Shqetësimi i BE-së për zgjedhjet në Greqi

Nga Kujtim Vani

Trojka po ikën dhe po merr me vete personelin politik të korruptuar që e hodhi Greqinë mbi shkëmbinjtë, theksoi gjatë një fjalimi në Rodos, kryetari i SYRIZA-s, Aleksis Cipras, duke nënvizuar se mbeten vetëm njëmbëdhjetë ditë që populli grek të rishkruajë një histori. Fitorja jonë do të jetë njëkohësisht edhe fitore e popujve të Europës, dhe veçanërisht e Jugut europian, theksoi Tsipras, duke shtuar se vetëm miopët nuk e shohin se çfarë po ndodh në këtë kohë në kontinent. Gjithashtu, Cipras shtroi për një herë tjetër nevojën që të sigurojë SYRIZA një maxhorancë të pastër në parlament. “Nuk kërkojmë maxhorancë për arrogancë, por maxhorancë që të përplasemi me të vjetrën dhe të korruptuarën”, tha kryetari i SYRIZA-s. Ndërsa Samaras shprehet se aleancat pro europiane janw tw nevojshme.  “Më 25 janar nuk vendosim se cilën parti duam, por në cilën Greqi duam të jetojmë ne dhe fëmijtë tanë”, theksoi Antonis Samaras, duke folur të enjten pasdite në bashkinë e Peristerit. Kryeministri u angazhua se në vitin 2015 nuk do të ketë memorandume, nuk do të ketë ulje të pensioneve dhe të pagave dhe se do të ketë vetëm zhvillim, në kushte të ndryshme nga e djeshmja, “sepse Greqia doli nga dëmi që kishte pësuar dhe me sakrificat e popullit grek do ta kemi atë zhvillim”. Samaras theksoi nevojën për mirëkuptim, konsensus dhe aleanca. “Ta kuptojmë se nuk është askush i vetëm si monist”, tha shprehimisht dhe nënvizoi që kur Konstantinos Karamanlis e futi Greqinë në Europë, gjithë kryeministrat e mëpasshëm, edhe ai vetë, vazhduan politikën proeruropiane për Greqinë. Në këtë sens, Samaras vuri në dukje se qeveria e bashkëpunimit në fillim me pjesëmarrjen edhe të Fotis Kuvelis e në fund vetëm me Evangelo Venizelos, ishte një aleancë pa precedent, sepse kishte emëruesin e përbashkët që quhej Europë.

Shqetësimi i ndërkombëtarëve

Dalja e Greqisë nga zona e euros do të ishte një lëvizje “jashtëzakonisht e rrezikshme” për vetë vendin dhe do të përbënte rrezik për pjesën tjetër të Europës, deklaroi anëtari i bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane (BQE), Ewald Nowotny. “Do të ishte një lëvizje veçanërisht e rrezikshme për grekët dhe do të ishte një lëvizje e rrezikshme për tërësinë e Europës, sepse e dimë që nuk është vetëm çështje e daljes nga euro, është fjala për largimin nga Bashkimi Europian dhe nuk besoj se duhen dërguar mesazhe të tilla”, deklaroi Nowotny për televizionin publik austriak, lidhur me një dalje të mundshme të Greqisë nga eurozona. Nowotny, guvernator i bankës qendrore të Austrisë, kishte deklaruar të hënën e kaluar se një dalje greke, një “Grexit” nga zona e euros, do të ishte “katastrofë” për Greqinë dhe “një problem kolosal” për vendet e tjera të zonsë së euros. “Presim të gjithë zgjedhjet e 25 janarit dhe sapo ato të mbarojnë dhe vendoset stabiliteti, me cilëndo qeveri që do të krijohet, do të vazhdojmë bisedimet që kishim me autoritetet greke, me qëllim që të ndihmojmë ekonominë greke të zhvillohet me një mënyrë të qëndrueshme”, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e FMN, Christine Lagarde, në përgjigje të një pyetjeje për Greqinë, gjatë një ligjërate në Uashington. Lagarde theksoi se “Greqia ashtu si dhe vendet e tjera, nevojiten reforma strukturore me qëllim që të krijojnë kushte për një mjedis të përshtatshëm për investime”.

SHKARKO APP