Shqipëria që kemi mbytur, po na përmbyt

Nga Zef Shtjefni

Po dëgjoja këto ditë Ministrin e Bujqësisë që fliste nga bregu i lumit të Vjosës. Kishte shkuar me kamera me vete, si gjithnjë për të ndjekur situatën e përmbytjeve dhe se ku u ndal tek një hidrovor. “Takuam energjinë,- tha Ministri,- elektropompat filluan të pompojnë ujë dhe niveli filloi menjëherë të zbresë”. Sa nuk më zuri gazi, tek e dëgjoja. Unë kam lindur e rritur në buzë të ujërave dhe e di mirë se çfarë do të thotë të gjendesh i rrethuar prej tyre. Por Shqipëria jonë edhe pse e varfër, si shuma tmerre të tjera të së kaluarës si: rendin, tritolet, xhihadistët, ferexhetë, diplomat false, gjakmarrjen e së bashku me këto edhe këtë problemin e përmbytjeve, por dhe të vaditjeve të çdo cepi të tokave bujqësore në fushë, mal e kodër e pat zgjidhur për tu pasur zili të paktën nga vendet përreth. Vetëm në rrethin e Lezhës kishte 29 ekskavatorë “Kovorovë”, të cilët gjatë gjithë vitit punonin e pastronin të gjitha kanalet kullues të ujërave. Pastronin shtretërit e përrenjve dhe lumenjve. Ngrinin diga e prita dhe merrnin gjithë masat e nevojshme për të bërë zap ujërat e dimrit. Me organizimin dhe administrimin e një pune të tillë merrej një ndërmarrje e madhe, që quhej Ndërmarrja e Ujërave. Një pjesë e madhe e ultësirës së Lezhës shkon dhe 1 m nën nivelin e detit dhe kur deti ka baticë i shtynë ujërat drejt territorit, ata bashkohen me rrëketë që vijnë nga malet, bëhet një hata e madhe. 

Myzeqeja apo Maliqi rrezikohen vetëm nga ujërat që zbresin nga malet, përmes përrenjve e lumenjve. Në kohën e tharjes së kënetave shekullore dhe të bonifikimit të vendit u bënë studime inxhinierike e hidrike të mëdha nga institutet qendrore të kohës, të cilat u mbështetën nga investime të mëdha të Qeverisë për disiplinimin e ujërave në gjithë territorin e vendit me ujëmbledhës dhe hidrovorë të fuqishëm. Vetëm në ultësirën e Lezhës u ndërtuan hidrovorët e mëdhenj të Balldrenit, Torovicës, Grykë Zezës, Ishujve, Talës, Rrilës etj. Se s’guxonte njeri në atë kohë të flinte gjumë, e të linte ndonjë elektropompë të prishur. Të pinte e zeza. Kjo punë dhe këto investime të mëdha bënë që jo vetëm të thaheshin fushat e Lezhës, të Myzeqesë, Maliqit, Shkodrës, Vlorës, Durrësit etj. , por dhe të harroheshin përmbytjet e të ktheheshin ato në toka pjellore, duke dhënë rezultate rekord më prodhimet e tyre, që shkonin thuajse të gjitha për eksport në tregjet europiane.

Iku koha e komunistëve të Partisë së Punës dhe erdhi koha e demokratikasve të Salës. “Kovorovët” u zhdukën për skrap dhe për shumë vite kanaleve të fushave anë e mbanë vendit. Rrallë e për mall u pa ndonjë kovë ekskavatori. Kur një ditë përmbytjesh erdhi në Lezhë me bujë të madhe Ministri Gjana, solli një ekskavator të ri me krah të gjatë për të pastruar lumin Drin, që doli në qytet e përmbysi dy Ishujt. Ishte i bukur e shumë efikas ai ekskavatori i Gjanës. Ndoshta jepte 5-10 herë më shumë rendiment pune se “Kovorovët” e vjetër rusë. Mirëpo, ç’e do. Pasi bëri pak bankina të Drinit për të mbrojtur qytetin e Ishujt, u zhduk dhe një ditë e gjetën të këputur në kryq në një mal, duke hapur truallin e shtëpisë së një fshatari. Kur e gjetën, ekskavatoristi tha se kishte mbetur pa punë, nga që nuk e linte njeri tu afrohej buzëve të kanaleve, sepse ishin mbushur me shtëpi. Nuk e di nëse ekziston ndonjë ekskavator në gjithë ultësirën e Lezhës sot. Nuk shoh ndonjë syresh që merret me pastrimin e kanaleve kulluese. Mbase kujtohen vetëm kur kanalet mbushën tumullas me dhera. Nuk e di nëse i kanë në gjendje pune e nëse funksionon me kapacitet të plotë ndonjë hidrovor në Lezhë, a në Myzeqe.

Por kur e dëgjova Ministrin, mu duke sikur thoshte: “zbuluam një mrekulli!”. Nejse, por po të duam ta kuptojmë pse përmbytet Shqipëria me ujëra, e kemi të thjeshtë nëse kuptojmë se si e kemi mbytur atë me ndërtime mbi e poshtë digave të kanaleve, në grykëderdhje e grykë hyrje të përrenjve e lumenjve, poshtë në fusha që përmbytën me një pikë shiu apo rrëzë kodrave plot rreke e përrenjtë rrëmbushëm. Por më mirë shihet nëse arrijmë të kuptojmë se si e kemi mbytur me shkatërrimin e sistemit organizativ të ndërmarrjeve të ujërave, me injorancën, më korrupsionin, me papërgjegjësinë e administratave lokale e qendrore partiakë të qeverive të rrumpallës, që na kanë drejtuar e shkatërruar çdo gjë me vlerë që kemi pasur, pa sjellë më parë një tjetër më të mirë në vend të saj. Kështu i kanë lënë ata njerëz shakull në diell e në mes të valëve të ujërave, që çdo vit përmbysin Shqipërinë me turne, herë në veri e herë në jug. Fjalët e Topallit për “Venezian” e Shkodrës janë embleme e kësaj rrumpalle anarkie, ku me dashje apo prej injorancës e ka çuar këtë vend klasa jonë politike, e një sistemi që ne e quajnë demokraci, por që asgjë të ngjashme me të nuk ka. 

SHKARKO APP