Shija e tjetrit

Nga Majlinda Bushja

Shoqëritë në shumë vende të botës në thelbin e vet janë të prirura drejt respektimit të të drejtave të njeriut. Ky është një kusht i domosdoshëm për sa kohë respektimi i tjetrit është kthyer në ligj. Megjithatë, ka një kontrast të thellë midis asaj që thuhet dhe asaj që ndodh në realitet, pasi ekzistojnë një sërë arsyesh që tjetërsojnë realitetin në çdo kohë e në çdo vend. Që në momentin, që bota është krijuar për të mos qenë ideale, është arsye, që tregon për mos zbatimin me përpikmëri të të drejtave të njeriut, e ku toleranca lëkundet mes fanatikëve të mendimit dhe liberalëve pa kufi. Ndërkohë që, është toleranca, ajo, që lejon të jetojmë në harmoni megjithëse, jemi të ndryshëm në bindje dhe këndvështrimi me të cilin shohim botën. Të jesh tolerant do të thotë të respektosh të drejtat e tjetrit, po aq sa tjetri të respektoj të drejtat e tua. Mirëpo brenda qenies njerëzore ekziston një egoizëm i thellë që e pengon, atë, ta njoh tjetrin dhe ta pranoj me dimesionet që ai ka dhe që i pëlqen të jetojë. Sa më i thellë të jetë ndryshimi, aq më i vështirë është pranimi i tjetrit, i cili bëhet shkak për konflikte afatgjata që mbesin pa zgjidhje, apo gjejnë zgjidhje afatshkutra që nuk japin efektin e dëshiruar. Tendenca për të pasur më shumë hapësirë për veten e vështirëson marrëdhënien e individit në shoqëri, po aq sa vështirëson marrëdhëniet midis shoqërive të ndryshme, të cilat mes një konflikti të tillë nuk i lënë njëra-tjetrës hapësirën e domosdoshme të harmonisë. Dhe sa herë mungon paqja pas saj fshihet intoleranca, që shfaqet me mënyrat e saj tronditëse, duke lënë fjalëpak opinionin publik. Në të vërtetë, flitet shumë në botë për tolerancën që në ditët e sotme. pranohet me vështirësi nga të gjithë shoqëritë, përndryshe nuk do të kishim luftëra të vazhdueshme, sidomos ato fetare që gjithmonë e më shumë po njohin rritje. Të pranosh tjetrin, është po aq e vështirë sa të pranosh të kundërtën tënde. Prandaj, sakrifica për të qenë tolerant e bën individin të jetë nën presionin e vazhdueshëm të forcave që vijnë nga jashtë e që ndikojnë jetën e tij pashmangshmërisht. Ndaj, ideja për të qenë tolerant me tjetrin është më shumë rrjedhojë e një arsyetimi korrektë, sesa një dëshirë e natyrshme. Të jesh tolerant, për të jetuar në paqe.

U bënë disa muaj me radhë që kur ka nisur lufta e përgjakshme e ISIS në Irak dhe Siri, ku shumë njerëz të pafajshëm pse u përkasin besimeve të tjera fetare kanë gjetur vdekjen. Një demonstrim i qartë i mungesës së tolerancës. E kjo nuk është diçka e vogël përsa kohë ka alarmuar shtetet më të fuqishme të botës. Por së fundi, një valë protestash anti-islam dhe pro tij, ka përfshirë disa qytete të Gjermanisë. Mijëra protestues vërshuan në qytete të ndryshme të Gjermanisë për këtë shkak duke hedhur parulla si “Kundër fanatizmit të besimit”, “Ne jemi populli”, “Të huajt jashtë”. Frika për islamizimin e Europës ka mbërthyer shumë qytetar të cilët nuk munden dot të jenë tolerant, me atë që jeton duke e parë botën në një këndvështrim tjetër nga i veti. Por pa kaluar shumë ditë nga kjo protestë ndodhi masakra me gazetarët e revistës satirike  franceze “Charlie Hobdie”. Një lajm i tillë nuk tronditi vetëm Francën, por mbarë opinionin publik që e dëgjoi. Frika nga terrorizmi sot është më e dukshme dhe e prekshme se kurrë, dhe kjo vetëm për shkak të mungesës së tolerancës dhe dëshirës së mirë për të jetuar në harmoni. Në të tilla kushte, më e vështira është të pranosh se ekziston e vështira, por jo për të vënë në vështirësi, por për të treguar se jemi të ndryshëm mes nesh në arsyetimin dhe qëndrimin tonë. Është e thjeshtë për t’u kuptuar që sa herë pranojmë kulturën e tjetrit është i pashmangshëm ndikimi i tij dhe sa herë të tjerët pranojnë kulturën tonë është i pashmangshëm ndikimi ynë. Dhe është pikërisht ky ndikim që na tjetërson qoftë si individ, apo qoftë si shoqëri duke vënë në dilemë se çfarë duhet të pranojmë ne, dhe çfarë duhet të pranojmë si të drejtë nisur nga vullneti i tjerëve. Në këtë situatë një gjë është e sigurtë, nëse nuk pranojmë të kundërtën tonë përveçse do të kemi tensione të vazhdueshme nuk do mundim dot të ndalim luftën që do të prodhojë një shoqëri multikulturore. Çdo shoqëri, midis paqes dhe luftës është e prirur të zgjedh të parën, por çdo zgjedhje e detyron atë të heq dorë nga egoja për të sunduar. Pasi, të pranosh tjetrin është një detyrim që rrjedh nga nevoja për të jetuar në harmoni.

Në Shqipëri në mënyrë të vazhdueshme është folur për tolerancën fetare dhe bashkëjetesën e besimeve të ndryshme fetare në harmoni. Madje shpesh me të drejtë harmonia fetare është konsideruar si shenjë uniteti. Jemi munduar shpesh të jemi shembull për t’u ndjekur në sytë e atyre që shpesh nuk na shohin me sy të mirë nëpër Evropë. Por, a jemi tolerant me të vërtetë ne shqiptarët? Realisht politika ka treguar të kundërtën, ku mungesa e tolerancës është bërë shkaku i ngecjes së progresit në shumë aspekte të jetës në vend. Aq të tendosura kanë qenë marrëdhëniet në politikë sa shpesh janë vendosur epitete duke e konsideruar Shqipërinë një vend ende në tranzicion. Shqipëria është konsideruar gjithmonë një vend me demokraci të brishtë ku tranzicioni nuk ka fund, e që me sa duket fundi do t’i përkas një të ardhme të largët. 

SHKARKO APP