Shqipëria i ofrohet Qipros: Kemi klimë të favorshme biznesi
Reformat që po ndërmerren në Shqipëri, po japin rezultatet e para në drejtim të rritjes ekonomike dhe krijimit të një fryme sa më të favorshme për biznesin. Një fakt të tillë, ministrat shqiptarë, Bushati dhe Gjiknuri, ua kanë pohuar homologëve të tyre qipriotë në kuadrin e një vizite që kanë zhvilluar në Qipro, teksa ua kanë ofruar vendin tonë si një mundësi mjaft të mirë për të investuar. Konkretisht, në takimin me ministrin qipriot të Energjisë, Tregtisë, Industrisë dhe Turizmit, Jorgos Lakotripis, ministri ynë i Energjetikës, Damian Gjiknuri theksoi se Shqipëria mund të shfrytëzojë eksperiencat e Qipros në kuadër të menaxhimit të zonave ekonomike. “Shqipëria ka burime të mëdha natyrore të cilat mund të jenë me interes për investitorët tuaj. Ne po inkurajojmë kompanitë e huaja që të investojnë duke shërbyer kështu edhe në forcimin e sigurisë energjetike”, u shpreh ai. Ndërsa duke u ndalur tek projekti i gazsjellësit Transadriatik, Gjiknuri nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe diversifikimit të burimeve natyrore duke shfrytëzuar mundësinë që krijon ky projekt gjigand. Gjithashtu, në takimet me përfaqësues të agjencive dhe institucioneve të biznesit vendas, Ministrat Bushati dhe Gjiknuri ftuan bizneset qipriote të investojnë në Shqipëri dhe iu përgjigjën interesit të tyre përmes prezantimit të politikave ekonomike të qeverisë shqiptare, të cilat synojnë e garantojnë një qëndrim e mjedis dashamirës e nxitës ndaj biznesit dhe investimeve të huaja. Sikundër, intensifikimi i marrëdhënieve dypalëshe, si edhe gjetja e rrugëve të mundshme për përmirësimin dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, ishin në qendër të takimit që ministri ynë i Jashtëm, Ditmir Bushati, zhvilloi me ministrin qipriot të Punëve të Jashtme, Kasulides. Teksa palët u shprehën se është e nevojshme që potencialet e të dyja vendeve të aktivizohen e angazhohen më tej për të zgjeruar bashkëpunimin. Besimplotë se marrëdhëniet midis dy vendeve do të hyjnë në një fazë të re dhe të gjallë bashkëpunimi, si në planin dypalësh ashtu dhe në atë shumëpalësh, ministrat Bushati dhe Kasulides theksuan interesin e përbashkët për thellimin e dialogut politik dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në ato sektorë ku potencialet dhe përvojat e ekonomisë qipriote spikasin, siç është energjia, turizmi, transporti detar, financat, etj.
QËNDRIMI
“Shqipëria ka burime të mëdha natyrore të cilat mund të jenë me interes për investitorët tuaj. Ne po inkurajojmë kompanitë e huaja që të investojnë duke shërbyer kështu edhe në forcimin e sigurisë energjetike”, tha Gjiknuri.
MESAZHI
“Inkurajojmë Qipron për një
qasje më fleksibël ndaj Kosovës”
Në takimin me homologun e tij qipriot, ninistri Bushati vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Qipro për procesin e integrimit evropian të vendit tonë dhe mori sigurimet se kjo mbështetje do të vijojë edhe për fillimin e procesit të negociatave të anëtarësimit. Në këtë kontekst, duke vlerësuar përvojën e Qipros në anëtarësimin në Bashkimin Evropian, si edhe në respekt të Memorandumit të Bashkëpunimit midis dy vendeve për çështje të integrimit, ministri Bushati shprehu interesin e palës shqiptare për realizimin e konsultimeve dypalëshe. Gjatë konferencës për shtyp me homologun Kasulides, ai u shpreh se Shqipëria “inkurajon Qipron për një qasje më fleksibël në raport me Kosovën”. Në kuadër të këtij takimi, ministrat Bushati dhe Kasulides nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve.