Shoqëri në degradim: Sekserë edhe për të vdekurit
Nga Mentor Kikia –
Në Shqipëri ka sekserë që të ndihmojnë të fillosh punë, të fitosh një tender, të marrësh një leje ndërtimi, të marrësh provimet pa mësuar… Janë ata, ndërmjetësit, që paguhen për të negociuar mes atij që ka “mallin” dhe atij që ka “paranë”. Por profesioni i sekserit është fututr së fundmi edhe në shërbimin funeral.
Fotoja tregon një zyrë funerali, e cila përkundër këtij fenomeni, më tragjik edhe se vetë vdekja, ka reklamuar se punon pa sekser. Padyshim që shërbimi funeral është një biznes, por gjetja e “klientelës” është një luftë më vete, për shkak të konkurencës së madhe. Vetëm në Shqipëri ndodh që spitalet të jenë rrethuar nga kaq shumë farmaci dhe agjenci funerali, që ndodhen ngjitur njëra me tjetrën, si për tu kujtuar njerëzve që jeta dhe vdekja janë fare pranë. Sekserët e të vdekurve paguhen nga agjencitë e funeralit për të informuar të parët se kush vdes dhe për të kapur “klientin”. Ata rrinë nëpër korridoret e spitaleve, pas dyerve të reanimacionit, dhe sapo dikush vdes, vrapojnë ti ofrojnë të afërmëve, që ende s’e kanë mësuar mirë lajmin e hidhur, shërbimin e varrimit. Ata paguajnë infermieret, që sapo dikush ndërron jetë, të njftojë më parë funeralin sesa shefin e pavionit. Në QSUT, dy-tre vjet më parë sekserët nxorrën armët në spital sepse u zunë kush do të merrte më parë të vdekurin.
Ndaj e veçova këtë fotografi. Pronari i këtij funerali, ndërsa reklamon çmimet më të lira, është detyruar të identifikohet që vepron pa sekser. Pra nuk lutet pas derës së reanimacionit: Ishalla po vdes ai që ka një javë që rri shtrirë aty!