Shtëpia-shkollë në tetë dekada
Nga Halil Rama
7 Marsi i këtij viti, mësuesin e merituar Hasan Meti e gjen në moshën e pensionit, pas 41 vitesh kontribut të pandërprerë në shkollimin e dhjetëra mijë nxënësve, si mësues, zëvendësdrejtor e drejtor shkolle. Në memorien e tij janë të fiksuara si tek askush tjetër ngjarje dhe data të rëndësishme të historisë së shkollës shqipe në Vau i Dejës. Pa dashur të bëj historianin, por thjeshtë me të dhënat gojore nga mosha të ndryshme iu referohet dëshmive të një fëmije 5-6 vjeç, të një nxënësi 7-14 vjeç apo dhe të mësuesi 23-65 vjeç. Bëhet fjalë për 60 vite kujtime e pune në shkollën e Mjedës, Në pozicione të ndryshme si nxënës, mësues, zv/drejtor e drejtor i shkollës. Të mbajtura mirë në kujtesën e tij ai sjell të freskëta rrëfimet e të ndjerit Rifat Hasan Meti, axhës së tij të nderuar, i cili është ndarë nga jeta 7 vjet më parë në moshën 80 vjeçare, ish-nxënës i klasës i (parë) që është hapur në dhjetor të vitit 1934.
Zadrima ishte në prefekturën e Lezhës,Vau-Dejës ishte postë komandë dhe qendër e vogël administrative. Babai, Hasan Meti (sipas rrëfimet të Rifatit) me djalin e vëllait Elez Agën merreshin me aktivitet privat, kryesisht me tregti në Vau-Dejës. Kishin shtëpi edhe dyqane. Një ditë fillim dhjetori 1934 një djalë i ri vjen nga Prefektura Lezhë, Komuna Hajmel me një zarf në dorë dhe kërkon të takojë Hasan Metin (Agën) apo Can Facen. Nga biseda që zhvillohet në mes tyre mësohet se djaloshi i ri ishte Kol Jakova, mësuesi i parë i emëruar në këtë zonë, i cili filloi punën për herë të parë në këtë zonë. Letër dërguesit u luteshin personave në fjalë që të ndihmonin mësuesin e ri. Gjatë bisedës dhe këshillimit me përgjegjësin e letrës nga Komuna Hajmel u ra dakord që shkolla të hapej pasi të kalonin ditët e Ramazanit dhe festa e Bajramit. Shkolla u hap në afërsi të post-komandës Vau-Dejës, 24-25 dhjetor 1934 me mësuesin e parë Kolë Jakova, shkrimtar dhe dramaturg i njohur shqiptar dhe mësues i II (dytë) z. Angjelin Begu nga qyteti i Shkodrës. Kështu janë quajtur mësues I (parë) e mësues II. Në vitin e parë mësimor u ndeshën shumë vështirësi dhe disa nga nxënësit e braktisën shkollën për arsye të ndryshme. Dokumentet origjinale të mbajtura me kujdes dhe fanatizëm janë dhe sot: Libri i amzës i mbajtur nga mësues Angjelini me shkrimin e bukur, gjë që dëshmon se mësimi filloi me 30.12.1934 për klasën e parë me 40 nxënës të moshave 9-10-11 vjeç, të pranuara ditëlindjet 19263,1924 dhe 1925. Ndër këto nxënës nuk kishte vajza për arsye mentaliteti të asaj kohe. Në vitet 1939-1941, për arsye të lëvizjeve që ndodhën në Europë, sidomos nga ndikimi i Fuqive të Mëdha ka patur ndërprerje të shkollës për muaj të tërë. Shkolla u rihap në 1943-1944, po në Vau-Dejes, fillimisht tek ish spitali e më pas shtëpia e “Behluleve”.
Kalvari i gjatë i familjes Meti
Në qershor 1948 shkolla u vendos tek shtëpia e z.Hasan Meti, aty ku ai jetonte me familjen e tij. Për atë kohë ishte shtëpia më e mirë në krahinë, ndërtuar me materiale të ardhura nga Italia dhe me projekt bashkëkohor. Familjarët i dëbuan nga shtëpia për ta bërë shkollë, si shumë familje në Shqipëri, por ndër fshatra ishte i rrallë një rast i tillë. Këtu fillon kalvari për shtëpinë e Hasan Metit. Drejtor i parë i kësaj shkolle u emërua Prek Kcira, njeri me shumë autoritet dhe euforik. Menjëherë hoqi hekurat e dritareve se gjoja u pengonin dritën nxënësve në klasa. Filloi abandonimi i shtëpisë. Po në këtë vit numri i nxënësve u zvogëlua për arsye se u hapën dhe tri shkolla fillore në Qyrsaq, Shelqet e Spathar. Në shtator 1948 në moshën 64 vjeçare vdes i zoti i shtëpisë Hasan Meti, nga një infarkt kardiak, si pasojë e vuajtjes së madhe shpirtërore që kaloi kur po shihte shkatërrimin e shtëpisë. Në ato vite familja e tij banonte në Vau i Dejës tek kushërinjtë. Nga këtu, Hasan Meti (i ri) ruan të freskët një bisedë të bërë para disa kohësh nga i ndjeri Ragip Rrema, ish bashkëfshatar i tij. “E mbaj mend si tani kur kam parë Hasan Agën (Meti) të vendosur në qerre që po largohej nga shtëpia për në Vau-Dejes i shtrirë dhe në gjendje të rëndë. Flitej në fshat se i ka ra “pika” nga dëshpërimi. Në darkë morëm vesh se ka vdekur…Me vdekjen e vëllait dhe të Rexhepit ne maj 1949 në mënyrë aksidentale situata në familjen tonë përkeqësohet shumë, gjendja bëhet tragjike!!!!”,-vijon rrëfimin mësues Hasani. Xhaxhai i tij, Rifati në atë kohë ishte ushtar në Ersekë. Për 9 muaj 2 kufoma në familje dhe ai nuk arriti të marr pjesë në asnjërën përcjellje të tyre. Momenti akoma më i vështirë ka qenë kur kufoma e një 26 vjeçari nuk lejohet të vendoset në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij për të bërë ceremoninë sipas zakonit. Ceremonia u zhvillua në oborrin e shtëpisë, aty u kryen për 5 javë sipas zakonit, të gjitha ritet për Rexhepin. Po kush do ta besonte se pas 8 muajsh Rexhepit do t’i lindte një djalë që i vunë emrin Hasan, i cili, sot pas 65 vitesh del në pension, i lidhur ngushtë me shkollën, kulturën e komunitetin. Ai nderohet ë respektohet në këtë 7-mars si një njeri me nivel të lartë në të gjitha dijet, si një filozof e psikolog, mësues e edukator shembullor, që gjithkujt i duhet ta ketë pranë….
Pas Kolë Jakovës edhe Fadil Kraja mësues në Vau i Dejës
Në vitet 1950-1951 drejtor shkolle punon Isak Ramadani, mësues matematike me vëllezërit Ferit e Vaid e motrën Vehibe. Punon si mësues dhe shkrimtari i njohur Fadil Kraja e shumë të tjerë të strehuar në shtëpinë e Hasan Metit. Në vitet 1951-1952 arsimi bëhet 7-vjeçar me katër klasë fillore dhe tre klasë unike. Në këto vite me ndërhyrjen dhe këmbënguljen e drejtor Isakut u bëi mundur rikthimi familjarëve të Hasan Metit në shtëpinë e tyre. Ndonëse jetuan në pjesën jo të mirë dhe ishin si të huaj në shtëpinë e vetë, marrëdhëniet me mësuesit e shkollës i forcuan shumë. Asokohe, drejtori i shkollës Isaku kërkon të bëjë kumbari dhe merr flokët Hasanit, tashmë 2 vjeç. Diçka e veçantë për familjen dhe për 6 mësuesit që bënin mësim e jetonin në një oborr. Viti 1953 shënoi mobilizimin në luftë kundër analfabetizmit. Mësimi në shkollë zhvillohej para dreke, pas dreke dhe me korrespondencë. Numri i nxënësve që frekuentonin shkollën ishte i madh sepse ishte e vetmja shkollë 7-vjeçare në zonë. Mësues Hasani, tashmë në pension mban mend me saktësi dhe freski, sikur të ishte sot vitet e shkollës në shtëpinë e tij, kur ai ishte vetëm 4 vjeç, pra në vitin 1954.
Shkolla në shtëpinë e tij ka qëndruar deri në vitin shkollor 1955-1956. Ditën e parë që iku shkolla nga kjo shtëpi, më 25.03.1955 koinçidon me krijimin e kooperativës bujqësore, ku qendra e saj u bë po në atë pjesë ku ishte shkolla, me zyra, magazinë etj. Shtëpia ka qëndruar e zënë deri në vitin 1963-1964 si qendër kooperative (repart ushtarak – zyrë), qendër shëndetësore, zyrë për bonifikimet etj. Mësues Hasani sjell në vëmendje faktin se më 1964 iu liruan shtëpinë, por jo shpirtin, dëmin moral e material. Arsyeja e vetme se “ishin të pasur, me shtëpinë më të bukur në krahinë, me dyqane,toka mbi 150 dynym, etj etj. Një i moshuar nga Mjedai cili jeton edhe aktualisht na tha se shtëpi të bukura kanë filluar të ndërtohen edhe sot, por shtëpia-shkollë e Hasan Metit ka qenë dhe është për 60 vjet më e bukura. Ai kujton se kur është ndërtuar kjo shtëpi në Mars-Dhjetor 1934, ka dëgjuar se janë mbledhur pleqtë dhe nuk e kanë lejuar Hasanin ta çonte edhe një qoshe (gurë rreth 40 cm)shtëpinë, me arsyen se dilte shumë lart shtëpive tjera…! Sipas këtij të moshuari, Hasan Meti (Aga) lëvizte me motorçikletë “GUZ”, italiane që në vitet ‘40, ndërsa sot janë bërë të gjithë me motoçikleta e makina… kurse mësues Hasan Meti (i ri) ka mbetur gjithë jetën ne biçikletë. Por vetë Hasani, ky dishepull i dijes dhe simbol i urtësisë e mençurisë shkodrane, shprehet me modesti se shkolla, shkolla e vetëm shkolla kanë qenë e janë primare për të. Ndaj dhe ndjehet krenar për faktin se sot nga familja e tij nuk asnjë pa arsim të mesëm, duke filluar te axha Ramiz qe sot eshte 73 vjeç. Ndërsa me arsim të lartë nga kjo familje e nderuar janë mbi 13 vetë.
Një jetë e lidhur me shkollën Mjedë-Shkodër
Hasan Meti, më 1 shtator 1957 filloi klasën e parë fillore në Mjedë tek ndërtesa e vjetër që sot është rrënojë. Mësuesja e parë e tij ishte.Vehibe Ramadani. Vitet rrodhën shpejt. Kjo shkollë pati drejtues e mësues shumë të apasioniuar që në Mjedë thonë se ju detyrohen shumë. Por Hasani e konsideron veten me shumë fat që iu dha mundësia të kryente arsimin e mesëm në Shkodër, në Gjimnazin “28-29 Nëntori”. Aty përfitoi shumë nga mësuesit e papërsëritshëm që e deshën, e përkrahën shumë djaloshin që vijonte gjimnazin me biçiklete nga Mjeda në Shkodër e anasjelltas. Në vitin 1975 u hap Shkolla e Mesme Bujqësore me shkëputje nga puna me 28 nxënës, me mësues kujdestar po atë djalin e shkurtër dhe të shëndoshe. “Çanga” bëri punën e vet e cila nuk do tí ndahej Hasan Metit për katër dekada, deri me 14.02.2015 që është dita e daljes në pension. Tashmë përfundimisht ishte shkëputur nga prodhimi për të vazhduar një tjetër fushë, atë të mësimit,edukimit e drejtimit. Numri i nxënësve ishte i madh, kalonte 1110 nxënës me 45 mësues, 2 anekse: Shelqet e Spathar, 2 kopshte, arsimi fillor, 8-vjeçar, i mesëm ditën, pa shkëputje nga puna, me korrespondencë, me drejtor shkolle Ramadan Gjeçari. Mësuesi Hasan Meti vlerëson ndihmën shumë të madhe që ka dhënë Gezim Gjylbegu(Sejko) si nëndrejtor i shkollës, gjurmët e mbajtjes së dokumentacionit prej tij janë edhe sot. Matura e parë e vitit 1980 kishte 28 nxënës, me notë mesatare 8.1. Këtë vit është matura e 35-të. Sa e sa nxënës kanë dalë nga bankat e kësaj shkolle. Një numër i konsiderueshëm kanë kryer arsimin e lartë e punojnë në punë e detyra të rëndësishme shtetërore e private, brenda e jashtë vendit. Ky është produkti më i vlefshëm i kësaj shkolle dhe i ish-mësuesit, zëvendësdrejtorit e drejtorit të saj Hasan Meti.