Shteti në gjueti
Shteti është bërë gati për stinën, dimri po troket. Pavarësisht sa i fortë ose sa i dobët do të jetë dimri, shteti do të dalë i fituar.
Shteti nuk është si individi në gjuetinë e arinjve, por e kundërta: Shteti është vetë ariu në gjuetinë e individëve.
Ka nisur gjuetia ndaj atyre që “vjedhin energjinë elektrike”; ka nisur gjuetia ndaj atyre që kanë bërë ndërtime; ka nisur gjuetia ndaj atyre që kanë pasur verë në plazhe; ka nisur gjuetia ndaj “qytetarëve të ndershëm” dhe ndaj qytetarëve “të pandershëm”….
Njeriu ndalet, natyrshëm, dhe bën pyetje: Çfarë është ky? Është ariu me pamje shteti, apo shteti si ariu?
Ka edhe pyetje të tjera: Vallë sa herë e ndërron shteti pamjen dhe stinën në gjuetinë ndaj shtetasve të vet?
Stina e fundit, dimërore:
Dy burra, (njëri me kokë të zbathur dhe tjetri me flokë e mustaqe pis të zinj për shkak të bojës L’Oreal që shitet për zyrtarët e lartë), dalin çdo ditë në ekrane dhe lajmërojnë sa qytetarë janë bërë prè e gjuetisë së shtetit.
Njëri është drejtori i Policisë së Shtetit, ndërsa tjetri është drejtori i Ndërmarrjes Elektrike që ndryshon emrat si vetë stinët e gjuetisë. Herë e quan Kesh, herë Elektrike, herë Kujdes, herë OSSHE. Katër stinë, me katër emra. Ka një koinçidencë interesante gjuetie, edhe në këtë mes…
Çdo ditë dalin e deklarojnë numrin e shtetasve që kanë burgosur.
Dje, për shembull, dy burrat në krah të njëri-tjetrit, deklaruan se kanë burgosur gjashtëmbëdhjetë shtetas dhe u kanë shpëtuar pesëmbëdhjetë… Përsëri krejt si në zakonin e gjuetisë. Kur kthehen gjuetarët nga malet, gjithnjë deklarojnë se një pjesë e gjahut ka ikur, është arratisur nga leqet ose nga rrethimi i gjuetarëve. Gjuetarët individë e bëjnë këtë për të dëshmuar begatinë e gjahut. Ndërsa shteti që ka dalë në gjueti, duke treguar se sa vetë ka burgosur dhe sa ka vënë në ndjekje (policia thotë “në kërkim”), dëshmon fuqinë e vet, jo begatinë e stinës.
Edhe një pikë tjetër e përbashkët mes shtetit gjuetar dhe gjuetarit gjuetar: Si njëri edhe tjetri e shtojnë numrin e “viktimave”, d.m.th., të gjahut. Individi gjuetar gënjen profesionalisht për t’u mburrur para kolegëve të tjerë më gënjeshtarë; ndërsa shteti gjuetar e shton numrin e “viktimave” për të krijuar viktima të tjera. Viktimat e tjera janë qytetarët që besojnë se tashmë “do mbushet arka e shtetit” me paratë e mbledhura varfanjakëve që nuk paguajnë energjinë elektrike. Viktimat e vërteta që janë qytetarët në masë besojnë edhe këtë dimër se “do të kemi bollëk”.
Shteti gjuan si ata që “vjedhin”, ashtu edhe ata që nuk vjedhin.
Stina para-dimërore:
Para se të vijë dimri i gjuetisë, para-gjuetia është më liberale. Ose më mirë të thuash se është stinë që përgatit “stuhitë”. Bora e maleve përgatitet me dorë nga vetë shteti; erërat e furishme nisin e thuren nga vetë shteti me frymën e vet; edhe zërat e qenve të gjuetisë imitohen në mënyrë më të frikshme.
Shikoni çfarë ndodhi në prag të këtij dimri?!
Shteti kërkoi “me këmbë të kalit”, siç thonë në Shkodër, që të krijohet klima për të burgosur dhe për të shembur shtëpitë e njerëzve pa i hyrë gjemb në këmbë shtetit. Akti më i fundit që kreu shteti, ishte kërkesa “diplomatike” për të hyrë “në strofullën e armikut”. Një akt i ngjashëm me gjuetinë e dramës së Kristoforidhit e të tjerëve. Kryetari i qeverisë rendi nëpër qytetet ikona të Luftës së Dytë Botërore për të kërkuar një takim “në strofkën e atyre”, në Beograd. U aktivizua Berlini. Pas këtij u aktivizua Moska. Stalingradi ka humbur identitetin e emrit, por edhe ky do të ishte ngritur më këmbë. Njësoj si në Luftën e Dytë, urdhrin e “trumbetave për sulm” si të Kristoforidhit e dha përsëri Berlini. Kryeministri i shtetit shqiptar mbërriti në Beograd “i armatosur” me armët e Luftës së Ftohtë. Ua plasi mu në strofull armiqve.
… Në fakt, në një darkë pas ‘bombës” i deklaroi kryeministrit serb se kjo ishte një lojë. Një lojë gjuetie, edhe kjo.
Kjo u quajt “nacionalizëm i madh” dhe të dy kombet u çmendën në furinë kundër simboleve të njëri-tjetrit.
Por në fakt, kjo ishte stina para-dimërore e gjuetisë. Shteti del faqebardhë, si një gjuetar i lartë, edhe sikur të humbë ekonomia. Edhe kur burgos njerëz të sërës së varfër, përsëri i nderuar. Edhe kur nuk do të ketë energji elektrike në dimër, përsëri i nderuar. Në fund të fundit, shteti ka “nderuar kombin” duke ia plasur armikut në strofull.
Fjalor gjuetie kudo.
Në jetë të jetëve, shtetet e dobët e të cunguar, kanë pasur stinën para-dimërore të gjuetisë. Kështu bëri shteti komunist me bombën në ambasadën e Bashkimit Sovjetik, me luftën kundër “artit borgjez”, kundër besimit fetar e kundër liberalizmit.
Gjithnjë, shteti i dobët dhunon shtetasit e vet në prag të fillimit të stinës dimërore.
Stina post-dimërore:
Në fakt kjo nuk është thjesht “post”, por është një stinë shoqëruese e të gjitha stinëve kur shteti del në gjueti ndaj shtetasve të vet.
Kjo stinë karakterizohet kurdoherë, si në diktaturë si jo-diktaturë, nga fjalori soft, i butë e që ia rrëmben zemrën njeriut. Ja i shikoni këta si thonë?
Thonë se “do të ruajnë njeriun nga vesi”, prandaj po i burgosin dhe po u prishin shtëpitë. Me qëllim që kurrë të mos u shkojë më mendja për të bërë “punë të pandershme”.
I dëgjoni si thanë para pak kohe, se “po heqin lojërat e fatit për të ruajtur familjet nga grindja”. Por më e rënda është t’i dëgjosh tani kur shpalosin listat e të burgosurve. “Po i burgosim, – thonë, – për të ruajtur qytetarët e ndershëm”.
Vallë kush e cakton masën cili është i ndershëm e cili i pandershëm? Qeveria?…
Këtu shteti bëhet gjuetar i rrezikshëm.
Sepse ti, mor mik, je në dorë të dikujt që ka në dorë të të quajë “i ndershëm” dhe pas kësaj “hajde të burgosim (d.m.th., të gjuajmë disa të tjerë).
Ose mund të quhesh i pandershëm dhe “eja në burg!”. Shteti që ndërton ligje-thes ka rrëshqitur në shtetin-ari. Ai vetëm gjuan.
Tani jemi edhe në stinën kur shteti ka hyrë në punë për të gjuajtur e kontrolluar moralin, besimin, idenë.
Sa e frikshme!