Shembet restoranti i shqiptarit në Boston, hante Kenedi dhe Nikson
Një restorant mitik, i ndodhur në Boston të SHBA-ve, i themeluar nga një shqiptar në vitin 1963 është shembur ditët e fundit. Bashkia e Bostonit këtë të martë e ka shembur plotësisht restorantin e njohur “Athony’s Pier 4”.
Shqiptari Anthony Athanas e ngriti restorantin në vitin 1963, ku me pjatat e shijshme të përgatitura tërhoqi mjaft klientë të njohur, si Riçard Nikson dhe familjen Kenedi.
Por edhe gangsteri i famshëm i Bostonit, Xhejms Bolxher ishte një klient i rregullt i restorantit të shqiptarit, i veçantë jo vetëm në ushqime, por edhe në mikpritje, tradita që mesa duket shqiptari nuk e ka lënë pas.
Por me ndarjen nga jeta të Anthony, restorantin e trashëgoi djali i tij, i cili vendosi ta shiste truallin tek një sipërmarrës.
Restoranti i “Athony’s Pier 4” nga fillimi i viteve 1980 arriti në një fitim rreth 12 milionë $ në vit dhe ishte restoranti më fitimprurës në Shtetet e Bashkuara, por i mbyllur në gusht 2013.
Anthony Athanas, ishte një shqiptar i lindur në Korçë, në vitin 1911 dhe emigroi bashkë me familjen. Në vitin 1938, ai bleu restorantin e parë në Massachusetts, i cili në vitet ’50 u bë një nga restorantet me fitimprurëse në SHBA, me 1 milion dollarë në vit.
Ai vdiq në vitin 2005 në moshën 93-vjeçare.