“Shoqëria e birëkurvizmit” në sektorin universitar, turpi dhe shkenca
Do të kishte qenë anomali sikur “shoqëria e birëkurvizmit” të mos ishte shtrirë edhe në sektorin universitar. Për të njëjtat ligjësi, studenti kopjon, pedagogu merr ryshfet ose bën sikur jep mësim, studiuesi merr pjesë në një konferencë në 10 kumtesa. Asnjë nuk ka turp dhe të gjithë janë thjesht të shkathët, sepse lëvizin sipas kushteve të sistemit
‘Kërkimi dhe edukimi – sfidat drejt së ardhmes’ emërtohej konferenca e organizuar nga Universiteti i Shkodrës në bashkëpunim me Universitetin për Biznes dhe Teknologji (Kosovë) në dt. 23-24 tetor. Vështirë t’i hiqet ndonjë presje konstatimit të Fatos Tarifës:
“Qysh nga momenti kur vura re se programi i konferencës përmbante disa qindra kumtesa (saktësisht 567 të tilla), të përgatitura nga një numër dy-tri herë më i madh autorësh e bashkautorësh (kryesisht pedagogë që kërkojnë marrjen e gradës “Doktor” në shkenca ose titujt “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”, si dhe studentë në kërkim të gradës doktorale), kuptova se konferenca në fjalë mund të ishte çdo gjë, veç jo një konferencë shkencore dhe, aq më pak, një konferencë ndërkombëtare.”
Tarifa vijon pastaj me një kritikë plot ilustrime, që pretendon vendosjen e sistemin në shënjestër. Sistemi aktual i detyron doktorantët të paguajnë nga xhepi shuma jo të pa konsiderueshme për ta vuajtur deri në palcë kalvarin e karrierës akademike në këtë vend. Ai i shtyn drejt studimeve groteske, që prodhojnë vetëm numra studimesh e jo studime. Edhe më katastrofike është situata e atyre që këtë fazë e kanë kaluar, sepse për vend pune ose për ngjitje në karrierë duhet edhe ata të prodhojnë studime, të cilat, për mënyrën e funksionimit të kontekstit shqiptar në të gjitha hallkat, fatkeqësisht degjenerojnë në numra pjesëmarrjesh e çertifikatash.
Për ta thënë me fjalët e Tarifës, ky handikap ka prodhuar një “koktej sëmundjesh të rënda e kronike, si diletantizmi, plagjiarizmi, fiktiviteti, klientelizmi e favoritizmi, çfarë e kanë lënë dekada pas modernizimin e arsimit të lartë dhe kërkimin e mirëfilltë shkencor”. Mund të zgjatemi në analiza të pafund, por pyetja është përherë ajo që ka shtruar sociologu: “ç’duhet bërë?”. Përgjigja e tij është po aq koncize: “e vetmja mënyrë për të filluar kurimin e këtyre sëmundjeve është respektimi i standardeve dhe i kërkesave rigoroze për veprimtari të vërtetë bashkëkohore në fushën e arsimit të lartë e të shkencës dhe për marrjen e gradave e të titujve akademikë”.
Kjo zgjidhje, e vagullt dhe mekanike, lë sërish në këmbë sistemin ose, më saktë, një pjesë të tijën, atë pra që nga brenda e me këto mekanizma është doktoruar e profesoruar dhe tani pretendon se ka tagrin e autoritetit të kontrollit mbi respektin. Tingëllon njëlloj me fjalët e Tancredi-t në Il Gattopardo: “nëse duam që gjithçka të qëndrojë siç është, duhet që gjithçka të ndryshojë”. Megjithëse ironia e Giuseppe Tomasi di Lampedusa i adresohej Italisë që po lindte, ajo është aktuale për shumë realitete në kapërcyell, siç ishte dhe vazhdon të jetë Shqipëria e pas ’90, ku për të mos ndryshuar pushteti ndryshohet kostumi.
‘Respektimi i standardeve’ kërkon njerëz. Të njëjtit njerëz që i kanë vendosur e ushqyer standardet e stekës dhe kanë lejuar degradimin aktual janë ilustrim më se i mjaftueshëm i mundësisë së evazionit të rregullit. Ka qenë pikërisht pretendimi për të rritur standardet e kërkimit shkencor në Shqipëri që ka prodhuar këtë parodi. Për aq sa mund të vendosen kritere rreth kërkimit shkencor, ato nuk i zëvendësojnë dot kriteret personale ose shoqërore të vlerësimit.
Një ndër mangësitë themelore të kërkimit shkencor në Shqipëri është mendimi kritiko-analitik, i cili gjeneron debat akademik ose minimumi etikë të tillë, që natyrisht mundësohet (dhe vetvetiu prodhon) nga një klimë lirie e meritokracie, dy gjëra pothuajse tërësisht të huaja për realitetin ku jetojmë, përderisa studenti shqiptar stërvitet që nxënës me autoritarizëm. Parimi ‘mësuesi është një mësim para nxënësit’, e kësisoj autoritet i padiskutueshëm i dijes, aplikohet edhe në rangjet më të larta të akademizmit, ku garohet mes kolegësh dhe ku në kushte të barabarta juridiko- administrative autori i dy librave beson se ka autoritet intelektual mbi autorin e vetëm një libri (njësitë diferencuese mund të jenë nga më të ndryshmet), duke vendosur si kriter sasinë e jo cilësinë. Ndërsa ajo çka studiuesi shqiptar përgjithësisht nëpërkëmb është turpi, që në zhargonin e përditshëm quhet fytyrë. Dhe turpin nuk e rregullojnë kriteret apo standardet e kërkimit shkencor.
Me pak fjalë turpi është ndjesi shqetësimi personal (ose edhe kolektive) e krijuar nga raportimi me Tjetrin. Filozofi Umberto Galimberti e shpjegon origjinën e fjalës italiane vergogna (turp) mevereor gognam, që do të thotë ‘frikë nga turpi’ ose ‘frikë nga ekspozimi publik’. Edhe pse etimologjia e propozuar nga Galimberti është e gabuar (origjina e fjalës është verecundia), mbetet fakt prodhimi i turpit nga ekspozimi ndaj Tjetrit. Duke qenë produkt social, po aty përcaktohet përkufizimi i tij bashkë me rregullat përkatëse, që ndryshojnë në kohë e hapësirë.
Në realitetin e sotëm shqiptar mund të shkaktojë turp për një prind nëse fëmija i tij nuk ekspozon veshje firmato dhe celular iPhone, për një politikan nëse nuk shfaq makinën ose gruan luksoze, për një gazetar nëse nuk bën selfije poshtë e lartë nëpër botë, për një akademik ose një mësuese nëse nuk hekurosin etiketën e kostumit apo fytyrën e flokët (jo më kot në konferencat shqiptare garojnë çanta e kollare). Për ta nuk ka publikisht rëndësi rezultati në shkollë, origjina e pasurisë, niveli i gazetarisë, niveli i mësimdhënies dhe cilësia e studimit akademik. Është turp të hyhet në rrethrrotullim pa makinë vezulluese, por jo t’i “vidhet” Tjetrit radha dhe e drejta për të qarkulluar. Shembulli i fundit, sa banal aq edhe familjar, e përmbledh diferencën: amplifikohet turpi në sjelljet publike që nuk ndikojnë (të paktën drejtpërdrejtë) te Tjetri, kurse turpi i sjelljeve (publike) ndikuese te Tjetri afrohet me shkathtësinë.
Nga Andis Muka, “Postbllok.com”