Sherif Merdani: Alida Hiskun e spiunoi burri
Këto ditë ajo ka rrëqethur opinion publik shqiptar. Para nesh, tronditi gjermanët, teksa ka publikuar librin autobiografik për vuajtjet në burgjet komuniste, ku thotë se gratë janë përdhunuar masivisht. Madje, duke i treguar me detaje abuzimet seksuale të të dënuarave.
Por, ndryshe nga Alida Hisku, një ish-koleg i saj i viteve ’70 që ka provuar burgun për gati dy dekada, Sherif Merdani, thotë që histori të tilla janë sajesa.
Duke folur për gazetën “Panorama”, këngëtari fitues i shumë çmimeve në festivalet e RTSH-së shprehet se “përdhunimet kanë qenë të pamundura, sepse edhe vetë ‘xhelatët’ e sistemit kishin frikë se mos dikush spiunonte dhe arrestoheshin e përfundonin njësoj në birucë.
E di shumë mirë që hetuesi, polici dhe prokurori kishin frikë nga njëri-tjetri”. Duke i konsideruar deklaratat e saj spekulative, Sherif Merdani madje vë në dyshim edhe burgosjen e Alida Hiskut.
Sipas tij, ajo ka qenë në internim, por nuk është dënuar me burg. “Ne të burgosurit politikë të gjithë e njohim njëri-tjetrin, e dimë për çfarë jemi akuzuar, sa vite burg kemi bërë dhe ku e kemi bërë. Kemi pasur shokë nëpër burgje. Le të dalë ndonjë femër dhe të thotë që e ka pasur Alidën shoqe në burg”, thotë këngëtari i njohur, ndërsa edhe për spiunazhin që iu bë ndaj ditarit të këngëtares, ka një tjetër version, që mund ta lexoni në intervistën e mëposhtme….
Alida Hisku ka trazuar këto ditë opinion shqiptar, pasi ka deklaruar se të gjitha të burgosurat janë përdhunuar gjatë sistemit komunist nga hetuesit, prokurorët, sigurimsat etj. A jeni në dijeni të këtyre ndodhive në burgjet e diktaturës?
Nuk janë aspak të vërteta, aq më tepër që të thuash “të gjitha të burgosurat janë përdhunuar”. Kjo ka qenë e pamundur, sepse edhe vetë “xhelatët” e sistemit kishin frikë se mos dikush spiunonte dhe arrestoheshin e përfundonin njësoj në birucë. E di shumë mirë që hetuesi, polici dhe prokurori kishin frikë nga njëri-tjetri. Për mua, deklaratat e Alidës janë aspak të vërteta dhe spekulative.
Po pse t’i ketë bërë këto deklarata, nëse nuk janë të vërteta?
Nuk e di. Kam dëgjuar se ka bërë një libër në gjermanisht dhe mbase i duheshin këto lloj historish për të pasur sukses atje.
Pra për efekt marketingu, të shesë librin?
Nëse nuk është kjo, atëherë i bie që ka ikur nga trutë… Por mendoj se e ka më tepër që të bëjë bujë me librin në Gjermani, se ata si popull kanë dëgjuar plot histori me fashizmin, por për komunizmin kanë dëgjuar më pak dhe janë “të etur” për rrëfime të tilla, të reja.
Megjithatë, janë deklarata të rënda për një grua, që të pranojë përdhunimin. Pak e vështirë për t’u besuar se i ka bërë veç për marketing libri…
Po çfarë të them tjetër. I bie pra që ka shkarë… Ju mund të pyesni shumë si unë, që kanë vuajtur hetuesinë dhe dekada në burg. Mund të pyesni dhe kolegët e mi të nderuar, avokat Spartak Ngjelën dhe publicistin Fatos Lubonja, që një gjë e tillë ishte krejt e pamundur.
Pse ishte e pamundur?
E kam cekur sot edhe në një prononcim mediatik, po jua përsëris dhe ju. Askush nuk e ka përdhunuar Alida Hiskun. E vetmja mënyrë që ata të kishin lidhje të tillë do mund të ishte nëse objekti (femra) i tyre do ishte e lirë dhe ata e përdornin për spiune. Në raste të tjera ishte krejtësisht e pamundur. Ato ruheshin dhe sipas kodit të brendshëm jepnin shpesh llogari. Me pak fjalë, e besoj plotësisht po ta kenë rrahur, dhe nëse e kanë lënë pa ngrënë, por një njeri si unë që ka qëndruar me vite në atë ferr dhe i njeh çdo qelizë, nuk e beson se ka pasur përdhunime masive.
A është e mundur që një i burgosur politik të mos mbajë mend emrat e persekutorëve të hetimit, siç thotë Alida Hisku?
Po, kjo është e mundur dhe në këtë pikë i jap të drejtë. E dini pse? Sepse që kur na fusnin në birucë, e kishim të qartë se nuk kishim mundësi negociate, mbrojtjeje. Gjithçka ishte e parashkruar dhe e vulosur. Nuk kishte rëndësi kush ishte prokurori. Madje për t’i zhvlerësuar, as nuk ua mësonim emrat.
A jeni në dijeni se për çfarë është burgosur Alida Hisku, sa vite burg ka bërë, pasi vetë nuk e ka deklaruar?
Nuk e ka deklaruar, sepse nuk ka bërë burg. Ajo ka qenë në internim, por nuk është dënuar me burg. Ne të burgosurit politikë të gjithë e njohim njëri-tjetrin, e dimë për çfarë jemi akuzuar, sa vite burg kemi bërë dhe ku e kemi bërë. Kemi pasur shokë nëpër burgje. Le të dalë ndonjë femër dhe të thotë që e ka pasur Alidën shoqe në burg.
Diçka ka ndodhur, pasi ajo e thotë me detaje se ka qenë në qelitë e Brrakës, nuk mund të jetë e gjitha një sajesë…
E vërteta është kjo dhe le ta dinë të gjithë: bashkëshorti i saj, një muzikant, i ka gjetur ditarin.
Ajo thotë se 3 artistë, vajza nga Vlora….
Jo, jo, ka qenë i shoqi. Alida vazhdonte studimet politike në atë kohë, ishte e zgjedhur edhe në Komitetin Qendror të Rinisë. Edhe babain e kishte funksionar të lartë të PPSH-së. Ajo pati privilegjin që të dilte jashtë shtetit që adoleshente dhe ishte shumë e privilegjuar. Kishte parë botë me sy dhe shkruante lloj-lloj gjërash në ditar. I shoqi, një ditë i ka lexuar ditarin, e mori dhe e spiunoi. Normal që është thirrur pastaj nga Komiteti Qendror, e kanë çuar në birucat e Brrakës për të hetuar, por që nuk ka bërë burg. Vetëm është internuar. Dhe në fund po e mbyll me një thënie. Aleksandri i Madh ka pasur mësues Aristotelin dhe në një episod i ka thënë: “E kam mik Platonin, por më shumë dua të Vërtetën”. Nuk më vjen aspak mirë që të komentoj ish-kolegët, por kjo është e vërteta!
ELISABETA ILNICA