Shtrenjtohen ushqimet, duhani, celularët dhe arsimi
Kostoja e jetesës së shqiptarëve u shtrenjtua për të tretin muaj radhazi në prill, dhe inflacioni shënoi nivelet më të larta në dy vjet, i ushqyer nga çmimet më të larta të ushqimeve, të duhanit si dhe të shërbimeve arsimore, bëhet e ditur nga Instituti i Statistikave.
Shporta e indeksit të çmimeve të konsumit, e cila përfshin ecurinë e çmimeve në të gjithë territorin e vendit dhe për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh, u rrit me 2,3 për qind në krahasim me një vit më parë. Hera e fundit kur IÇK ka qenë kaq i lartë ka qenë fillimi i vitit 2013.
Ushqimet janë kategoria e mallrave që është shtrenjtuar më shumë. Në prill, ushqimet kushtonin 5.2 për qind më shtrenjtë se sa një vit më parë. Shqiptarët shpenzojnë 39.3 për qind të të gjitha parave të veta për konsum ushqimor sipas peshave të konsumit të përcaktuara në vitin 2007.
Zëra të tjerë me çmime të shtrenjtuara janë pijet alkoolike dhe duhani, telekomunikacioni dhe arsimi.
Pije alkoolike dhe duhan u shtrenjtua me 6,5 për qind në bazë vjetore si pasojë e shtrenjtimit të akcizës së cigareve që nga fillimi i këtij viti. Shërbimet arsimore janë zëri me rritjen më të shpejtë të çmimeve. Në krahasim me një vit më paë, shërbimet arsimore janë shtrenjtuar me 10,1 për qind, kryesisht për shkak të vendimit të qeverisë vitin e kaluar për të rritur tarifat për studimet universitare dhe pasuniversitare në universitetet publike.
Shqiptarët kanë përfituar ulje modeste çmimesh te kategoria Veshje dhe Këpucë ku çmimet ranë me 1,3 për qind në bazë vjetore dhe te shëndeti e transporti, ku çmimet kanë rënë me 1,5 për qind.
BIRN