‘Shqipërisë i duhet të rigjenerojë pyjet për të reduktuar gazrat serë’

Emetimi i gazarve që shkaktojnë efektin serë është një nga problemet më seriozë që përballet klima në ditët e sotme. Ndryshimi i klimës ka potencialisht “pasoja serioze, të thella dhe të pakthyeshme për njerëzit dhe ekosistemet”, thuhej në një raport të publikuar nga Kombet e Bashkuara në fillim të muajt. Por ende ka kohë për të parandaluar uljen e emisioneve të gazrave që shkaktojnë efektin serë. Ky është mesazhi i raportit të Këshillit Botëror të Klimës (IPCC ), i cili u botua të dielën më dy nëntor.Pikërisht identifikimi i politikave të mundshme si dhe veprimet për reduktimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë, ishin dy nga çështjet kryesore që u diskutuan në një takim pesë ditor (20-25 tetor) në Bon nga Grupi i Punës Ad Hoc për zgjerimin e veprimeve mbi Platformën e Durbanit. Ky takim i paraprin zhvillimit të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, që do të mbahet në Lima, nga 1 deri më 2 dhjetor 2014.

Reduktimi gazrave serë në Shqipëri

Për reduktimin e emetimit të gazrave serë duhet të kontribuojë çdo vend, e duke qenë se Shqipëria është palë e konventës duhet të japë kontributin e saj kombëtar. Ky kontribut do të prezantohet nga qeveria shqiptare në takimin e pritshëm të Palëve në Paris (dhjetor 2015).

Në takimin e zhvilluar në Bon, Shqipëria u përfaqësua nga Adriana Sokoli, Drejtoreshë e Integrimit Europian dhe Projekteve në Ministrinë e Mjedisit. Një një bisedë me DW ajo thotë se sektori i energjisë (transporti) është sektori kryesor në Shqipëri që kontribuon në emetimin e gazrave që shkaktojnë efektin serrë, prandaj dhe fokusi kryesor në reduktimin e këtyre gazrave do të jetë ky sektor.

“Sektori kryesor i shkarkimeve është energjia (44%), e ndjekur nga bujqësia (27,12%) dhe ndryshimi i përdorimit të tokës dhe pyjeve (21,60%). Krahasuar me vendet e industrializuara këto emetime janë 4-5 herë më të ulëta”, thotë Sokoli. Ajo shton se Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me UNDP po punon për përgatitjen e dy projekteve kombëtarë për reduktimin e gazrave serë: zbatimi i Planit Kombëtar të Eficiencës së Energjisë dhe zëvendësimin e lëndës djegëse të ngurtë me lëndë djegëse alternative (mbetje jo të rrezikshme) në fabrikat e çimentos.

Duhet më shumë gjelbërim

Ambientalisti Mirjan Topi thotë për DW se Shqipëria, si vend që ka nënshkruar protokollin e Kyotos, ka marrë iniciativa për reduktimin e emetimeve të gazrave, megjithatë zbatimi i këtyre iniciativave nuk ka monitorimin e duhur. “Gjithsesi mendoj se një prej strategjive kryesore që duhet të ndjekë vendi ynë për reduktimin e niveleve të gazrave serë është sekuestrimi i karbonit, e cila është një teknikë që përdoret gjërësisht për stokimin e sasive të mëdha të karbonit në mjedise natyrore si pyjet dhe sipërfaqe të tjera të gjelbërta. Teknika e sekuestrimit të karbonit nëpërmjet pyllëzimit është një ndër strategjitë më efikase të zbutjes së efekteve të gazeve serë për vëndin tonë, pasi do të sillte shumë përfitime ekonomike dhe mjedisore, si dhe do të kompensonte nivelet e emetimit të gazrave sere në vend, që burojnë nga sektori prodhues.”

Sipas Sokolit në Shqipëri që prej vitit 2006 është zbatuar projekti “Carbon Sequestration in Albania” (Sekuestrimi i Karbonit në Shqipëri). “Ky projekt konsiston më mbështetjen e rigjenerimit natyror nëpërmjet pyllëzimit në zonat e shkreta, rritjen e dëndësisë së pemëve në pyje, kujdesin dhe mbrojtjen e pyjeve.”

Efeket e ndryshimeve klimatike

Sipas parashikimeve të ambientalistëve skenaret e ndryshimeve klimatike për Shqipërinë parashikojnë një rritje të temperaturave deri në 2 °C dhe ulje të rreshjeve me 6.8 % deri në vitin 2050. Ndryshime të tilla sigurisht që prekin sektorë të rëndësishëm të ekonomisë së vendit,si bujqësinë, energjitikën, turizmin etj. Sipas ambientalistit Mirjan Topi një prej impakteve negative parashikohe të jetë ulja e sipërfaqeve të tokave bujqësore në Ultësirën Perëndimore, por në në anën tjetër rritja e temperaturave do të rrisë sipërfaqe të përshtatshme për kultivimin e agrumeve në vëndin tonë.

“Rënia e nivelit mesatar të rrshjeve parashikohet të shkaktojë në mënyrë të drejtpërdrejtë një rënie të nivelit të prodhimit të energjisë elektrike në vënd duke marrë parasysh se hidrocentralet janë furnizuesit kryesorë të vëedit me energji elektrike,” përfundon Topi.

SHKARKO APP