Shuhet një tjetër buzëqeshje e skenës

Është ndarë nga jeta mjeshtri i madh i humorit, Veli Rada. Ai vdiq në moshën 72-vjeçare për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Veli Rada ishte një aktor i shquar i humorit shqiptar dhe i nderuar dhe vlerësuar me shumë tituj. Veli Rada njihet si aktor profesionist i Estradës së Tiranës, ku aderoi 35 vjet. Ai njihet edhe si komentator sportiv. Ai ka studiuar në Institutin e Lartë të Arteve në vitet 1972-1975 në degën e aktrimit dhe menjëherë pas studimeve, u bë anëtar i Teatrit të Estradës së Tiranës, ku vazhdoi të punojë për 35 vjet. Ka realizuar qindra role, prej të cilëve shumë do të mbeten të paharruar; punoi si regjisor dhe asistent regjisor; si skenarist humori, realizoi një mori skeçesh, parodish.

Cermonia për nder të tij është mbajtur dje në Teatrin e Metropolit. Fjala e lamtumirës është lexuar në emër të Bashkise, nga deputetja demokrate Jorida Tabaku. Në emër të kryetarit të Partisë Demokratike dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ajo ka përcjelle ngushëllimet më të sinqerta për Radën, që sipas saj do të kujtohet gjithnjë me një buzëqeshje. “Do të kujtohet gjithmonë ashtu siç ishte në skenë, i cili mbas 35 vitesh karriere, duke i provuar dhe bërë të gjitha detyrat për një artist, u vlerësua me dy çmime; Mirënjohja e Tiranës dhe Mjeshtër i Madh. Këto çmime ai i meritonte shumë më herët në karrierën e tij. Ne do ta kujtojmë atë në shumë role që ka pasur, por do ta kujtojmë edhe si një demokrat i ditëve të para. Për të gjithë ne ai do të mbetet njeriu i qeshur”­ tha ajo. Tabaku tha ma tej se ai do të mbetet për të gjithë shqiptarët artisti që na solli shumë herë buzëqeshjen në skenë, por edhe për të gjithë sportdashësit ai që përcillte me shumë dashuri të gjitha emocionet e ekipeve të Tiranës. “Shpresoj që sot të gjithë të gjejnë një moment për të nderuar kujtimin e tij, për të nderuar veprën e tij, dhe për ta përcjellë atë me dinjitet ashtu siç jetoi një jetë të tërë. I paharruar qoftë kujtimi i tij”­ përfundoi ajo. Një vit më parë Veli Rada është nderuar nga Presidenti Bujar Nishani me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërkohë që Bashkia e Tiranës i ka akorduar titullin “Mirënjohja e kryeqytetit”. Edhe Presidenti Nishani ka shprehur dje ngushëllime për humbjen e aktorit të njohur. Nishani ka ngushëlluar dje familjarët për humbjen e te dashurit të tyre. “Ky lajm, ashtu si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e humorit që ai krijoi, më jashtëzakonisht thellë. E konsideroj vërtet një humbje të madhe për kulturën tonë shqiptare dhe veçanërisht për gjininë e humorit që Veliu ushtroi vazhdimisht në Shqipëri. E gjithë shoqëria shqiptare ndjen një dhimbje për këtë ndarje, sepse nuk do ta kenë më mes tyre për së gjalli në skenat e humorit dhe ekranet e televizorëve duke interpretuar skeçe dhe pjesë të tjera humoristike, nëpërmjet të cilave jo vetëm që i bënte njerëzit për të qeshur duke u falur momente argëtimi, por njëkohësisht stigmatizonte me mençuri mjaft plagë të shoqërisë shqiptare”­ shkruan Nishani.

Edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka shprehur dje ngushëllimet për familjen dhe admiruesit e asaj që la pas artisti Veli Rada. “Me pikëllim mora lajmin për ndarjen nga jeta të “Mjeshtrit të Madh” Veli Rada. Artisti, komentatori, demokrati, tiranasi që mbante titullin “Mirënjohja e Tiranës” kurrë nuk reshti se dhuruari kurajë dhe optimizëm tek njerëzit që e rrethonin. Ngushëllime familjes, miqve e admiruesve të tij të panumërt. Të paharrueshme kujtimi dhe vepra e tij! U prehtë në paqe!”­ shkruan Basha.

SHKARKO APP