Shfaqja e dhunës në Elbasan, përgjegjësit mbeten anonimë
Stadiumi
Ndeshja e javës së 13-të në Kategorinë Superiore, mes Elbasanit dhe Tiranës, riktheu skenat e dhunshme në stadiumet tona, që dihet se nuk i shërbejnë as futbollit, as ekipeve, as klubeve, dhe as vetë tifozëve, disa prej të cilëve përfunduan në pranga. Por në vend që të ndalen një herë e mirë të tilla skena, akuzat e organizatorëve se kush duhet ta mbajë përgjegjësinë, e bën edhe më qesharak situatën. Drejtori i stadiumit të Elbasanit, Dritan Kadia, deklaroi pas incidenteve, se policia ishte me pak forca dhe ka ndërhyrë me vonesë për të neutralizuar konfliktin. – “Nisi si një përrallë dhe përfundoi në një tragjedi. Masat ishin marrë nga të gjithë deri në momentin kur ndodhën ato që u panë në stadium. Bilanci është i paimagjinueshëm për një stadium të tillë, ku është punuar me pasion për të kënaqur tifozët me gjithçka që ofrohet. Përfundimi është i hidhur, është dëmtuar fusha, sistemi Led, stolat. Nuk mund të themi sesa kushton, pasi dëmi është më i madh, 10, 100 herë më i madh. Le të jetë ky një mësim dhe të mos ndodhin gjëra të tilla. Është dëmtim imazhi dhe çështje ekonomike. Shpenzimet për këtë stadium janë të mëdha dhe është një dëmtim moral më shumë” – theksoi ai. – “Mund të konsiderohet si neglizhencë. Ajo që shihet nuk ka nevojë për komente. Ne kemi parë tifozët si shkojnë drejt njëri-tjetrit pa u penguar nga forcat e sigurisë në të cilat bëjnë pjesë edhe policët”. Sipas tij, janë shkatërruar 126 stola dhe se tani të gjithë dëmin e shkaktuar në stadiumin e ri do ta paguajë klubi, i cili shkaktoi konfliktin. Por ai nuk tha se cili është klubi konkret, pasi në raste të tilla, po të kemi parasysh ndeshjen Serbi-Shqipëri, nëBeograd, ishte një organ kompotenet shumë herë më i lartë dhe i besueshëm në anën ndërkombëtare se ato shqiptare, si UEFA, që na bëri ne “përgjegjës”, edhe pse pa tifozë, më shumë se serbët. Megjithatë, huliganizmin serbët dëmtuan lojtarët tanë, dhe jo stadiumin e tyre. Në stadiumin e Elbasanit, u investuan gjatë këtij viti rreth 5 mln euro dhe kjo ngjarje përveç dëmit ekonomik ka lënë edhe pasoja imazhi. UEFA monitoron gjithçka ndodh në Europë dhe kjo ngjarje ndodh vetëm pak ditë, para se të merret vendimi i Komisionit të Apelit, në një kohë kur Serbia do të luajë ndeshjen e kthimit në tetorin e vitit të ardhshëm, në të njëjtin stadium.
Policia
Pas pretendimit të drejtorit të stadiumit, se policia e Elbasanit nuk ishte në lartësinë e duhur gjatë ndeshjes, ka reguar kreu i Drejtorisë së policisë së këtij qarku, Neritan Nallbati. Ai tha ditën e djeshme se tifozëria vendase e ka sharë atë mike, dhe më pas këta të fundit i janë përgjigjur, duke shkaktuar edhe incidentet. – “U hartua plani konkret me detyra të përcaktuara, me 95 policë. Nga istruktrazhi u është bërë kontrolli fizik tifozëve. Para takimit kemi bërë takim me trajnerët e ekipeve. Tifozëria mike ishin rreth 1500 vetë, ndërsa tifozat vendas 3000 vetë. Rreth min 73’ tifozëria vendase shan tifozerinë mike, kurse kjo e fundit iu përgjigj. Ndërsa policia zbrapsi tifozerinë në vendet e tyre. Deri në këto momente janë shoqëruar 6 persona për këto incidente, ku nëpërmjet kamerave të sigurisë do të ketë të tjera arrestime.” Pavarësisht se mund të ketë të arrestuar të tjerë, për të ndalur shfaqje të tilla, kërkohen masa konrete nga autoritetet e vendit. Bota e zhvilluar i ka ndërtuar me kohë modelet, Shqipërisë i mbetet t’i kopjojë ato. Duhen thjesht njerëz të aftë dhe dëshirë për t’i implementuar. Anglia, e zhduku një herë e mirë huliganizmin nga stadiumet e saj, duke iu ndalur një herë e mirë tifozëve problematikë, qoftë edhe në rrugë, futjen në stadiume.
A. Muraçi