Shërbimi civil, ndryshimet e reja në ligj për nëpunësit
Shërbimi civil ka pësuar së fundmi një sërë ndryshimesh dhe shtesash në ligjin ekzistues të vitit 2013, zyrtarizimi i të cilave gjatë këtyre ditëve bën që nëpunësit e përfshirë brenda tij t’u nënshtrohen tani e tutje disa rregullave të reja në punësimin e tyre. Konkretisht, sipas tyre, vendet e lira të krijuara në mënyrë të përkohshme në administratën publike, mund të plotësohen edhe nga kandidatët fitues të paemëruar ende, sipas renditjes së tyre në listë. Dhe në asnjë rast, ky proces nuk realizohet pa pëlqimin e kandidatëve fitues dhe nuk cenon të drejtat që ata gëzojnë. “Njësia përgjegjëse në këtë rast bën emërimin e përkohshëm të këtyre nëpunësve, pas marrjes së pëlqimit të tyre”, përcakton ligji i ri. Nga ana tjetër, ai plotësimi i vendeve të lira në kategorinë e ulët apo të mesme drejtuese bëhet, së pari, nëpërmjet procedurës së lëvizjes paralele dhe në rast të mosplotësimit të vendit të lirë, me procedurën e ngritjes në detyrë. “Mund të aplikojnë për procedurat: a) nëpunësit civilë të së njëjtës kategori, në të njëjtin apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, që plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira nëpërmjet lëvizjes paralele; b) nëpunësit civilë të një kategorie paraardhëse, të punësuar në të njëjtin apo në një institucion tjetër të shërbimit civil, nëse plotësojnë kushtet dhe kërkesat e veçanta për vendin/vendet e lira, nëpërmjet ngritjes në detyrë. “Përjashtimisht, Këshilli i Ministrave, për institucionet e administratës shtetërore dhe organi kompetent për institucionet e pavarura mund të vendosë që procedura e plotësimit të vendeve të lira për kategorinë e ulët apo të mesme drejtuese të jetë e hapur edhe për kandidatë të tjerë që plotësojnë kushtet dhe kërkesat për vendin/vendet e lira. Në çdo rast plotësimi i vendeve të lira në këtë kategori nuk mund të kalojë 20%”, thuhet gjithashtu në ligjin e amenduar. Duke përcaktuar gjithashtu se konkurrimi zhvillohet në dy faza: a) verifikimi paraprak, nëse kandidatët plotësojnë kushtet dhe kërkesat e posaçme për vendin/vendet e lira; b) vlerësimi i kandidatëve. “Në përfundim të vlerësimit, komiteti mund të vendosë: a) përzgjedhjen e kandidatit që është renditur i pari ndër kandidatët që kanë marrë të paktën 70% të pikëve apo b) përfundimin e procedurës pa asnjë të përzgjedhur, në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë të paktën 70% të pikëve”, sqaron ai mes të tjerash.
KUSHTI
Përfundimi i marrëdhënieve në shërbimin civil, për shkak të ristrukturimit apo mbylljes së një institucioni, nuk lejohet, me përjashtim të rastit kur si pasojë e këtyre procedurave, ka shkurtim të numrit të përgjithshëm të nëpunësve civilë dhe
transferimi është i pamundur”
DORËHEQJA
“Nëpunësit civilë, të cilët janë larguar nga shërbimi civil si pasojë e dorëheqjes, kanë të drejtë që të konkurrojnë si nëpunës civilë për procedurat e lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë,
deri në 2 vjet pas përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil”
PROCEDURAT
Pranimi në institucionet e
pavarura dhe njësitë vendore
– Pranimi në kategorinë e nëpunësve civilë të lartë drejtues në institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore bëhet me konkurrim të organizuar për një apo disa pozicione të lira dhe është i hapur për nëpunësit civilë të kategorisë së
mesme drejtuese.
– Përjashtimisht, titullari/organi vendimmarrës i institucionit mund të vendosë që procedura e pranimit të jetë e hapur edhe për kandidatët e tjerë, jashtë shërbimit civil, që plotësojnë kërkesat specifike për pranimin në këtë kategori, por në asnjë rast ky numër nuk mund të jetë më shumë se 15% të numrit të
përgjithshëm të anëtarëve të kategorisë së lartë drejtuese për atë institucion.
– Çdo emërim i kategorisë së lartë drejtuese, në kundërshtim me
përcaktimet e bëra në këtë ligj, është absolutisht i pavlefshëm”.
KOMPENSIMI
Po kur mbyllet institucioni,
sa paga marrin shpërblim?
Nëpunësit që i përkasin institucionit që do të ristrukturohet apo mbyllet njoftohen 1 muaj përpara për fillimin e kësaj procedure dhe nëpunësi civil që largohet ka të drejtën e një dëmshpërblimi, në përputhje me vjetërsinë e tij në punë, sipas këtyre rasteve:
a)deri në një vit eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 1 muaji;
b)nga 1-3 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 3 muajve;
c)nga 3-6 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 6 muajve;
ç)nga 6-9 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 9 muajve;
d)mbi 9 vjet eksperiencë pune si nëpunës civil, paga e 12 muajve.
RRUGËT
Ç’duhet të bëjë ai që ndërpret
marrëdhënien e shërbimit civil?
Nëpunësit civilë, të cilët janë larguar nga shërbimi civil, si pasojë e ristrukturimit apo mbylljes së institucionit, kanë të drejtë që, brenda periudhës 2-vjeçare pas përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil:
a)të konkurrojnë si nëpunës civilë për procedurat e lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë;
b)të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse, me pëlqimin e tyre, në pozicione të shërbimit civil.
Efektet e pezullimit
– Në përfundim të afatit apo zhdukjes së shkakut të pezullimit, përveçse kur vendoset përfundimi i marrëdhënies së shërbimit civil, sipas këtij ligji, nëpunësi civil rikthehet në pozicionin e mëparshëm të punës ose në rast se pozicioni i mëparshëm është i plotësuar përfundimisht, ai transferohet në një vend tjetër të së njëjtës kategori. Në rast se kjo është e pamundur, nëpunësit regjistrohen në një listë, e cila administrohet nga njësia përgjegjëse. Ata qëndrojnë në këtë listë deri në sistemimin e tyre
në një pozicion të rregullt në shërbimin civil.
– Njësia përgjegjëse është e detyruar që në momentin e krijimit të një vendi të lirë në shërbimin civil, t’ia ofrojë fillimisht këtyre
nëpunësve civilë, që plotësojnë kriteret përkatëse, duke respektuar në çdo rast shkaqet e përmendura nga ky ligj, i cili në këtë rast zbatohet me ndryshimet përkatëse.
– Këta nëpunës civilë mund të emërohen përkohësisht me pëlqimin e tyre edhe për plotësimin e vendeve të lira, të krijuara në mënyrë të përkohshme. Njësia përgjegjëse në këtë rast bën emërimin e përkohshëm të këtyre nëpunësve.
– Në rastin e pezullimit për një afat deri në 3 muaj, pozicioni i mëparshëm i punës nuk plotësohet deri në përfundimin e pezullimit.
– Periudha e pezullimit, llogaritet si vjetërsi në shërbimin civil.
– Nëpunësi civil gjatë periudhës së pezullimit nuk përfiton pagë.
Rikthimet në punë, si zbatohen?
– Vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë zbatohen menjëherë nga njësia përgjegjëse.
– Nëse rikthimi i nëpunësve civilë në detyrë, është objektivisht i
pamundur, atëherë ata regjistrohen në një listë pritjeje deri në sistemimin e tyre në një pozicion të rregullt në shërbimin civil.
– Gjatë kohës së qëndrimit në listë, nëpunësit civilë paguhen sipas pozicionit të fundit që kanë pasur në shërbimin civil.
– Njësia përgjegjëse është e detyruar që në momentin e krijimit të një vendi të lirë në shërbimin civil, të emërojë, fillimisht, me pëlqimin e tyre, nëpunësit civilë të regjistruar në listë, sipas
kategorisë përkatëse dhe që plotësojnë kriteret e pozicionit të punës.
– Këta nëpunës, me pëlqimin e tyre, mund të sistemohen edhe për plotësimin e vendeve të lira, të krijuara në mënyrë të përkohshme. Njësia përgjegjëse në këtë rast bën emërimin e
përkohshëm të këtyre nëpunësve.