Shqipëria e parë nga një autobus urban
Në urbanët e Tiranës merr jetë çdo lloj i mundshëm abuzimi. Njerëz të mbuluar nga djersët në një urban pa kondicioner kanë guximin t’i thonë faturinos me një shprehje krenare të fytyrës: Mbaje biletën, se nuk e dua!
Dje postova dy kartolina nga Shqipëria për miqtë e mi. Mora autobusin urban dhe u nisa. Edhe pse ishte ora 5 e pak e pasdites, vapa në Tiranë ishte mbytëse. Gjendesha mes djersëve që më shkaktonte autobusi urban pa kondicioner dhe ndërsa shtrëngoja në dorë kartolinat me pamje të bukura të Shqipërisë, m’u duk vetja si një kontrabandist.
Po kaloja jashtë kufirit pamje të pavërteta të Shqipërisë. Në njërën nga kartolinat kisha zgjedhur një pamje të Dhërmiut, që në fakt të tillë e kam parë vetëm në atë kartolinë. Ishte një plazh magjepsës, bosh, ku nën diellin e nxehtë dukej vetëm një barkë e lënë anës detit blu të thellë.
Ky nuk është Dhërmiu i vërtetë, ai i zhurmave në kupë të qiellit, ku gjithçka është ‘në ndërtim e sipër’, i të rinjve të Facebook-ut e Instagramit, i vanitozëve pa kufi, i hapësirave të pushtuara prej klubesh e shezlongësh apo i çmimeve të çmendura.
Në kartolinën tjetër ishte një pamje nga Petrela. Në kartolinë shkruhej Tiranë, Albania. Pamja ishte magjepsëse, me një kodër të gjelbëruar, poshtë së cilës rridhte një lumë i qetë dhe çatitë e shtëpive të sistemuara bukur e me rregull i jepnin një pamje ëndrrash kartolinës.
Edhe kjo nuk është Petrela e vërtetë, aq më tepër një pamje përfaqësuese e Tiranës siç shkruhet në kartolinë. Jashtë saj ishin lënë ndërtesat pa leje në çdo metër katror të rrugës, trafiku i tmerrshshëm i këtij segmenti, autostrada në ndërtim e sipër dhe një mori grumbujsh shtëpish luksoze te papërfiunduara, që kanë mbirë grupe-grupe në atë zonë.
Gjithsesi, kombinimi i vapës së madhe në urbanin e Tiranës së Re dhe kartolinat që mbaja në duar mjaftojnë për të kuptuar se si shkojnë gjërat në këtë vend. Mjafton një shëtitje në urbanet e Tiranës dhe nuk është nevoja të lexosh raporte ndërkombëtarësh. Më lejoni të shpjegohem!
Në urbanët e Tiranës merr jetë çdo lloj i mundshëm korrupsioni i vogël. Shikon njerëz të mbuluar nga djersët, që edhe pse po iu bie të fikët në një urban pa kondicioner në temperaturën 35 gradë, kanë guximin t’i thonë faturinos me një shprehje krenare të fytyrës: Mbaje biletën, se nuk e dua!
Atë biletë për të cilën sapo kanë paguar 30 lekëshin për një shërbim që nuk po e marrin. Nuk e kuptojnë që lekët që sapo kanë paguar, do shkojnë në xhepat e faturinos pa mundur të përkthehen në shërbime më të mira për ta, siç do duhej të ishte.
Po ashtu, shikon edhe faturinon që është bërë mjeshtër i abuzimit. E di shumë mirë kujt t’ia japë biletën, e kujt të mos ia japë, duke i futur lekët në xhepin e vet. Në momentin që ty kanë ‘harruar’ të ta japin biletën dhe t’i tregohesh aq guximtar sa t’ia kërkosh, me një menefregizëm të paparë, nxjerrin një biletë të vjetër nga xhepi dhe ta lënë në dorë, sikur të kanë bërë nderin më të madh të botës.
Asnjë shpjegim për shkeljen e rregullit që sapo kanë kryer! Askush nuk mban përgjegjësi
E pyes faturinon se pse nuk e ndez kondicionerin. Nuk punon- më thotë. E pyes, pse nuk punon, a nuk e rregullojnë dot? Mua gjete të më pyesësh- përgjigjet. Unë po vdes për vete! Shkoj dhe pyes shoferin. Marr po të njëjtën përgjigje, “nuk punon”.
Tentoj të zgjas bisedën se mos ka ndonjë mënyrë që ta provojnë edhe një herë tjetër se mos e rregullojnë, se ka njerëz që mezi po marrin frymë dhe është torturë. Ai më shikon shtrembër dhe nuk dënjon as të përgjigjet. Vazhdon të flasë me një person që qëndron afër tij për ndeshjen e mbrëmshme, ndërkohë që ka nxjerrë dorën jashtë dritares e po pi cigare, gjysma e tymit të së cilës hyn pa problem në urbanin pa kondicioner.
Shoh që tek dyert e urbanit është një shpallje e gjatë me rregulla e detyrime, në fund të së cilës qytetarët ftohen të paraqesin ankesat e tyre në një numër telefoni pa pagesë. E gjeta shpëtimin-them me vete dhe ndërsa formoj numrin në celular, i hedh disa shikime kërcënuese faturinos. Bie zilja, gjatë, asnjë përgjigje. Faturino më shikon e buzëqesh.
Shoferët e urbanëve të Tiranës ndalojnë në çdo vend të mundshëm, sa herë që i njohuri i tyre u ngre dorën që jashtë a dikush brenda kërkon të ndalojë pak ‘aty pas karburantit, aaa-ty-yyy’. Nuk arrij ta kuptoj se si mund të vonohen apo t’i lënë në vuajtje në një vapë të tmerrshme 50 pasagjerët e tjerë, vetëm sepse një i njohuri i tyre përton të bëjë 3 hapa më tepër në këmbë. Për ta, kjo është sjellje e natyrshme: E kam mik, do i bëj nder!
Ndërkohë që po mundohem të gjej një shpëtim, shikoj që disa prej tyre që kanë ndjekur bisedat e mia me faturinon dhe shoferin si dhe tentativat e dështuara për t’u ankuar diku, janë bërë palë me këta të fundit.
‘Kujdes se na shkele,’- më thotë një burrë rreth të pesëdhjetave dhe ndërkohë pyet faturinon se si shkojnë punët nga lagjia. ‘Ec mo, se kështu e kanë këta tipat,’- shton, ndërkohë që faturino i bën me shenjë nga unë.
Të gjithë pasagjerët e tjerë që hipin e zbresin në këtë urban nuk e shikojnë të logjikshme t’i kërkojnë llogari faturinos për kushtet e tmerrshme. Mendoj se ashtu si unë, edhe ata kanë tentuar të paktën njëherë e pasi kanë dështuar, kanë hequr dorë nga kërkesa e llogarisë për një shërbim që e paguajnë./Emiljano Kaziaj/BIRN