Shqipëria 2014: Përpjekjet për sundimin e ligjit
Nga Besar Likmeta
Qeveria e qendrës së majtë fitoi vlerësime por edhe kritika për përpjekjen e saj për të rikonfirmuar autoritetin e shtetit dhe në luftën ndaj të paligjshmes.
Qeveria e qendrës së majtë të Edi Ramës ndërmori një numër fushatash për të luftuar kultivimin e kanabisit, për të pakësuar vjedhjen e madhe të energjisë, për të shmangur aksidentet fatale të trafikut dhe për të ndaluar ndërtimet e paligjshme që kanë njollosur peizazhin e Shqipërisë.
Fushatat janë shembull i përpjekjeve të qeverisë për të marrë kontrollin e një vendi ku rreth 40 për qind e ekonomisë është informate, rreth gjysma e energjisë elektrike që hyn në rrjet përfundon e vjedhur dhe ku ndërtesat e paligjshme kanë dëmtuar pjesë të bregdetit që dikur ishin të pacenuara.
Qeveria është përpjekur gjithashtu të forcojë rendin për luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, kushte kyçe për Shqipërinë për të bërë progres ndaj objektivit të anëtarësimit në BE.
Megjithatë, përdorimi i policisë nga ana e qeverisë për të ndihmuar në përpjekjet e saj ka tërhequr kritika dhe ankime se Kryeministri Rama po përpiqet të ndërtoj një shtet policor.
Edhe pse Tirana iu afrua pak më shumë Brukselit këtë vit, duke siguruar në qershor statusin e vendit kandidat, i cili ishte vonuar të aprovohej nga BE për një kohë të gjatë, duhet ende të tregojë progres të vazhdueshëm në reformat prioritare në mënyrë që të arrijë deri te anëtarësimi i plotë.
Nënshtrimi i fshatarëve që kultivonin hashash:
Nga të gjitha përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit në vend, mësymja në fshatin famëkeq dhe të rebel të Lazaratit në jug të Shqipërisë, një qendër e kultivuesve të kanabisit njohur ndryshe si kryeqyteti i Europës për hashash, i dha qeverisë vlerësimin më të madh brenda dhe jashtë vendit.
Për pjesën më të madhe të një dekade, fshatarët kanë qenë jashtë radarëve të policisë. Vlera e drogës së prodhuar në Lazarat është llogaritur të jetë 4.5 miliardë euro në bazë vjetore, e barabartë me afërsisht gjysmën e PBB-së të Shqipërisë.
Në qershor, më shumë se 1000 oficerë policie, përfshirë edhe forcat speciale të Ministrisë së Brendshme, rrethuan për më shumë se një javë fshatin, shkëmbyen zjarr me trafikantët e drogës, teksa morën kontrollin e fshatit nga trafikantët e armatosur rëndë.
Dhjetëra të dyshuar u arrestuan në operacion, përfshirë një baron famëkeq vendas të drogës, ndërsa më shumë se 130,000 rrënjë kanabis u shkatërruan dhe 80 ton marijuanë u sekuestruan.
Në gusht, policia nisi një tjetër operacion masiv ndaj kultivuesve të kanabisit në zonën e Dukagjinit, në veriun e thellë të Shqipërisë, duke shkatërruar më shumë se 86 mijë rrënjë, pavarësisht se hasën me rezistencë të armatosur të trafikantëve që rrëzuan një helikopter të policisë.
Në një deklaratë në fund të gushtit, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha se nga 1 qershori, policia kishte shkatërruar mbi 344,400 rrënjë kanabisi.
“Operacioni… është një shenjë e vullnetit tonë për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve,” theksoi ai.
Menjëherë pas operacionit në Lazarat, në fund të qershorit Këshilli i Ministrave të BE-së i dha Shqipërisë statusin kandidat, katër vjet pas kërkesës fillestare të Tiranës zyrtare.
“Shqipëria ka treguar me veprime konkrete se ka vullnetin politik për të ndjekur procesin e reformave të lidhura me BE-në dhe ka konsoliduar… luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha ish-Komisioneri për Zgjerim Stefan Fyle, pasi Këshilli i dha dritën jeshile kërkesës shqiptare më 23 qershor.
“Shembulli më i fundit është operacioni i gjerë i policisë në Lazarat javën e shkuar për të shkatërruar kultivimet e kanabisit në zonë,” shtoi ai.
Masat ndaj vjedhjes së energjisë:
Jo të gjitha fushatat e qeverisë janë aq popullore sa masat ndaj Lazaratit dhe kultivues të drogës.
Përpjekjet e Kryeministrit Rama për të goditur vjedhësit e energjisë, veprimet e të cilëve po përkeqësojnë borxhin në industrinë energjetike, tërhoqën kritika se qeveria po tregohej e ashpër ndaj të varfërve dhe klasës së vogël të mesme në Shqipëri.
Lëvizja ishte veçanërisht e pa mbështetur nga populli sepse erdhi së bashku me një deklaratë që konsumatorët do të përjetojnë rritje të çmimit të energjisë në 2015.
Më 24 nëntor, dhjetëra mijëra mbështetës të Partisë Demokratike, shprehën pakënaqësinë përpara zyrave të qeverisë, duke protestuar rreth rritjes së energjisë dhe rreth buxhetit të ri 2015, ku parashikohen edhe rritja e disa taksave.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i tha mbështetësve në një fjalim të zjarrtë se ndonëse qeveria premtoi reforma në arsim, shëndetësi dhe ekonomi ajo nuk ia doli t’i materializojë ato, dhe se dukej se po përpiqej të krijonte një shtet policor.
“Varfëria dhe një shtet policor nuk janë një opsion,” i tha Basha mbështetësve.
“Mos luaj me të ardhmen e Shqipërisë, sepse që njerëzit janë mbledhur këtu në këtë shesh duan punë dhe dinjitet,” shtoi ai.
Protesta ishte më e madhja e mbajtura nga Partia Demokratike që kur humbi zgjedhjet e përgjithshme në qershor 2013 dhe përmasa e turmës u pa si një shenjë se masat shtrënguese të qeverisë po krijojnë pakënaqësi midis shqiptarëve të varfër.
Demokratët, të cilët po luftojnë të ri-organizohen pas humbjes së zgjedhjeve, kanë bojkotuar parlamentin që në qershor, pas një sherri mes deputetëve. Megjithatë, pavarësisht mungesës së parlamentarëve të opozitës nga kuvendi, klima politike e Shqipërisë ka qenë më e qetë këtë vit, ndonëse mbetet e polarizuar.
Telashe në Beograd:
Marrëdhëniet e Shqipërisë me fqinjët e saj, veçanërisht me Serbinë, shkaktuan emocione të forta pas vizitës së parë të një Kryeministri shqiptar në Beograd në më shumë se 70 vjet.
Vizita e Kryeministrit Rama më 11 tetor erdhi pas një ndeshje problematike futbolli mes dy vendeve, e cila u braktis pas episodeve të dhunës. Trazirat ndodhën pasi një dron vogël që mbante simbole shqiptare fluturoi mbi stadiumin Partizan të Beogradit, duke nxitur një përleshje mes lojtarëve që u përkeqësua pasi tifozët hynë në fushë.
Me tensionet ende në ajër, vizita e Ramës u shënjua nga diferencat e ashpra mbi Kosovën, pavarësia e të cilës – e shpallur në 2008 – duhet të njihet tashmë nga Serbia sipas Ramës.
Vizita duhej të tregonte se dy vendet e rajonit ishin të përgatitura për të lënë pas diferencat e tyre historike teksa ecnin drejt qëllimi të përbashkët për t’u anëtarësuar në familjen Europiane.
Megjithatë, fjalimi i Ramës për Kosovën në një konferencë të përbashkët me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç në Beograd, i zemëroi Serbët.
“Nuk prisja një provokim nga Rama dhe nuk prisja që ai të fliste rreth Kosovës… Është puna ime të mos lejoj askënd të poshtërojë Serbinë,” u ankua Vuçiç më pas./BIRN