Shqipëria është Shtëpia e Çudisë
Nga Edison Ypi –
Eja Motër. Eja në Shqipëri. Eja në vendin tënd brenda indit tënd. Eja eja. Këtu ka aq dhembshuri, mall, dashuri, punë, aq emocione, aq të papritura, sa kurrkund tjetër. Sa nuk numërohen. Sa Yj’ ka në Qiell. Sa disa Infinita rresht. Vetëm në Tiranë dhe vetëm “Te Brryli” ke për të parë të rinj të hatashëm me sy të turbullt që nuk i gjen as në romanet e Dostoievskit as në filmat e Pasolinit. Aq intriga që nuk do t’ia kishte rrok’ mëndja Shekspirit. Aq meselera, idera, plane, ëndrra, gëzime, krime, qëllime, premtime, shpresa, zhgënjime, dështime, realizime, sa nuk i kap dot asnjë penë, asnjë ngjyrë, asnjë tingull. Eja Motër. Shqiptarët janë njerëzit më të fuqishëm nën Diellin. Ata janë të gjitha Tigra e Luanë. Por fuqinë, energjinë, imagjinatën, po i shpërdorojnë.
Eja t’i mësosh. Luanët, Tigrat, shpejt nuhasin, shpejt kuptojnë, shpejt mësojnë. Eja Motër eja. Bota i ka bukurit’ nëpër filma. Shqipëria i ka të gjalla. Mund t’i vështrosh e të mahnitesh, t’i dëgjosh e të qash, t’i prekësh e të mrekullohesh. Dhe, pse jo, këto bukuri, mund t’i përdorësh për të fituar duke punuar. Për këto e të tjera këtu ka grupe djemsh e vajzash që bëjnë udhëtime epileptike nëpër itinerare Shenjtorësh prej ku shohin krejt Qiejt e krejt Universit. Shqipëria është Shtëpia e Çudisë; Është Dimër je diku, kthen kokën, të rrënqeth Pranvera. Hedh sytë, të mbush Vjeshta. Hedh hapin, të deh Vera . Mbi Shkëmbin e Kavajës do ndjehesh Kleopatra . Mbi Rozafë, Mari’. Mbi Nëmërçkë, mretëreshë. Mbi Tomorr; Perëndeshë. Eja Motër, se “Më dridhet Shpirti porsi fleta”. Mos ngurro, mos kij frikë. Duart e ashpra dhe mëndja e freskët e shqiptarit do ta eksplorojnë trupin dhe shpirtin tënd, “Porsi me flakë prej rrufeje”. Ato duar do të nxjerrin nga vorbulla e trishtimit. Lëre vorbullën të rrëmbejë kë të dojë por jo Ty. Ato duar do t’i ndezin miliarda qelizat e trurit tënd miliona herë më bukur, më ëmbël, më dridhshëm, më mëshirshëm, më rrënqethshëm, se duart e lodhura të belgut, hollandezit, suedezit, e më the e të thashë. Eja Motër, “Në këtë çast të perënduar kur po më dirgjen sytë e qarë”. Vëllai që do njohësh këtu, Ay i ashpëri, ay i egri, në dukje i pagdhënduri, të cilin pas pak Ti me urtësinë tënde do ta zbutësh, i habitur si, si e zbulove Ti atë dhe Ai Ty, i përmalluar, me Ballin mbi Tamthat e Tu, do të pëshpërisë me lot në Sy; “Ka plot Dashuri të mëdha të lira si era, lënë tutje-tëhu Botës anembanë, që s’na dinë ku jemi, që s’i dimë ku janë”. Eja Motër. Eja mësoje vëllain sipërmarrës të respektojë të punësuarit. Eja thuaji se nuk mund të bëhet milioner për tre muaj. Se pagimi i taksave është në të mirë të Tij. Se dollarët dhe Eurot nuk fitohen nga njëqind e njëqind por një nga një. Eja Motër, eja “Prej hapësirës së pamatë”. Eja thuaji moshatares së këtushme se zyra ku punon nuk është Pasarelë Mode ku shkohet me kërthizë e kurriz përjashta. Eja thuaju miqve e mikeshave se, për asnjë faj gabim apo meritë, në çdo rrethanë apo kombinim rrethanash sado fatlume, me të qënët emigrant, sado të fitosh, nuk del dot kurrë nga pusi i errët i mediokritetit social. Eja Motër, eja, eja. Jo si atje që paguani të dy.
Këtu me të dashurin më modest s’ke për të paguar kurrë kurrgjë. Ai do ta blejë me kredi dhe do ta fali përgjithmonë, nga rrëza në majë, krejt Korabin e zi me në majë akulloren më të bardhë dhe më të madhe në Botë, borën milenare. Vëllai që do gjesh këtu nuk është ai idioti që rri tre orë në Floktore pa u shkulur nga poltrona derisa t’i mbushet mëndja se mjekra ju vizatua përpikmërisht si e tjetrit idiot, yllit të tij të preferuar të telefilmave. Eja Motër, “Po të thërras me llaftarë”. Eja shpejt sa është gjallë Shqipëria. Mos i dëgjo albanocidët. Ata gënjejnë. Ata nuk duan të vish Ti pa e groposur të bukurën Shqipëri. Ke për ta parë. Kur të jesh Ti këtu, pak nga pak i korruptuari do mësojë të skuqet, do nisë të ketë turp. Polici do jetë më pak i vrazhdë. Politikani budalla do nisi të heshtë. Shkarrashkruasi i gazetave do t’a thyej penën dhe do ta shpjerë penën në muze’. Opinionisti do futet në një shpellë ku do falet për shpëtimin e shpirtit nga marrinat që ka thënë e nuk do të dalë më kurrë prej andej. Eja Motër, eja. Ah po erdhe; “Ahere soje do buçasë, prej dhemshurish një Yll së brëndi, e pamje e lumtur do më ngjasë, sikur ta shihja përnjimendi”.