Shqipëria, paketa të përbashkëta turistike edhe me Janinën
Paketat e përbashkëta turistike rajonale do të sjellin më shumë turistë. Për këtë, Agjencia Kombëtare e Turizmit, në bashkëpunim edhe me shoqatat e turizmit dhe hotelerisë në vend po ftojnë grupe operatorësh turistikë të rajonit për t’i njohur ata me destinacionet turistike shqiptare.
Të hënën, një grup operatorësh turistik të qarkut të Janinës nisën një vizitë dy ditore në Shqipëri, ku po njihen me destinacionet turistike shqiptare. Kreu i AKT-së Ardit Çollaku, gjatë një takimi të organizuar në hotel ‘Rogner’ mes operatorëve turistikë të dy vendeve, Shqipërisë dhe Janinës tha se vizita e sotme tregon më së miri frymën e mirë të bashkëpunimit gjithnjë në rritje. Kjo frymë bashkëpunimi, tha ai, ndikon drejtpërdrejt në rritjen e fluksit të turistëve dhe objektivit të përbashkët, një turizëm gjithëvjetor. AKT është një partner në zgjidhjen e problematikave që mund të dalin në të ardhmen”, siguroi Çollaku.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Hoteleve të Qarkut të Janinës, Konstandin Vllaho u shpreh se ne jemi në Shqipëri për të shqyrtuar e materializuar marrëveshjen e bashkëpunimit që realizuam në fund të muajit shkurt.
Operatorët turistikë të qarkut të Janinës do të vijojnë takimet B2B, ku palët do të prezantojnë destinacionet turistike, për të arritur në marrëveshje bashkëpunimi konkrete.
Në fund të muajit shkurt, Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit realizuan një mision të përbashkët në Rajonin e Epirit me qëllim nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi.