Shqipëria e viti 1902, me sytë e një Italiani
Ugo Ojetti është një nga penat e njohura të gazetarisë italiane gjatë fillimit të shekullit të kaluar. Shkrimtar, gazetar, botues i një sërë revistash, kritik arti i njohur, ai qe autor i mjaft veprave dhe i pasionuar pas udhëtimeve. Nga viti 1898 deri sa vdiq në vitin 1946, Ojetti punoi për gazetën më të madhe italiane “Corriere della sera”, ku qe përgjegjës për faqet e saj kulturore, ndërsa në vitet 1926-27 u bë dhe drejtor i saj. Në vitin 1902 ai botoi librin me përshtypje udhëtimi nga Shqipëria (ende pjesë e Perandorisë Osmane). Libri me titull “Shqipëri” vjen i përkthyer në shqip nga shtëpia botuese IKD. Libri jep një tablo të gjallë e mjaft interesante të Shqipërisë së kohës, çka e bën atë një ndër veprat më të rëndësishme të literaturës italiane kushtuar Shqipërisë.
Prevezë, 10 korrik.
Dje në mëngjes lundruam dymbëdhjetë orë me pamjen e maleve të Epirit, të lartë e të thepisur mbi det, çerdhe të vërteta të shqiponjave, majat e shkreta Akrokeraunike prej nga, për helenët, Zeusi zbrazte rrufetë e veta. Më pas, atë pasdite, për dy orë kaluam nga bregu i bokërrimtë turk i Sarandës në kopshtijet hijeshumë e të erandshme të Korfuzit. Andej veç një sokak plot plehurina, dy magazina plot e përplot me sheqer, kafe e pambuk, tri shtëpi të shkallmuara nga bombardimet greke para katër vitesh, përpjetë në një shteg si të prerë me thikë në malin e verdhë një varg mushkash të ngarkuara të drejtuara për në Delvinë e në Janinë, tatëpjetë harqet e kullat e një fortese venedikase të rrënuar, me fytyrë nga flladi ajërshumë i detit – teksa këndej në ujdhesën e bukur greke ku Uliksi u takua me Nausikën, kopshtije si Mon repos-i mbretëror me trëndafila të lulëzuar, landra, rruka e manjola, vreshta e pjergulla, shëtitore buzë detit, kafene e luleshitëse, oficerë grekë rioshë mëkot të kapardisur alla inglezçe, ashtu si akullore mëkot të quajtuara “alla napolitane”.Por vetëm sot në të gdhirë hymë këtu në Prevezë, portin më të madh të Epirit të poshtëm, i cili, mund të jetë, në hyrje të gjirit të Ambrakisë, një prej ankorimeve më të sigurta të detit Jon. Jemi mu në mes të kujtimeve filohelenike.
Madje edhe në dritën e trëndafiltë të agimit, kujtime të tjera, veç atyre të Refugjatët e Pargës dhe dhjetërrokshat e Berchet-it, shfaqen e pasqyrohen në ujërat e sedefta. Në të djathtë, rrethuar nga një vello resh të bardha, mali i Leukës ngjyrë qielli e trëndafili të kujton Safon, pasionin e dëshpëruar dhe hedhjen e mynxyrshme në det. Dhe dielli i lind në fytyrë. Në të majtë, ndërkohë që Bari i vogël i “Puglia”-s çan mespërmes guximshëm dy bovave të bardha, nëpërmjet një fundi mjaft të ulët dhe shkëmbinjsh, ranishteje e algash, një gjuhëzë stereje e sheshtë përvijon bregun shqiptar. Dalëngadalë prej mjegullës së opaltë vijnë e shfaqen nga ai rrip një ullishtë me pemë shtatshkurtra dhe e dendur, ndërsa mbi det një fortifikatë turke që me kryelartësi mban emrin Pantokrator. Më andej, një bregun grek përmbi një rrafshultë të shkurtër e të shkretë ngrihen fill njëri pas tjetrit malet e Akarnanisë dhe, përkundruall nesh, ata të Etolisë, më të zbehtë në largësi.
Paskëtaj në atë rrafshultë të shkurtër, që ia thonë emrin Maja, ngrihet prej barit një mur i lartë gati një metër. Është gjith’çka mbetet prej Aktios qyshkur Oktavian Augusti e rrafshoi me tokën dhe e kriposi për të ndërtuar në plazhin përkarshi, sot e kësaj dite të Prevezës, Nikopojën madhështore, Qytetin e fitores, në kujtim të mposhtjes së Mark Antonit. Prej këtyre ujërave ia mbathi e u bë erë Kleopatra me triremën e bardhë me vela të purpurta, me t’i kthyer shpinën fati; këtë betejë pa Virgjili në shqytin që Venera i dhuroi Eneas. “Shih gjirin e Ambrakisë ku, njëherë e një kohë, një botë u bjerr për dashurinë e një gruaje, gjë e ëmbël, e njomësht!” thërret djaloshi Harold përmes gojës së Bajronit. Sepse-thënë me modesti- unë dhe këta katër a pesë sekserë grekë me petka të lerosura që mbrëmë morën anijen në Korfuz, po bëjmë saktësisht atë udhëtim që kreu Enea dhe, mijëra vjet më pas, edhe lordi Bajron. Ndaj dhe kënga e dytë e Çajlld Haroldit është udhërrëfyesi i përkryer prej këtu e deri në Janinë, në Dodonë e në Zisa. Natyrisht kohët kanë ndryshuar dhe, për fat të keq, tok me kohët ndryshojnë edhe udhëtarët e banorët e qytetit…
Këndojnë në atë këngë të zjarrtë palikarët, trimat e Ali pashait:
“Kujto çastin kur Preveza ra, ofshamat e të mundurve, britmat e fitimtarëve, çatitë që u vumë flakën dhe plaçkën që ndamë, të kamurit që shkuam në thikë dhe bukuroshet që u kursyem jetën”. Preveza që tash, me të kaluar cepin e Pantokratorit, na shfaqet me rrezet e para të diellit fund e krye e shndritshme dhe e qeshur- shtëpiza të trëndafilta, të verdha, të blerta, minare të bardha, plepa më të lartë edhe se vetë minaretë dhe rreth e qark deri në vijën e horizontit, ullinj të argjendtë që fërgëllojnë nga puhiza e mëngjesit-kishte qenë e venedikasve deri me nënshkrimin e traktatit të Campoformio-s, paskëtaj tok me ishujt joniane dhe qytetin e gjirit qe pushtuar nga francezët; por me t’u pushtuar Egjipti nga Napoleoni, Ali Pasha i shtiu në dorë këto qytete, me përjashtim të Pargës, në emër të Sulltanit. Dy milje larg qytetit francezët u thyen dhe u masakruan nga pesë mijë shqiptarë, të cilët e vijuan në qytet kasaphanën dhe plaçkitjen deri në breg të detit. Në këtë orë flenë edhe doganierët turq, ndaj me t’i treguar pasaportën një gjendarmi zhelan e këmbëzbathur që shkon e vesh shpejt e shpejt setrën, duke harruar të hedhë në trup më parë këmishën, marr në zotërim, paqësisht, qytetin me kodakun tim, pi kafen e parë në një kafene që kutërbon era peshk të ndenjur dhe nderohem nga prania e insekteve të para shqiptare që më rrethojnë nga të katër anët – shpirtra po aq luftarakë sa edhe të lartpërmendurit palikarë të Ali Pashës.
Vajmedet, brenda në qytet nën diellin zhuritës është mjaft ndryshe prej rrethinave nën agimin e freskët! Rrugët, për mirëmbajtjen e të cilave çdo epirot nga pesëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë e pesë vjeç paguan dymbëdhjetë piastra në vit taksë, janë shtretër rrëkesh kundër shkrepave të të cilëve shqiptarët mbrohen me sarùc-ët e tyre të fortë, këpucë me gozhdë me majën e kthyer, të përshtatshme si për qafëmalet e Sulit e të Pindit, ashtu edhe për të shëtitur në rrugën më elegante të Prevezës ose të Pargës, të Gjirokastrës ose të Janinës.
Në dy ose tre prej rrugëve kryesore, larg shfaqjes së bukur që ofrojnë pemëshitësit – pjeshkë, fiq, mollë, vishnja kokërrmëdha e gjithë lëng të ekspozuara përbukuri si ndaj mizave ashtu edhe pluhurit – shkojnë e hapen rëndom dyqanet e mjerueshme të turqve, si të çikërrimave ashtu edhe të ëmbëltoreve me togje kutiçkash shumëngjyrëshe që përmbajnë hem kopsa ose grepa, hem sheqerka të sheqerosura ose katrorka të së zakonshmes marmalatë prej niseshteje që i thonë lucùm. Lecka të fëlliqura të nderura mes dy shkopinjve i mbrojnë dyqanet prej diellit. Furrtarë e kasapër janë ulur e rrinë mbi banakët e zhyer,me çyrekët e bukës dhe thelat e mishit të therur nëpër këmbë. Ndonjë kambist i ngjallur ose saraf hebre, me lëkurën e shndritshme dhe duart e thata hedh e pret në duar ato pak para për të tërhequr vëmendjen e myshterinjve. Mes turqve e grekëve me fes, të veshur europiançe ose siç thuhet në të gjithë Levantin, alla frënga, kalojnë fshatarët dhe kafsharët shqiptarë të nxirë nga dielli, të heshtur, shtatlartë e truplidhur përkundrejt pushtuesve helenë dhe sunduesve osmanë, besnikë ndaj veshjes së lashtë, me kësulën e bardhë pa xhufkë, përmbi këmishën me mëngë të gjatat pischli prej leshi të bardhë ose të kuq, të prera pas trupit, fustanellën me njëmijë rrudha, kallçinat prej fanellate ose zbathur të lidhura nën gju me thekë të errëta të zbatharakut dhe në rripin e mesit scigliachi i madh prej lëkure për kamën ose për pistoletën. Ndonjë grua turke me ombrellë të zezë, me fytyrën mbuluar nga ferige-ja e zezë e vrimëzuar për të parë udhën ku shkon, mbi supe e krye ciarciaf-in e bollshëm në të cilin të zë syri mëndafshrat e kuq, të blertë e të verdhë të petkave të gufmuara, çapitet me hapa të vegjël, duke u përpjekur t’i shmanget baltës, pluhurit e guriçkave të kalldrëmit për të shpëtuar papuçet e qëndisura me fije ari. Një numër i madh priftërinjsh grekë me kamillafin e zi në trajtë koni të përmbysur, të quajtur callimachi, si dhe veladonin e gjerë të zi, ca pak hoxhallarë turq – sceic me çallmën në ngjyrë jeshile e të bardhë, baba me tirkun e çelur, – ndonjë kafaz konsullate me armë, filigramë e zinxhirtha të shndritshëm, me stemën e vendit në fes, shumë ushtarë të leckosur, gjithë arna e këmbëzbathur, të paarmatosur, me një pamje të pasigurtë mes lypsarit dhe “mbikëqyrësit të posaçëm” – janë ata që përbëjnë atë turmë të pakët që popullon të paktat rrugë kryesore.
Jashtë tyre të krijohet ndjesia sikur ndodhesh në një fshat të shkretë, duke qenë se regjimi turk dhe uria ia kanë kyçur gojën dhe e kanë bërë t’i hyjë lepuri në bark këtij populli të fortë, të përkorë dhe që kënaqet me pako gjë (tre të katërtat e misrit vijnë këtyre anëve nga Rumania, Rusia dhe Hungaria).
Vilajeti i Janinës që përfshin Epirin për të qenë të saktë – në veri lumi Seman, në jug gjiri i Ambrakisë, në lindje vargmalet e Pindit dhe, sipas konferencës së Berlinit, lumin Araktus e në perëndim Adriatikun tonë – ka njëzet e dy mijë kilometra katrorë dhe gjysmë milioni banorë (afro njëzet e dy për kilometër), të cilët i nënshtrohen autoritetit të një valiu në Janinë dhe tre mytesarifëve ose nënprefektëve në Prevezë, Berat dhe Gjirokastër – që i ha meraku kryekëput si e si të administrojnë me shkathtësi e pa humbur kohë pasurinë e tyre private me një metodë pagabueshmërinë e së cilës kam për ta shpjeguar në një tjetër kapitull për atë që heqin e vuajnë nënprefektët e Italisë.
Në pallatin e qeverisë hyhet duke kaluar mes dy kopshteve të lulëzuara pas kangjellave të ulëta në ngjyrë të kaltër. Në rruginë e në oborr, ku dy roje marrin qëndrim “Për nder armë” për agjentin tonë konsullor, ombrellën time të bardhë e për mua, hasim në një det fesësh e një papastërti të atillë sa krahasuar me atë të këtushmen ministritë italiane mund të merren për home të damave angleze. Qelitë e burgut që gjenden në katin e nëndheshëm u përcjellin bekimin funksionarëve të dashur në katin e parë përmes kësaj arome temjani. Pertef beu, kreu i Mytesarifllëkut të Prevezës, më pret në një sallon plot ajër e dritë, katër dritaret e të cilit shohin nga deti, më ofron një cigare e urdhëron për kafetë. Bashkëbisedimi i njerëzishëm zhvillohet përmes një përk¬thyesi, çka, natyrshëm, bën që biseda të rrjedhë me nga dalë. Duke mos mundur t’i them kurrfarë gjëje të rëndësishme dhe, aq më pak, se vij për të përshkruar Shqipërinë, flasim për motin e mirë, për ajrin e detit, për bukuritë e Italisë që ai nuk i ka parë kurrë me sy, për vështirësitë e të udhëtuarit nëpër Shqipëri ku unë nuk kam udhëtuar kurrë më parë. Pauzat janë të gjata, kafeja mediokre. Mes shumë përuljesh dhe temenasë së trefishtë që bëhet me dorë, hyjnë e dalin funksionarë, oficerë dhe gjendarmë. Mytesarifi vuan shumë prej vapës, vjen i trashë, leshverdhë, i shogët e i veshur me pëlhurë. I ulur këmbëkryq në divanin e gjerë, ai shfryn shpesh, por ka buzëqeshjen e ëmbël të njeriut që ia ka më fort ënda e gëzon të drejtat e shumta kundrejt atyre pak detyrave. Kur marr leje për t’u larguar, më premton dy karabinierë në kuaj, ose suvari, për të më shoqëruar përgjatë njëqind e njëzet kilometrave deri në Janinë.