Shqipëria rrezikon të përballet me deflacionin

Nga Gëzim Hoxha -Për herë të parë pas gjithë këtyre viteve Shqipëria rrezikon të përballet me deflacionin. Dëgjuam në lajme që sipas institutit të statistikave INSTAT, për muajin Shkurt 2016 është shënuar rritja më e ulët historike e çmimeve e më shumë se 10 viteve të fundit. Si ekonomist që jam më duhet të them se ky lajm nuk është dhe aq i mire për ekonominë tonë. Po çfarë do të ndodhte nëse do të kishim një rritje  negative ose e thënë më shkoqur një ulje të mëtejshme të çmimeve? Kjo dukuri ndodh në ekonomi dhe është e kundërta e inflacionit. Rëndom në kësi rastesh thuhet se nuk ka para, në një kohë që tregu është i gatshëm të plotësojë çdo nevojë konsumatore. Kjo nuk është aspak e vërtetë pasi asgjë nuk humbet, aq më pak paraja, por ajo ndoshta është përqendruar në një pakicë duarsh.

Gjithmonë sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, inflacioni iu afrua zeros duke shënuar 0.2%  nga 2.3%, që ishte një vit më parë. Në muajin Shkurt të këtij viti, çmimet e konsumit sipas INSTAT janë rritur 1,3 % më pak se vitin e kaluar.

Ritmi më i ulët i rritjes së çmimeve në grupin e ushqimeve është ndikuar kryesisht nga ndryshimi i çmimeve në nëngrupin e zarzavateve. Në muajin, Shkurt të këtij viti çmimet e kësaj kategorie, thotë INSTAT, u rritën 10.3% më pak se viti i kaluar, e ndikuar kjo edhe nga ulja e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare.

Swiss Digital Desktop Reklama

Por çfarë tregon në thelb ky ngadalsim drastik i ritmit të rritjes së çmimeve? Dhe më tej si përkthehet ky reduktim në çmimet e grupit të ushqimeve dhe aq më shumë për nëngrupin e frutave dhe të zaruavateve? Nga vjen më së tepërmi kjo gjë? Po i marrim me rradhë duke filluar nga pyetja e fundit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Rënia e  ritmit ose rritja me një përqindje thuajse të papërfillshme të frutave dhe të zarzavateve tregon se diçka ka ndodhur me xhepat e shtresës së mesme dhe sidomos atyre të varfërve. Ose shtresa e mesme, ajo që duehej të mbante në këmbë ekonominë po bëhet gjithmonë e më ngushtë. Dhe është shtresa dominuese në vende të zhvilluara si Gjermania, Austria, Suedia etj, vende që i kemi zili dhe duam ti ngjajmë ose ti afrohemi standarteve të tyre të jetesës. Kjo është ajo shtresë e cila shpenzon pa pasur frikë për të nesërmen, dmth ka një punë pak a shumë të qëndrueshme. Ajo ushqehet, shkollohet, argëtohet, studion, shkon me pushime me pak fjalë i bën të gjitha. Mos rritja pothuajse fare e çmimeve të ushqimeve mua më thotë se ka rënë ndjeshëm konsumi i tyre dhe janë të varfërit ata që e ndjejnë më shumë këtë, sepse buxhetet e tyre destinohen të plotësojnë në masën dërmuese nevojat ushqimore. Pra mund të themi se janë bërë edhe më të varfër.

Kalojmë tek panorama e përgjithshme. I kalbur ose jo, i mirë apo i keq, ky system ka rregullat e veta dhe i gjithi mbështetet tek një nxitës i vetëm. Ai është çmimi. Rritja e tij është sinjali më i rëndësishëm për prodhuesit të çdo lloj gjëje. Ai u komunikon se tregu ka boshllëk, apo një nevojë të paplotësuar ende si duhet prandaj dhe çmimi i saj është i lartë. “Nëse duhet të fitoj diçka më shumë, më duhet ta prodhoj edhe unë”, – mendojnë shumica e tyre. Ja pra ai detyrohet të kryejë investime të tjera, të zgjerojë hapësirat në të cilat ai kryen aktivvitetin e vet, punëson më tepër njerëz etj.

Po shteti? Ah më falni se e harruam. Po edhe ai ka përfitimet e tij, se duke iu rritur fitimet e sipërmarrësve do të mbledhë më shumë taksa. Vetëm se do të duhet edhe ti shpërndajë ato. Këtu ngec gjithçka. Me qëllimin e mirë për të shlyer TVSH- në e parimbursuar bizneseve të mëdhaja, që në krye të herës qeveria akuale mori një kredi prej FMN- së. Qëllimi tjetër po kaq i mirë ishte dhe mundësimi i shlyerjes së borxheve dhe në këtë mënyrë të arrihej ulja e nivellit të kredive të këqia. Dhe më së fundi qëllimi final i kësaj kredie ishte dhënia e një frymëmarrjeje të gjithë ekonomisë Shqiptare.

Gjatë muajve të parë të këtij viti niveli i kredive të këqia është rritur ndjeshëm dhe ka arritur në nivelin e 23.6%. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave përgjatë muajit shkurt kreditë me probleme janë rritur me 0.4% ndërkohë që në janar totali i tyre ka qenë 23.2 %. Kjo tregon se po ndodh diçka e rëndë me bizneset. Dhe mëndja më thotë se arsyeja kryesore është rënia e konsumit. Më tej do të vazhdoja me rritjen e taksave e deri me përkeqsimin e klimës së biznesit. Sa do e pa rëndësishme të duket kjo gjë ajo frenon jo vetëm ardhjen e kapitalit të huaj, por edhe hapjen e bizneseve të reja nga sipërmarrësit vendas. Çdo njëri prej nesh mund të ketë një ide për të filluar ndonjë biznestë të madh a të vogël s’ka rëndësi, mund të ketë ndonjë të njohur  në ndonjë bankë dhe me shumë mund, të arrijë të marrë një kredi për të plotsuar kapitalin fillestar, por, nuk e bën. “Pse?”, – do të thoni ju. E thjeshtë. Kur shkon tek QKR-ja dhe shikon se sa yçkla i duhet të paguajë ende pa e hapur mirë aktivitetin, kur dëgjon shokët e vet se çfarë heqin me policinë tatimore, kur shef se as atyre nuk po iu ecën vaj mendohet. Më pas pyet veten – “Pse ti hap bela vetes?”. Në një kohë që në Itali, kostoja e taksave të hapjes së një biznesi është zero. Ja pse është rritur ndjeshëm numri i shqiptarëve që e kanë hapur një biznes (ska rëndësi madhësia) vitet e fundit atje. Është edhe më e qartë arsyeja se përse ata nuk kthehen për të invstuar në vendin e tyre.

Pra edhe kjo kredi nuk e arriti qëllimin e saj të mirë dhe konkretisht niveli i lartë i kredive të këqija është shndërruar në një nga rreziqet më të mëdha për ekonominë. As fshirja e tyre nga librat e kontabilitetit dhe njohja e borxhit të keq si shpenzim nga qeveria nuk bëri punë. Ndërkohë që BERZH-i e klasifikon Shqipërinë si vendin më problematik për huatë e pashlyera, ndër ekonomitë në zhvillim të Europës dhe Azisë. Më keq është vetëm Kazakistani, ku kreditë e këqija llogariten në 36.7 për qind. Huatë me probleme në Shqipëri u rritën me ritme shumë të shpejta gjatë viteve të krizës nga 3.2 për qind që ishin në 2007-n në gati 24.4 për qind aktualisht. Ky është treguesi më negativ në rajon.

Mos vallë do ishte më mirë që ajo të përdorej për t’i ofruar një shërbim të munguar gjithë këto vite për popullin e këtij vendi? E pra po mendoja sa mirë do qe sikur kjo të shërbente për rimëkëmbjen e sistemit hekurudhor psh. Ndoshta nuk do të bëhej nami por do ishte fillimi i diçkaje të mirë. Do të hapeshin shumë vende të reja pune dhe do të gjallëronte transportin e mallrave dhe të udhëtarëve, duke ulur koston e udhëtimit. Dihet botërisht se ekonomia e shkallës sidomos në transportin e mallrave arrihet vetëm me anë të hekurudhës.

Por si optimist që jam unë shikoj dhe anën e mire të gjërave. Si duket pragu i deflacionit në ekonomi i ka detyruar këshilltarët e kryeministrit ta këshillojnë atë të mbështesë kërkesën agregate, duke rritur me 60% pagesën e papunësisë dhe injektimin e një fondi prej 10 mln $ me anën e kthimit të detyrimeve të paguara ndër vite nga ish – ushtarakët. VKM-ja e djeshme e qeverisë është sa e mirë aq dhe e keqe sepse mban premtimin ndaj pensionistëve, por e keqja e tij është në faktin se e kufizon pagesën e papunësisë për një periudhë aq sa është kontribuar në fondin e sigurimeve. I kam zili këshilltarët e tij sepse në këtë rast kanë treguar gjenialitetine tyre. Me një të shtënë kanë vrarë jo dy po tre zogj. Kanë mbajtur një premtim, i kanë dhënë një përgjigje të menjëhershme kanosjes nga deflacioni dhe në një ardhme të afërt do të mund të shkurtojnë shpenzimet qeveritare për të papunët. Këtë të fundit e kanë bërë pa u menduar se shumica e familjeve të reja janë të papuna. Se si do tiu vejë puna atyre kjo mbetet për tu parë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?