Shkrimi i plotë i “La Stampa” për Visar Zhitin
Visar Zhiti, nga burgu i regjimit tek diplomacia për vendin demokratik.
Tani, dikush nuk e dëshiron ambasador në Vatikan
Nga Luigi La Spina, "La Stampa"
Kjo histori ka ndaluar mbi një kryq të pabesë, atij mes politikës, fesë dhe poezisë. Po, sepse protagonisti është një nga poetët më të rëndësishëm shqiptarë. Visar Zhiti është biri i një poeti, Hekuranit, aktor dhe dramaturg gjithashtu, i bezdisshëm për regjimin e pamëshirshëm komunist të Enver Hoxhës, deri në pikën e mbylljes në burg ku edhe vdiq. Visari ndoqi gjurmët e të atit të cilat e çuan më 1979, në të njëjtin destinacion: në një qelizë dy metra me tre metra dhe pastaj në kampet e përqëndrimit e punës së detyruar në miniera. I dënuar me dhjetë vjet prej gjykimit fars të zakonshëm, gjatë së cilës prokuroria e kritikoi atë për shkrimin e vargjeve shumë hermetike, e për rrjedhojë të trishtuara dhe në kundërshtim me kanonet e realizmit socialist. Visari kishte më shumë fat se i ati. Rënia e regjimit të Hoxhës hapi pas shtatë vitesh dyert e burgut, por edhe dyert e perëndimit, të parajsës së lirisë dhe mirëqenies. Aromën e lirisë e shijoi menjëherë, sepse poezitë e tij u botuan dhe u përkthyen si në Shqipëri ashtu edhe në shumë vende evropiane dhe Shtetet e Bashkuara. Atë të mirëqenies, shumë më pak, sepse pasi u zhvendos në Itali, jetoi në varfëri me ndihmën e miqve lexues të cilët i vlerësuan menjëherë poezitë e tij, si dhe me të ardhurat e disa përkthimeve. Më në fund, qeveria e re demokratike i njohu meritat e tij dhe e emëroi atë më 1995 këshilltar kulturor dhe zëvendës ambasador i Shqipërisë në Romë.
Në Romë
Ato pesë vite në kryeqytetin tonë ishin ç’intoksikuese për Visarin, sepse pjesëmarrja në botën letrare të Romës i zgjeroi jashtëzakonisht referencat kulturore të poezisë së tij. Zhiti publikoi kështu më 1997 mbledhjen e tij të parë me poezi, “Kryqi i mishit” dhe menjëherë më pas të dytën, “Rrëfimi pa altarë”, që patën sukses të menjëhershëm. Kthimi në Tiranë ishte po aq i lumtur, jo vetëm për shkak se ai u emërua Ministër i Kulturës, por edhe sepse takoi gruan e jetës së tij, Edën me të cilën u martua dhe i dha një djalë, Atjonin. Jeta e Visarit, i cili ndërkohë botoi edhe një roman shumë të bukur, përkthyer së fundmi në Itali nga RUBBETTINO me titullin “Vizionari me krahë dhe gruaja e ndaluar”, një pasqyrë autobiografike e tradhëtive që Europa kreu përballë Shqipërisë së çliruar nga diktatura, që duket kështu një udhëtim në shtigjet e një qetësie të shpresuar familjare dhe një shpagim i merituar letrar. Veçse poezia, kur bie ndesh me fenë, përveçse me politikën, duket se befas është e shtërnguar të ndalet. Joja e peshkopit Gjithçka ndodhi brenda dy javësh. Kryeministri shqiptar Edi Rama propozon emërimin e Zhitit si ambasador pranë Selisë së Shenjtë. Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, fillon të vijojë procedurën komplekse me Vatikanin, kur mbërrin një ndal shumë e habitshme. Ndihmëspeshkopi i Tiranës dhe Durrësit, George Freddo, në një intervistë me gazetën Gazeta Shqiptare, thotë se ai e kundërshton emërimin, sepse Visari është mysliman dhe jo katolik. Injoron në fakt se Zhiti, gjatë viteve të tij të burgut, ishte konvertuar fshehurazi në katolik. Por injoron ose bën sikur i shpëton edhe mesazhi që në shtator 2014 Papa Françesku kishte përçuar në sheshin e Nënë Terezës gjatë vizitës së tij në Tiranë. Papa, në fakt e kishte motivuar udhëtimin e tij në Shqipëri me dy arsye: homazh për “shembullin e jashtëzakonshëm të bashkëjetesës fetare paqësore” të ofruar nga ky vend dhe për ”rezistencën heroike të komunitetit katolik gjatë diktaturës komuniste” që në kushtetutën e tij e kish të imponuar ateizmin si besim Shteti, e për rrjedhojë edhe deklarimi si besimtar, përbënte shkelje të ligjit. Presidenti armiqësor Intervista e Peshkopit Freddo mund edhe të konsiderohej si një gafë, pasi ajo u pasua me një saktësim të sikletshëm, që në të vërtetë ngjante më shumë si një tërheqje. Mëkat ama, që është kapur nga armiqtë pak ose shumë të fshehur të Visarit, si një mundësi providenciale për të bllokuar emërimin e tij në Selinë e Shenjtë. Ndërkohë, Parlamenti shqiptar, me një rezolutë unanime, të nënshkruar si nga mazhoranca qeverisëse, ashtu edhe opozita, manifeston konsensusin për poetin edhe me arsyetimin se prania e tij si ambasador në Vatikan do të ishte e dobishme për të “afirmuar vlerat e shtetit laik.” Nunci Apostolik, gjithashtu paralajmëron pëlqimin e sigurt për emërimin, por është Presidenti shqiptar Bujar Nishani, që do të kryesojë grupin e atyre që duan të pengojnë kthimin në Romë, në bregun tjetër të Tiber Versionet e kësaj armiqësie, natyrisht janë të ndryshme. Më dashamirësja flet për zhgënjimin e Nishanit mbi anashkalimin që i është bërë nga kryeministri lidhur me vendimin për Visarin, ndërsa ndoshta më themelori zbulon një prapaskenë që nuk e justifikon opozitën presidenciale për vetëm një plagë në krenarinë hierarkike, por tregon për një paragjykim të lashtë negativ kundër një poeti rebel, apo ishrebel. Nishani, në fakt, në kohën e regjimit të Hoxhës, ishte një zyrtar i ushtrisë dhe ndoshta, është e kaluara e tij që frenon entuziazmin për emërimin që do të shpërblente një intelektual i cili nuk do të ishte i gatshëm të plotësonte në mënyrë pasive dëshirat e pushtetit, kushdo qoftë ai. Hija e regjimit të vjetër pra, duket se e ndjek Visar Zhitin pa shpëtim, siç ishte së fundmi fati i keq në lumturinë e familjes së tij. Dy muaj më parë, djali i dashur Atjon, student në Universitetin Katolik të Milanos, kthehet për një pushim të shkurtër në Tiranë. Por, sapo mbërrin në Shqipëri, buzëqeshja e tij shuhet përgjithmonë në ndenjëse e një motorri, në një aksident të tmerrshëm. *Visar Zhiti, 62 vjet, është një poet i shquar shqiptar. Puna e tij ka rrjedhur paralel me historinë bashkëkohore të Shqipërisë: ka kaluar nga burgjet komuniste tek diplomacia e vendit të kthyer në demokratik.