Shtëpia e Toninit dhe helikopteri i Sinanit
Nga Ardit Rada/
Fatmirësisht, jemi të gjithë dëshmitarë të varrosjes së artit dhe lulëzimit të tingujve dhe fjalëve bajate që të bëra sëbashku formojnë atë që sot e quajmë këngë. Fatkeqësisht, po shohim edhe fundin e artistëve. Ndërsa skendës tonë i largohen herë këngëtarë e herë aktorë për të mos u kthyer më kurrë, cilido që i njeh e ndjen se ka qenë i pafuqishëm për t’i dhënë një dorë e për ta ngjitur sërish në skenë. Shumëkush, ka qenë indiferent duke dëgjuar turbofolkun me kufje apo në kasetofonin e makinës dhe pakkush s’ua ka dëgjuar emrat ndonjëherë.
Tonin Tërshana sot u bë me shtëpi. Kishte pritur 15 vite nga shteti dhe shoqëria, ndërsa për hir të së vërtetës lajmi duket si lëmoshë dhe padyshim që e vë në siklet ‘faltumin’ duke e bërë personazh dite. Gjithësesi, ai u diskutua javë më parë, kur emri i tij u publikua në listën e përfituesve të banesave sociale dhe pak ditë më vonë i sfumua sërish.
Kjo sepse Sinan Hoxha u martua dhe nuk ngeli i zi e i bardhë pa shkruar për detajet e dasmës që nuk kishte fund. Ishin qindra apo mijëra dasmorë në dasmat e përnatshme të Sinanit, kryesisht të ashtuquajturit VIP-a që nuk lanë fotografi pa nxjerrë për të ekspozuar veshjet e tyre dhe të çiftit. Dhe sot jemi midis dy realiteteve të shëmtuara, sepse dora e VIP-ave nuk u drodh për të hedhur tufat e lekëve të Xibraku, por refuzoi të firmosë një peticion, për t’i nisur dy gisht kartë qeveritarëve apo për ti çuar një SMS Toninit qoftë edhe sa për sy e faqe.
Sot, Toni u shfaq me bashkëshorten e tij, ku të dy treguan vuajtjet që kishin kaluar në emigracion për t’i mbijetuar sistemit ekonomik që ia instaluan Shqipërisë pas ’90. Për tre vite me radhë, zonja e Toninit shkonte çdo ditë në derën e Bashkisë Tiranë për t’u interesuar se ç’po bëhej me banesën për të cilën kishin aplikuar. Me shumë gjasë që në atë kohë kur gruaja e Toninit ishte mes emigracionit dhe vendit të saj mosmirënjohës dhe përpiqej për familjen, Sinani gëzonte klikimet e para të këngës ‘Ta ka bo gruja 8 me 2’.
Tonin Tërshana përbën një rekord në artin shqiptar. Ka dalë në skenë për herë të parë 16 vjeç, në Festivalin e IV të RTSH. Gjithë jetën e tij ka kënduar vetëm ‘live’ dhe ka fituar çmimin e parë qysh herën e parë që doli para publikut. Tonini i ka kënduar nënës, shokëve, trimërisë së shqiptarit dhe sa e fortë është dashuria në familjet shqiptare.
Sinan Hoxha është rekord në YouTube. Është nga Tirana, nga lagjia ‘Brraka’ dhe kur Tonini ishte emigrant në Greqi, Sinani shkonte jepte koncerte atje. Ai i ka kënduar ndarjes në çift dhe zhgënjimit. Madje ka kënduar ‘Al Alo Ambulanca’, por bredh me helikopter, ndryshe nga Tonin Tërshana që sot po sistemon rraqet te shtëpia e re dhe nesër do marrë autobusin urban.(Javanews.al)