Shkurt

Nga Thoma Goga -Ta dini mirë; është e vetmja fjalë që SHKURT shkruhet dhe SHKURT lexohet. Dhe jo si ajo fjala tjetër që NDRYSHE  shkruhet dhe  NDRYSHE  lexohet. Ama unë, megjithëse jam ca i shkurtër, do “rrekem” pak më gjatë me  kuptimin e fjalës  “shkurt”. Po, është e vërtetë se kështu quhet muaji më i shkurtër i vitit. Kështu mendoni dhe ju? Mos u nxitoni se dikush ka thyer  “rekordin” në një kompani shtetërore. Ai  “këputej” ditë e natë në punë. Kur  bënte dietat, “harronte”  i ziu; edhe shkurtin e “zgjaste” me 31 ditë. Anekdota me spec se “në cilin muaj gratë  dhe politikanët flasin më pak”, ka vetëm një përgjigje: SHKURT. Kam njohur dikur një pijetar të klasit të parë. Shpirtin dhe fjalën e kishte  flori. Vetëm ajo dreq raki e bëri mavri. Midis ca “të fortave” ka lënë edhe këtë. Atëherë në kohën e zboreve, shkoj shumë vonë në repart. Komandanti  i kërkoi llogari:

– Pse erdhe vonë?

– E di si është puna, shoku ko …kumandant, – u përgjigj zboristi me gjuhën e trashë.- Sa dola në rrugë Hajdari  më dha një dopio raki se kishte shitur dhinë. Pastaj Bakua s’më la pa qerasur  se kishte urim. Ishte ndarë nga e shoqja…Thuaj dy!

– Ore s’më interesojnë këto. Bjeri  shkurt; pse erdhe vonë?

– Duro, o kumandar, apo je shtatanik.  Shkurt i rashë dhe unë. Nga Qafa e Koshovicës, në Levan, në Novosterr (e kishte për Novoselë). Këtu u furnizova se më mbaroi “karburanti”…

– Bjeri shkurt, të thashë!

– Shkurt i rashë; dy dopio një kafe, se po t’i  bija gjatë, pasnesër vija këtu.

– Po pastaj?

– Pastaj erdhi Napajaja (e kishte për Panaja).

– Nuk e njoh, po bjeri shkurt se na lodhe!

– Po deshe, hajde bjeri ti më shkurt. Dhe mos u lodh o kumandar, se nuk lufton dot me armikun…Ore, meqë ra llafi, di gjë kur do vijë armiku, se s’më plasi fare?

Kjo ngjarje e vogël, por reale,  më shtyu që të  “gërmoj” fakte të tjera.

Në kohën e monizmit ka qenë një VKM. Është “Vendim i Këshillit të Ministrave”, po se mos e merrni si shkurtim  të “vëri kapak muhabetit”. Ky VKM, që thoni ju, përcaktonte qartë se cilat fjalë duheshin përdorur me shkurtim. Ishte një lloj kodi që qytetarët dhe zyrtarët, në komunikimin e tyre gojor e shkresor, të merreshin vesh. Dhe në këtë mënyrë gjuha, që është mjeti kryesor i komunikimit, i pranonte këto lloj shkurtimesh. Aq më tepër kur këto t’i detyronte shteti. Shkurtimet janë përdorur edhe në kohën e luftës si fjala vjen, VF-LP që e dinë dhe kalamajtë se ç’do të thotë. Por, për “t’i hedhur hi syve  armikut”, thuhej edhe “vëri festen letërprurësit”. Ky ishte shkurtim nga halli. Edhe një kolegu ynë i nderuar, që  komentonte parakalimet festive në bulevardin e madh të Tiranës, kishte shkruar në bllokun e tij fjalën PILAF. Kur e pyetën shokët se çfarë do të thoshte, ai hazërxhevap u tha: “Parakalon Instituti i Lartë i Arteve Figurative”. Edhe këtij i thonë shkurtim nga halli.

  Le të shohim dy shkurtime, që brenda tyre nuk kanë ngjyrime politike. Ja të marrim fjalën SMT, që ishte “Stacioni Makinave e Traktorëve”, ose UMB, që ishte “Uzina Mekanike Bujqësore”.

Tani në demokraci, me fjalën e parë “mburrej” një  grua se e kishte dhëndrin në partinë e SMT-së. Mbase do ketë dalë ndonjë parti e re që nuk e dimë ne. Kurse një burrë, duke pyetur, kërkonte  shtëpinë e mikut të tij afër UMB. Qytetari që u pyet, në vend që ta çonte tek një universitet privat, ia “preu biletën” për te uzina e Ministrisë së Brendshme. Kështu është kur ngatërrohen kodet…

Akoma më keq tani kur nëpër rrjetet sociale çfarë nuk shohim e çfarë nuk lexojmë. Ca shkurtime janë shthurur e ca të tjerë janë sofistikuar. Ju i gjeni vetë, se  jeni të zgjuar, por dua të përmend disa:

– KLSH : E di se e dini; Kontrolli i Lartë i Shtetit. Po mos u nxitoni, se me kod konspirativ, një burrë i thoshte ortakut të tij: “kalo lart sepeten me hashash”.

– KQZ:  Kështu një shok i shkruante  shokut të vetë, si për t’i thënë: “kërkon qiqra  zotrote”. Ai i shkreti  i kishte kërkuar vetëm punë…

– TDSH: I shkroi  në një sms i shoqi të shoqes, në kuptimin “të dua shumë”. Pa iu kthye ajo që e “përktheu: “të dalt shpirti”. Dhe u zu i shoqi me të shoqen, se e shoqja dyshoi pse i shoqi e mallkoi. Akoma më keq, i shkoi mendja se i shoqi kishte një shoqe tjetër. Fundin e kuptoni vetë; u nda i shoqi me të shoqen. “Rroftë sebepi”,  tha edhe e shoqja që  fërkoi duart, se prej kohësh na e kishte një “shoq rezervë”…Dhe me këtë sms familja shkoi në të sëmës…

       Kurse shkurtimin e fundit do ta përdor si kuitz:  TKLSH – Kush e gjen do ta përshëndes më këngën “Të ka Lali shpirt”…

Dhe unë tani po i bie më shkurt  me një VKM , po këtë herë në kuptimin  që t’i  “vë  kapak muhabetit”. Dhe i vura kapak me shkurtimin më të ri: K – Kaq.

SHKARKO APP