Shqipëria, miliarda dollarë për rrugët, por nuk di t’i mirëmbajë
Në 10 vitet e fundit, Shqipëria ka ndjekur një politikë agresive, duke investuar miliarda dollarë në ndërtimin e rrugëve të reja. Por tani, buxheti nuk ka parà t’i mirëmbajë ato.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, në vitin 2012, Shqipëria shpenzoi për mirëmbajtjen e rrugëve mesatarisht 2914 euro për çdo kilometër. Ky është niveli më i ulët në rajon. Në vendet fqinje me ekonomi të ngjashme, qeveritë kanë shpenzuar për mirëmbajtjen nga 7 mijë deri në 10 mijë euro për çdo kilometër.
Neglizhimi disavjeçar i mirëmbajtjes ka bërë që rrjeti të amortizohet. Një raport i fundit i Bankës Botërore përllogarit se, për 5 vitet e ardhshme, Qeveria duhet të shpenzojë 400 milionë dollarë, për të mbuluar mangësitë aktuale në mirëmbajtjen e rrugëve dhe për të mos lejuar përkeqësimin e gjendjes së tyre.
Por, për shkak të rritjes së borxhit dhe meqë Qeveria nuk mund ta përballojë një faturë kaq të lartë, buxheti do të paguajë 2.5 herë më pak, ose 156 milionë dollarë. Nga këto, 80 milionë do të financohen nga Banka Botërore, ndërsa pjesa tjetër nga fondet e brendshme.
Për shkak të pamjaftueshmërisë së fondeve, së bashku me Bankën Botërore, Qeveria ka vendosur ta fokusojë mirëmbajtjen te rrugët më të rëndësishme, ato që kanë pjesën më të lartë të trafikut dhe që lidhin qendrat e rëndësishme ekonomike.
Më konkretisht, fondet do të mbulojnë mirëmbjatjen e 1350 kilometrave rrugë, parësore dhe dytësore, të rrjetit kombëtar. Në total, sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka një fond rrugor prej 15 mijë kilometrash. Nga këto, 3 mijë e 400 kilometra janë rrugë kombëtare, 4 mijë e 400 km rrugë rajonale. Pjesa tjetër janë rrugë rurale, ose që menaxhohen nga bashkitë.