Shqipëria, ultimatum Maqedonisë: Ua bllokojmë dhe ne perimet!
Shqipëria më në fund 'ka treguar dhëmbët' karshi Maqedonisë për të drejtën e saj dhe kjo duket se ka sjellë tërheqjen e shtetit maqedonas.
Kështu, pas bllokimit të produkteve bujqësore shqiptare, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka biseduar me homologun tij maqedonas, duke i kërkuar sqarime për bllokimin e perimeve, por njëherazi edhe duke i dhënë një ultimtum për zgjidhje të problemit deri sot. Në të kundërt, sipas tij, Shqipëria do t’u mbyllë dyert të gjitha produkteve maqedonase.
Duket se ka pasur efekt të menjëhershëm, pasi ish-Republika Jugosllave ka hequr embargon.
I pyetur për bisedën, Ahmetaj tha “është e dyta herë që unë komunikoj zyrtarisht me palën maqedonase. Edhe para një muaji diskutuam kur produktet bujqësore u bllokuan në doganën maqedonase për shkak të një rregulloreje, e cila keqpërdoret shpeshherë ndaj produkteve bujqësore shqiptare dhe krijon humbje për fermerët apo për kompanitë që organizojnë eksportin, në rastin konkret të domates. Rregullorja në fjalë e Maqedonisë ka një afat kohor deri në 5 ditë për t’u kthyer përgjigje analizave që, siç e theksova, shpesh herë edhe keqpërdoret nga institucionet dhe unë kam kërkuar nga ministri i Ekonomisë së Maqedonisë dhe nga ministri i Financave që situata do të duhet të zgjidhet menjëherë brenda ditës së martë. Nëse jo, ne, brenda të gjithë të drejtave që na jep edhe marrëveshja e tregtisë së lirë CEFTA me të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kemi të drejtë të ndërmarrin akte reciprociteti ndaj eksporteve maqedonase, importit të tyre në Republikën e Shqipërisë dhe kuptohet që në këtë aspekt jemi në të drejtën tonë legjitime për ta kthyer aktin një akt reciprociteti. Sigurisht që nuk është zgjidhja më e mirë”.
Ministri Ahmetaj shtoi se çështja nuk do të mbarojë me kaq:
“Të enjten do të zhvillohet ne Moldavi mbledhja e Nënkomitetit të CEFTA-s ku kjo do të jetë çështja kryesore që do të ngrejë Shqipëria”, konfirmoi ai.