Shpërthimet në Marinzë, Gjiknuri në “Të Paekspozuarit”: Banesat do zhvendosen

 

Pas ngjarjes së rëndë të 1 Prillit në Marinzë, ku pati shpërthim të gazrave në oborret e shtëpive të banorëve, emisioni “Të paekspozuarit” i rikthehet problematikës së kompanisë Bankers Petroleum dhe mënyrën sesi qeveria po e menaxhon situatën në këtë fshat.

Në studio përballë gazetarit Ylli Rakipi është ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjknuri.

Në pjesën e parë të emisionit u paraqit materiali filmik “Të jetosh nën ankthin e shpërthimit”, ku u pasqyrua ankthi i banorëve pas shpërthimit të  gazrave. Ata treguan pasojat e shpimeve që ka bërë në vite kompania, e reflektuar kjo në zhdukjen e gjelbërimit në fshat, në ndotjen e ujit dhe në carjen e mureve të shtëpive të tyre.

Pas materialit filmik, biseda vijoi në studio mes gazetarit Ylli Rakipi dhe  ministrit Gjiknuri.  Kreu i dikasterit të Energjisë dhe Industrisë deklaroi se në zonën e Marinzës ka pasur aktivitet hidrokarbur që para viteve ’90, ndërkohë që janë bërë edhe ndërtime të paligjshme që kanë rënduar situatën.

“Kjo bën që të mendojmë për një zgjidhje afatgjatë, duke pasur parasysh edhe interesin afatgjatë të nxjerrjes së naftës dhe nga ana tjetër, edhe shëndetin e banorëve”

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin Gjiknuri nëse ka pasur kontrolle te kompania gjatë 2 vjetëve të qeverisjës aktuale.

“Janë kontrolluar aktivitetet e kompanisë. Kontrolle janë bërë nga AKBN. Por nuk mund t’i rrihet kompanisë si polici mbi kokë, pasi përgjegjësia duhet të jetë edhe e kompanisë”, u shpreh ministri

Gazetari Rakipi ka pyetur nëse pranë AKBN ka specialistë të aftë për të kontrolluar një kompani që ka marrë me koncension fushën më të madhe naftëmbajtëse në Shqipëri.

“Ka specialistë nafte në AKBN, janë mbi 12 specialistë që janë marrë me hidrokarburet. Po, fatkeqësisht duhet ta pranojmë që nuk i ka pasur kapacitetet. Është bërë shumë e vështirë të gjesh specialistë nafte, për shkak edhe të pagave të ulëta në shtet dhe kërkesës së madhe nga kompanitë private”, është shprehur Gjinkuri.

“Pra, në 11 vjet qeveria nuk i ka pasur kapacitet për të kontrolluar Bankers?”, ka pyetur moderatori Rakipi.

“Në ministri ne gjetëm dy specialistë hidrokarburesh. Tani janë mbi 5. Edhe në AKBN kemi marrë specialist të tjerë. Edhe në Albpetrol po përpiqemi të forcojmë kapacitetet teknike”, ka deklaruar Gjiknuri.

Kreu i dikasterit të Energjisë dhe Industrisë është shprehur se edhe në vendet e tjera të botës ka shpime nafte pranë zonave të banuara, si p.sh në Hollandë, SHBA etj. Por ai nuk përjashtoi mundësinë e zhvendosjes së banorëve, edhe pse kjo nuk është e lehtë për t’u realizuar.

“Ne do të mendojmë edhe që t’i zhvendosim banorët. Por kjo nuk është e lehtë, pasi edhe vetë banorët nuk duan.  Do të përcaktojmë parametrat e saktë se ku duhet të operojë kompania. Edhe më përpara ka pasur aktivitet hidrokarbur. Por ka edhe aksidente, në naftë gjithmonë ka pasur aksidente”, ka deklaruar Gjiknuri.

Ndërkaq gjatë emisionit u transmetua edhe një video, ku tregohet sesi përfaqësuesit e kompanisë Bankers Petroleum pengojnë grupin e xhirimit të Ora News për të filmuar, edhe në distancë të largët, e lejueshme për të filmuar.

Gazetari Rakipi vuri në dijeni ministrin Gjiknuri për mesazhet e shumtë nga banorët e Marinzës për shqetësimet e tyre lidhur me ndotjen e ujit apo vështirësitë për të jetuar në këtë zonë. Ministri garantoi se banorët do të kompensohen në masën 100% nga kompania për dëmet e shkaktuara.

“Kompania do të dëmshpërblejë në mënyrë të plotë banorët. Ka një komision të ngritur edhe nga Prefektura që po bën vlerësimin e dëmeve. Ne nuk do tolerojmë. Aksidenti është shkaktaur nga kompania dhe shteti do të garantojë që kompania do të kompensojë banorët. Ne po përpiqemi që të gjejmë një zgjidhje afatgjatë për banorët. Ne nuk do të lejojmë zhvillimin e aktivitetit hidrokarbur aty, pa pasur një plan të qartë sesi do të veprohet”, ka deklaruar ministri.

 Moderatori Rakipi pyeti për situatën në linjë telefonike edhe me prefektin e Fierit,  Xhevit Bushi.

“Ne kemi marrë masat për evakuimin e banorëve që kanë qenë në zonën e përcaktuar si të rrezikshme, për t’i akomoduar pranë të afërmve. Kemi marrë masa për furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm, pasi ujësjellësi ka dalë jashtë funksionit. Janë vënë në dispozicion 7 autobote që furnizojnë 24 orë me ujë banorët dhe 1 bot që furnizon me ujë të pijshëm edhe nevojat e tjera vetiake të banorëve dhe për kafshët. Masa janë marrë edhe në drejtim të shërbimit spitalor që kanë pasur banorët”, ka deklaruar prefekti Bushi.

Gazetari Rakipi ka pyetur prefektin e Fierit nëse kompania ka dhënë fonde për komunitetin apo ato janë përdorur nga kryetari i komunës për fshatin e tij, sic pohuan në materialinn filmik banorët e Marinzës.

“Nuk jemi në situatën ku mund të bëjmë analizën e fondeve. Fondet që komunat dhe vendimet që marrin si këshilla komune kontrollohen sipas ligjit. Nuk ka pasur probleme në këtë drejtim përsa i përket fondeve.  Ka pasur probleme gjithmonë mes kompanisë Bankers dhe banorëve”, ka deklaruar prefekti Bushi.

Ministri Gjiknuri ka deklaruar se së shpejti do të vendosen afate konkrete për dëmshpërblimin e banorëve dhe rehabilitimin e zonës, por fillimisht duhet të kalohet faza e emergjencës.

“Duhet të flasim me kompaninë që të shohim mundësinë e zhvendosjes së banorëve në shtëpi të tjera.  Por duhet kaluar faza e emergjencës dhe të bëhet rehabilitimi i zonës. Janë situata të panjohura më parë. Shteti është i fokusuar në këtë çështje”, ka deklaruar Gjiknuri.

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin Gjiknuri nëse Alpetrol ka kryer kontrolle te kompania, sic përcakton edhe detyrimi ligjor. “Po, janë ushtruar kontrolle”, ka deklaruar Gjiknuri.

Gazetari Rakipi ka pyetur ministrin Gjiknuri nëse Alpetrol ka kryer kontrolle te kompania, sic përcakton edhe detyrimi ligjor. “Po, janë ushtruar kontrolle”, ka deklaruar Gjiknuri.

Ai ka shpjeguar edhe marrëdhënien mes Bankers dhe Albopetrol.

“Cdo plan zhvillimi bëhet në bashkëpunim me Albpetrolin”, ka deklaruar Gjiknuri.

I pyetur nga gazetari Rakipi, a ka shtuar se Albpetrol ka informuar për gazin e dëmshëm të Bankers, por cështja ka kaluar në hetim penal tashmë. “Nga informacvionet që kam është se në momentin që janë marrë në dorëzim ato fusha, Albpetrol ka informuar kontraktorin dhe për teknologjinë që duhej përdorur”, ka thënë ministri.

Ndërkaq gazetari Rakipi ka pyetur ministrin lidhur me teknologjinë e përdorur nga Bankers dhe metodën agresive të quajtur Fraking të shfrytëzimit të zonës naftëmbajtëse, e cila ka shkaktuar edhe tërmet në Marinzë.

“Fraking përdoren në formacione argjilore dhe nafta jonë nuk është e tillë, në këto formacione. Në dijeninë time teknologjia që përdoret aty janë shpimet vertikale”, ka deklaruar Gjiknuri.

Përsa i përket tërmeteve  në Marinzë, ministri ka deklaruar se “akoma nuk kemi një përfundim. Do të kemi një financim nga Alpetroli për të monitoruar lëvizjet sizmike”.

Gazetari Ylli Rakipi pyeti për situatën në Marinzë në lidhje telefonike edhe ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

“Prej një viti situata po monitorohet. Ne kemi kërkuar që të pezullohet puna në këtë aktivitet për shkak të ndotjes dhe disa problematika të tjera që konstatuam. Kontaminimi i ujërave sipërfaqësorë atje është në nivele shumë të larta. Ne kemi çuar atje laboratorin e lëvizshmë dhe ka rezultuar se dioksidi i squfurit që është gaz shumë i dëmshëm është në nivele shumë të larta, shumë më lartë se norma e lejuar. Banorët na pyesin nëse kanë garanci të jetojnë në shtëpitë e tyre. Unë mund t’u them se rrezik për banorët janë gazi metan dhe sulfurik, që mund të shpërthejnë. Por nga analizat ka rezultuar se këto dy gaze  janë në nivele normale dhe këtu nuk ka rrezik. Ajo që duhet bërë, është kompensimi 100% i banorëve”, është shprehur ministri Koka.

Kreu i Mjedisit ka deklaruar se nuk janë trajtuar mbetjet teknologjike dhe janë hedhur në lumin Gjanicë dhe ka dëmtuar tokën bujqësore. Sipas ministrit Koka, institucionet shqiptare nuk kanë institucione që të masin nivelin e disa gazrave që dëmtojnë jetën e qytetarëve dhe bëhen mbi bazën e vetëdeklarimeve nga kompanitë. Ka rezultuar që në disa raste, vetdeklarimet nuk kanë  qenë të sakta”, ka thënë Koka.

I pyetur nga gazetari Rakipi lidhur me kontratën e lidhur me kompaninë Bankers Petroleum, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka deklaruar se ajo është negociuar vite më parë dhe nuk ka çfarë të komentojë. Përsa i përket fitimit që Bankers nxjerr dhe që nuk tatohet në baze të kompanisë, ministri  deklaroi se “kështu është lidhur marrëveshja”.

“Nëse palët nuk bien dakord për shifrat, marrëveshja parashikon që cështja zgjidhet në arbitrazhin ndërkombëtar”, ka deklaruar Gjiknuri.

Ministri ka shtuar se kushtet e kontratës mund të ishin negociuar ndryshe, por tashmë kontrata është nënshkruar.

“Ka nevojë për disa kushte të tjera, vecanërisht nëse auditimi ka nxjerre problematika. ne do të ulemi me palën tjetër dhe do të rinegociojmë për ndryshim të kontratës, nëse edhe pala tjetër bie dakord”, ka thënë ministri.

Ai ka shtuar se nuk mund të mbajë përgjegjësi për neglizhencën e treguar nga qeveritë e mëparshme.

“Kryeministri e ka bërë të qartë tashmë që do të vijë një kompani e huaj që do të auditojë Bankers”, ka thënë Gjiknuri.

Përsa  përket investimeve të Bankers, ministri i Energjisë ka deklaruar se nuk mund të shprehet në këtë pikë pasi vlerësimi mund të konsiderohet subjektiv.

“Kontrata parashikon arbitrazhin ndërkombëtar ose një palë të tretë. Ky është modeli i kontratës koncensionare”, ka thënë Gjiknuri.

Ministri i Energjisë ka shtuar se shumë kontrata koncensionare janë dhënë në dëm të shtetit, por Shqipëria rrezikon të humbasë shuma të konsiderueshme në arbitrazhin ndërkombëtar, si dhe humbet besimin në sytë e investitorëve si një qeveri që nuk respekton kontratat.

Gjiknuri ka deklaruar se është në fazë diskutimi me Bankers që pas auditimit nga kompania e huaj si palë e tretë , nëse konstatohet se ka fitim, Bankers të paguajë. “Në këtë mënyre do t’i japim zgjidhje përfundimtarë çështjes”, ka thënë Gjiknuri.

SHKARKO APP