Shkarkimet e ministrave? Deputeti Tomor Alizoti: Brenda PS ka luftë të hapur!
Deputeti i PD-së, Tomor Alizoti ka komentuar valën e fundit të shkarkimeve në qeveri, përfshirë edhe largimin e Belinda Ballukut, ndaj së cilës SPAK ka kërkuar arrestimin. Alizoti u ndal te reagimi ndërkombëtar, duke theksuar rolin e Gjermanisë në proceset që lidhen me Shqipërinë.
“Gjermania ka pasur një skepticizëm për Shqipërinë, por e ka mbështetur. Por kjo lloj vizite ka qenë radikale ndaj Ramës. Ata nuk mund ta pranojnë që të mos hiqet imuniteti për numrin dy të qeverisë, Belinda Ballukun”, u shpreh Alizoti.
Për të çështja e imunitetit të Ballukut përbën një provë serioze për qeverinë dhe për raportin e saj me partnerët ndërkombëtarë. I pyetur për shkarkimin e ministrave Pirro Vengu dhe Elisa Spiropali, deputeti demokrat foli për tensione të brendshme në Partinë Socialiste.
“Brenda PS ka një luftë dhe është e dukshme. Iu drejtova një kolegu të PS në Parlament kur u miratua qeveria dhe i thashë: a ka mundësi nga të gjithë sa jeni ju të abstenojë dikush, sepse janë figura jo politike. Politika është të garojmë”, deklaroi Alizoti. Sipas tij, lëvizjet e fundit në kabinet tregojnë jo vetëm presion të jashtëm, por edhe përçarje të brendshme brenda mazhorancës.
KOHA JONË SONDAZH

