozita duhet të fokusohet në gjëra që i ka në dorë: reformën zgjedhore, reformën administrative, rishikimin e Kushtetutës”, tha ai.
Kreu i LZHK-së nënvizoi se shpresa kryesore e qytetarëve është te drejtësia, duke shtuar se opozita duhet ta mbështesë SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë, në vend që t’i sulmojë kur vendimet nuk i pëlqejnë. “Vetëm drejtësia mund të rikthejë besimin dhe të inspirojë qytetarët”, u shpreh Shehi.
KOHA JONË SONDAZH

