‘Shoqata e Bashkiakëve të Vdekur’: O Kapiten, Kapiteni im!

 

Nga Alfred Lela

Erion Veliaj, kandidati i majtë për Tiranën, ishte i pari që e futi në leksikun politik të muajit fjalën ‘kapiten’. Duke ia atribuuar shefit të tij, Edi Ramës. Në një formë a tjetër, kapiteni si stilemë është marrë e lënë, thënë e përsëritur, anekënd Shqipërisë që nga Dako i Durrësit e deri te Roshi i Kavajës. Me shokë e shoqe.

Ideja që fshihet pas kësaj përsëritjeje nuk është e paqëllimtë. Edhe pse fsheh një taktikë servilizmi, ka brenda edhe një strategji të propagandës apo të marrëdhënieve publike.

Kandidatët duan t’i thonë Ramës ‘nuk ta kemi harruar që ti na ke zgjedhur ne dhe të jemi besnikë’. Kjo është taktika.

Ana tjetër e medaljes fsheh strategjinë dhe i drejtohet publikut: po të na votoni ne, keni votuar Ramën; keni votuar partinë e fortë; keni votuar fondet dhe projektet. Pra, votoni për ne, lyejeni rrotën!

Ka edhe një racë tjetër këngëtarësh të kësaj tallavaje me refrenin ‘kapiten, o t’morsha t’ligat’. Janë kandidatët e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ata fusin në këtë ‘shpëtim’ që do t’i vijë popullit pas 21 qershorit, nëse votohen, edhe ‘vllanë’ tjetër me pushtet, Ilir Metën.

Pashk Tusha i Lezhës për shembull, por edhe ndonjë tjetër, dëgjohen tek përsërisin ‘kemi Ramën e Metën me vete”.

Ku është marrë ky motiv jopolitik që përsërisin kandidatët e majtë për bashkitë e vendit? Erion Veliaj e ka marrë nga një film i fëmijërisë apo adoleshencës së vet ‘Dead Poet’s Society’. Është një varg i poetit amerikan Walt Whitman nga një elegji që i kushtohet presidentit të vdekur, Abraham Lincoln. Këto vargje Profesori i filmit ua reciton studentëve dhe më pas ata ia recitojnë atij kur drejtuesit e kolegjit e detyrojnë të largohet nga shkolla pas një vargu ngjarjesh që prishin qetësinë konservatore të një kampusi amerikan tipik.

Analiza e thelbit të filmit, pra e profesorit atipik që ‘thërrmon’ konservatoren e kolegjit amerikan, apo dhe dalja nga klishetë e mësimdhënies, mund të hidhte disi dritë edhe mbi format e qeverisjes. Po të marrim për shembull Ramën, shefin e qeverisë shqiptare, si profesorin atipik të filmit ‘Poetët e vdekur’.

Objektivi i kameras duhet hedhur megjithatë mbi kandidatët, pra mbi studentët e profesorit Rama. A nuk provon një ndjesi pafuqie e pazotësie, një varësi, një kushtëzim, një aprofesionalizëm, lënia e vetes në duart e kryeministrit.

“Kemi Ramën e Metën për këto gjëra”, ngjan e pacipë si ofertë elektorale dhe naive si konceptim i pushtetit. I ngjan shumë asaj formulës së vjetër ‘I di Enveri këto punë’. Dorëzim i cili paradoksalisht, më vonë kur punët shkuan për mut, u shndërrua në ‘eh, nuk e dinte Enveri, se po ta dinte ai…”.

A jemi duke kërkuar shpirtin e Enverit, omnipotencën e tij, në këto zgjedhje vendore, apo një pushtet të dytë që bashkëpunon me qendrorin, por merret me punët e veta, i di çfarë punësh ka dhe punon me komunitetin e partnerë të tjerë për to.

Është e çuditshme se si Rama dhe të tijtë operojnë në poezi edhe kur janë në pushtet. Pushteti flet në prozë, opozita mund të flasë në poezi.

Proza është industri e rëndë, me sa duket. Ose e dinë veten ende në opozitë.

Mapo

SHKARKO APP