Shën Valentini dhe dy dashuri rrëqethëse shqiptare

Nga Hyqmet Zane

 

  1. Mali i Vashës

 

Çdo komb në vetvete ka Romeot dhe Zhuljetat e tij, madje dhe çdo krahinë ka të tilla histori dashurish. Për banorët e rajonit te Elbasanit, Mali i Vashës është ndoshta idili i një dashurie shekspiriane, ku personazhet nuk janë Romeo dhe Zhuljeta, por një djalë dhe një vajzë, emrat e te cilëve tashmë janë të harruar, por që ka mbetur e pavdekshme ajo ngjarje që i futi ata në botën e një dashurie sublime deri në përjetësi.

Ndoshta ishte e shkruar nga Zoti që një bujk, biri i një fshatari të varfër nga Griqani i Labinotit Fushë të binte në dashuri me vajzën e beut të kësaj ane. Vërtetë ishte një dashuri e sinqertë, e zjarrtë, e bukur, potenciale në llojin e vet, po aq sa dhe e brishtë, delikate. Shkurt dashuri zemrash të përmallura, ku shpirti i mbushur me ndjenjën e fuqishme nuk tutej para asgjëje, çfarëdo sakrifice që të kërkohej. Fjala kishte marrë dhenë, se djali i pashëm i bujkut të varfër ishte dashuruar me vajzën e bukur e të pasur të një beu të madh të një ane tjetër po në Labinot Fushë, ku edhe është zhvilluar kjo ngjarje. Zilija bënte punën e vet dhe gojë pas goje një ditë fjala arriti në veshin e beut. I turfulluar dhe me inat në kokë beu i xhindosur kërkonte të bënte gjëmën. dërgoi sejmenë dhe yzmeqarë që t`ia sillnin djalin, të dashurin e vajzës së tij para sysh. Ndërkohë që vajzës ia kishte zhuritur shpirtin me fjalët se nuk do ta lejonte kurrë një martesë që do ta turporënte për jetë. Dha e mori por nuk e nënshtroi vajzën e tij. Ajo me krenari rinore u betua para Zotit dhe para te atit të saj se nuk donte njeri tjetër në këtë jetë, veç djalit që i kishte fituar zemrën.

Fshati i tërë fliste për këtë dashuri të pazakontë, por të bukur, të padëgjuar, por të veçantë, që djali i një bujku të varfër të arrinte të donte vajzën vetme e të pasur të beut të madh. Dhe ndodhi një çudi. Krenar dhe i mbushur me dinjitet djaloshar, biri i një familjeje të thjeshtë, por të pasur në dinjitet e në shpirt u paraqit pa iu dridhur syri beut në fjalë. Njerëzit e morën vesh, se haberi kishte marrë dhenë. Edhe pse me inat të sojit të tij, beu pranoi t`ia jepte vajzën këtij djali, por duke i kërkuar një kusht, që ai me vajzën në krah t`i ngjitej malit përpjetë deri ne majë. Ishte një mal me një të përpjetë të madhe, por që djali e kishte ngjitur me dhjetra herë dhe s’ia bënte syri tërr Gjithçka u pranua dhe ashtu u bë. Të dy te dashuruarit u përqafuan faqe njerëzisë dhe, duke e marrë në krah, djali i mirë nisi betejën e kërkuar, duke marrë në krah vajzën e lumturisë, vajzën që personifikonte dashurinë e tij.

Rruga nuk ishte e gjatë, por e thyera e malit ishte e hidhur. Dihatja e frymëmarrjes së vështire nga pesha nuk e shqetësonte djaloshin që si me magji kishte realizuar ëndrrën ë tij. Po ashtu dhe vajza e këndshme ia përkëdhelte dihatjen me fjalët e ëmbla qe i fliste herë pas here. Kështu ngjitja për në majë po realizohej, siç dëshironte. Këtë çudi po e vështronin me kureshtje dhe ankth shumë banorë të fshatit Labinot Fushë, duke pritur se çfarë do të ndodhte. Vetëm kur ata të ishin ne krye te malit që tashmë, sot e kësaj dite, mban emrin “Mali i Vashës”, do të kurorëzohej tërësisht një dashuri, edhe pse e pabarabartë në kushtet e jetës shqiptare. Por rruga drejt majës po bëhej e vështirë. Tashmë lodhja po bënte punën e vet. Zemra e djalit rrihte e rrihte pa pushim, si një maratonomak, që kërkonte të arrinte fundin e një drame të ndërthurur me dashuri dhe lumturi. “Edhe pak, edhe pak”, i fliste vajza në vesh dhe djali e dëgjonte sikur t`i flisnin zanat e malit të Çermenikës, të cilat djali i ëndërronte tek vajza që dashuronte. Vajza ia dëgjonte edhe rrahjet e zemres, ajo e ndjente edhe gjakun që i vërshonte, ashtu siç edhe shikonte engjëllin e saj që lumturohej me të në krah.

Fundi erdhi. Djali e arriti majën, gëzimi për të u bë i pamatë. Pikërisht në këtë kohë ndodhi edhe tragjedia. Ai u shemb përdhe, sepse zemra i plasi duke vulosur një tragjedi. Ndërkohë vajza kujtonte se ai u shtri prej gëzimit, por shpejt kuptoi se një dashuri e bukur dhe e dëshiruar pafundësisht kishte marrë fund. Hidhërimi përshkoi tërë qenien e saj. Një britmë e madhe oshëtiu në të gjithë luginën, duke çarë malet tejpërtej. Atë e dëgjuan të gjithë ata që për disa orë po ndiqnin me sy një nga ngjarjet e rralla të kësaj ane. Dhe vajza me zemer të thyer, me shpirt të përvëluar, me mendje të vrarë, hipën mbi shkëmb dhe si nje zog i bukur mali hidhet që andej, vrik e përposht për të vdekur dhe ajo bashkë me të dashurin e saj.

Ishte një tragjedi që kish brenda dashuri. Të gjithë panë fundin e një dashurie të pakurorëzuar. Edhe beu i egër derdhi lot, jo vetëm për vajzën e tij, ndaj dhe kerkoi që të dy, si vajza dhe djali të varroseshin bashkë nën hijen e një rrapi, pikërisht atje në rrëzën e malit qe tashmë mban emrin “Mali i Vashës”. Ndoshta dramaturgu i madh Shekspir, po aq sa Romeo dhe Zhulieta e tij, do ta kishin zili këtë dramë dashurie që nuk ishte një dramë e shkruajtur, por një dramë e jetuar, e hidhur dhe e paparë. Ishte një dramë shqiptare. Shumë e shumë larg vendit të Shekspirit të madh që do ta kishte zili e gjithë bota. Sa herë që udhëtarët kalojnë përgjatë rrugës që shikohet me Malin e Vashës, të gjithë flasin dhe kërkojnë të dinë përse e ka emrin të tillë, por pa ditur se është historia e dy të dashuruarve përjetësisht.

 

  1. Tyrbja e Gocës

 

Historitë e dashurisë nuk kanë të sosur në këtë botë.Në këtë kuptim edhe në rajonin e Elbasanit jeta ka bërë të vetën, po aq sa edhe dashuritë kanë qenë të kënduara. Por ajo, tragjikja është e skalitur në kujtesën e brezave, duke u shnjtëruar në përjetësi. Një e tillë ka ndodhur në Elbasan dhe është e vërtetë se janë disa vende të shenjta që mbahen mend për shkak të ngjarjeve që janë përjetuar në vitet e vite më parë dhe që vijnë të freskëta për çdo ditë Shën Valentini dhe që me të drejtë quhen Shën Valentinët shqiptarë.

Dashuria, kjo ndjenjë fisnike që pushton me mijëra zemra kudo në botë, në ditën e Shën Valentinit duket se merr celebrimin me të dashuruarit e saj. Që nga Helena e Trojës e deri tek Romeo e Zhuljeta, por edhe nga Mali i Vashës deri tek Tyrbja e Gocës apo Ullini i Qefit, siç njihet dhe kujtohen në Elbasan, të gjithë janë kthyer në simbole për banorët e trevës së Elbasanit, dashuritë kanë njohur lumturitë dhe tragjeditë e tyre.

Historia e dy protagonistëve nuk dihet se në ç’kohë ka ndodhur por për ata që dashurojnë mbahet mend se nga thellësitë e viteve, por edhe të shekujve deri në ditët e sotme historia e dy të dashuruarve tregohet dhe këndohet. Zemrat e dy të rinjve trokitën në portat e njeri-tjetrit dhe dyert u hapën për t’u futur në gjak ndjesia e çuditshme. Djali ortodoks nga Shelsani me një shikim zemre ka fituar dashurinë e vajzës muslimane nga Shushica në trevën e Elbasanit. Dy engjëj të zotit u bënë xhelozia e njerëzisë dhe syri i keq është bërë shkak i një tragjedie. Prindërit e vajzës i ranë shkurt dhe kërkuan e gjetën një burrë për bijën e tyre. Askush nuk kishte forcë të ndalte këtë vendim kanunor, edhe pse askush nuk mund të ndalte ujvarën e ndjenjave që ushqente djali i Shelcanit për vajzën e Shushicës. Edhe shtojzovallet ishin bërë pjesë e gëzimit të të dy të dashuruarve dhe ushqenin zemrat e tyre me ëndrra pa fund dhe ndjenja plot dashuri. Por çdo gjë kishte marrë udhën e tragjedisë. Hypur mbi një kalë dhe shoqëruar nga krushq dhe dasmorë, vajzës iu prenë në mes ëndrrat dhe zemra iu bë katërqind copash. Një helm farmak u fut në zemrën e saj, ndërsa djali fatzi gjeti rastin të shoqërojë fshehurazi karvanin që i mori dashurinë dhe ia shkeli me këmbë. Fshehurazi dhe me mijëra ofshama e ndoqi kalin e bardhë të vajzës së zemrës, deri sa e kaloi edhe lumin Shkumbin. E dashura e tij e kaloi lumin, ndërsa ai vetë ndjeu për herë të parë një ligështi të madhe matan bregut. Sytë që i lotonin, shpirti që i digjej, mendja që i zjente e hidhëruan pa masë. Ndërkohë që kali me robinën kishte prekur bregun e përtej lumit për në Elbasan, vajza kthen kokën dhe shikon për të fundit herë bregun e përtejmë, ku qëndronte i zhytur në ngashërime djali i zemrës së saj. Ai qëndroi dhe pak në këmbë dhe u shemb përtokë duke plasur në vend nga marazi i zi që e vrau përjetë. Si nëpër në një tel korenti hidhërimi kaloi sa në një anë në anën tjetër të lumit dhe ndodhi ajo që nuk ishte parë dhe as dëgjuar asaj ane. Vajza ndjeu se zemra i pushoi dhe bie vërtik mbi tokë, e cila edhe ajo vetë ndjeu se ky engjëll i bukur ishte shuar përgjithmonë. Krushq e dasmorë panë njëri-tjetrin në sy dhe kuptuan se kishin dashur të shuanin një dashuri, por në fakt kishin vrarë dy njerëz që u deshën deri në shenjtëri. Që nga ajo kohë e deri sot ky vend do të quhej i shenjtë dhe emri “Tyrbja e Gocës” do të bëhej i njohur për të gjithë ata që dashuronin për të gjetur ilaçin e bashkimit të zemrave. Aty ndizen qirinj prej shumë kohësh, sikur digjen zemrat e dy të rinjve, djalit ortodoks nga Shelcani dhe vajzës muslimane nga Shushica. Ndërsa shumë të tjerë duke shkuar në Tyrben e Gocës kërkojnë të shpëtojnë dashuritë e tyre të zemrës nga fati i zi.

SHKARKO APP