Shqiptarët bëhen materialistë – Indeksi i zemërgjerësisë, japin para’, por jo ndihmë

Kur bëhet fjalë për zemërgjerësi, shqiptarët nuk kanë me çfarë të mburren. Ndër 139 vende të botës, renditen vetëm të 95-tët,  tregon një studim i fundit i fondacionit CAF, ndër më prestigjiozët në botë për çështjet që lidhen me bamirësinë.

Pavarësisht se lë shumë për të dëshiruar në renditjen globale, Shqipëria ka bërë hapa përpara në krahasim me vetveten, po të shohim renditjen në indeksin e zemërgjerësisë së një viti më parë. Atëherë, Shqipëria mbante vendin e 105-të. Vetë studimi nuk e llogarit këtë si një përmirësim, për shkak të ndryshimit të përllogaritjes.

Një tjetër rekord negativ është ai në krahasim me rajonin. Një vit më parë, Shqipëria rezultonte vendi më zemërgjerë në rajon pas Kosovës, ndërkohë që sot lë pas vetëm Serbinë dhe Malin e Zi, në vendin e 132-të dhe 110-të respektivisht. Maqedonia dhe Bosnje Hercegovina kanë parakaluar ndjeshëm Shqipërinë në këtë renditje.

Këto dy të fundit ndërkohë rezultojnë si dy vendet me përmirësimin më të madh në renditje. Indikatori përllogaritet mbi bazën e tre nënindikatorëve të tjerë, ndihma çfarëdo ndaj një të panjohuri, bamirësia në vlera monetare si dhe koha e dedikuar ndaj vullnetarizmit. Në këtë të fundit, Shqipëria është ndër vendet e fundit në botë, e 118-ta.

Kur bëhet fjalë për dhurimin e parave, Shqipëria performon bindshëm më mirë, duke u renditur e 62-ta në botë, nga vendi i 85-të i një viti më parë. Sa i përket ndihmës ndaj një të panjohuri, vendi ynë është i 96-ti në botë.

Në terma të përgjithshëm, studimi prestigjioz evidenton se, shqiptarët njohin si zemërgjerësi vetëm ndihmën monetare, ndërkohë që nuk janë të prirur aspak ndaj vullnetarizmit apo çfarëdolloj ndihme tjetër që nuk përkthehet në para.

/SCAN

SHKARKO APP