Shumë urime për ty!
Fejton
Nga Hyskë Borobojka
“I nderuari miku im! Sot nipi im mbush tre vjet e hyn për katër. Je i ftuar kryemik në ketë festë të veçantë!”- më njoftonte një shok i vjetër nga Durrësi. S’ia bërë dëshirën dy, por i hipa autobusit dhe sa u gjenda në banesën e tij, zura vend në tavolinën e shtruar, për shtatë palë qejfe. Si hëngrëm e pimë sa u dendëm, sipas programit të ceremonisë, u ngritën pjatat e gotat bosh dhe në mes të tavolinës u ul një tortë e madhe, sa një lëmë. Në të ishin vendosur tre qirinj, që tregonin tre vitet e nipit, që sapo i kishte mbushur. Qirinjë u ndezën dhe u ftua vogëlushi t’u frynte e t’i shuante,. Të gjithë ne, sa ishim në tavolinë, shuarjen e tyre, sipas zakonit, e shoqëruam me këngën: “Shumë urime për ty!”.
Të nesërmen, miku im nga Durrësi, shfaqi dëshirën, që të qëndroja në qytetin bregdetar, që të merrja pjesë në një përurim tjetër, që do të bëhej në lagjen e tij, që emërohej herë “Lagjia 17-të”, e herë “Këneta”. A mundet t’i prishet qejfi e të mos i plotësohet dëshira mikut, sidomos kur je mysafir në banesën e tij me lugë në brez?!
Atë ditë të shënuar në lagjen e tij, kishin ardhur qeveritarë nga pushteti vendor e qendror. Nuk mungonin dhe nja dy deputetë të Qarkut të Durrësit. Qëllimi i mbarë i këtij mitingu ishte, pasi kësaj lagjeje do t’i hiqej emërtimi “Lagjia 17” apo “Kënetë”, Kjo e fundit na kujton foletë e mushkonjave, ujërat e ndenjura e moçalet që na sillnin peshqesh malarjen ((s’ka gjë se kur gjëmon e vetëtin dhe shtrydhin brekët retë në qiellin sterrë e kur mungojnë kanalizimet e s’janë në gadishmëri hidrovoret, krijon këneta e gjole të reja) Nejse, këtu hapa një parantez nga kujtimet e vjetra, që përsëriten e bëhen të reja. Kësaj here përfaqësuesit e dy pushteteve, vendor e qendror, kishin ardhur, për t’ia fshirë këtë emër të urryer, që banoreve të kësaj lagjeje u vriste veshin e u sillte ndërmend kujtime të hidhura. Ata kishin vendosur ta pagëzonin e përuronin me një emër të ri, të bukur e kuptimplotë “Durrësi i Ri”.
Të ishe aty e të dëgjoje, duhet ta kishë fatin me bisht. Premtimet e mëdha lumë, që dilnin nga të deleguarit, si të pushteti vendos ashtu edhe atij qendror, sikur ishin vënë në garë, cili të bënte më shumë punë të “mira” për “Durrësin e Ri” që, pas këtij përurimi, do ta kishte zili “Durrësi plak”, disa mijëra vjeçar. Aty do të lulëzonte gjelbërimi, që te pishat qepallgjelbra e deri te eukaliptet, të sjellë nga ana e anës, me porosi të vetë kryeministrit të vendit, më të mira e më të bukura se ato të mbjella gjatë autostradës, Tiranë-Durrës, (që po thahen).
-Mbaj shënim! – i tha njëri prej tyre varësit të tij, -Të ndërtohen e asfaltohen rrugë të reja, që banorëve të këtij qyteti të ri dhe miqve të tyre, të mos u mbeten këpucët në baltë e në llucë. Të asfalisen trotuar, të shtruar me pllaka të zgjedhura, që qytetarët të kalojnë pa pengesa.
-Mbaj shënim! – vazhdoi tjetri. – Të ndërtohet edhe një palestër, sipas kërkesave të kohës, ku të stërviten, jo vetëm fëmijët, të rinjtë e të rejat, burrat e gratë, madje edhe pleqtë e plakat pënsionistë.
-Mbaj shënim! – urdhëroi vartësin një tjetër. – Të ndërtohet edhe një shatrivani, që ta hedhe ujin me stërkala dy minare përpjetë.
-Mbaj shënim! – ishte përsëri lajtmotivi i premtimeve. – Të ndërtohet edhe një pishinë, që të mos lodhen qytetarët të bëjnë disa metra rrugë deri në buzë të detit për t’u larë me ujë të kripur, por të shijojnë ujin e ëmbël qelibar të pishinës.
-Mbaj shënim! – urdhëroi tjetri. – Pse Tirana të ketë dy stadiume për topin e këmbës dhe qyteti bregdetar vetën “Niko Dovanen”?! Në “Durrësin e Ri’, që po përurojmë të ndërtohet edhe në një i tillë, që të përgatitet e të stërvitet skuadra e tij e re, për të zhvilluar ndeshje “derbi” me “Teutën” e vjetër
Njëri nga banorët e kësaj lagjeje, që do të merrte emrin “Durrësi i Ri” u ankua se po hiqnin perrupinë për ujë e ishin lodhur së bleri ujë, jo vetëm për të pirë, por edhe qe të larë, pasi çezmat e banesave të tyre ishin të thata, rrallë e për mall, si hëna për Barjam, lageshin.
-Mbaj shënim! – s’vonoi urdhri. – Krojet e çezmat e banesave të këtij qyteti, të derdhin, njëzet e katër orë, pa ndërprerje ujë të ftohtë akull e të kulluar qelibar.
Një banor tjetër i lagje (më falni, i “Durrësit të Ri”) u ankua për mungesën e dritave elektrike, që ikin pa lajmëruar e harrojnë të kthehen, jo me minuta e ore, por me ditë të tëra.
-Mbaj shënim – vazhdoi urdhri i titullarit për vartësin.- Kërkesa e qytetarëve të plotësohet me njëherë dhe të detyrohet Kompania e Shpërndarjes të Energjisë Elektrike, do ta verë vëth në vesh këtë ankesë e kërkesë, Jo vetën të mos t’ua ndërpresë energjinë, një ditë e një orë, por asnjë minutë! Madje, aty të vendosen edhe disa qindra shtylla me llamba neon, për ta bërrë natën ditë, të llamburite “Qyteti i Ri, që banoret e tij të mos qorollisen në ndonjë hendek apo gropë të hapur e të pambyllur.
-Maj shënim, – i tha vartësit të tij, njëri nga të ardhurit kastile për këtë ceremoni. – Të ngrihet aty edhe një kullë më e madhe se ajo e Korçës e më e lartë se “Kulla e Babilonisë” e “Fari i Aleksandrisë!
-Vërtet se kryetarin e bashkisë të qytetit bregdetar e kemi të shkurtër, por gjuhën e ka të gjatë për premtime, korr e mos lidh! – guxoi e foli një qytetar tjetër.
Por fjala e tij e thartë u kundërshtua e u ëmbëlsua nga pushtetarët e deputetët e ardhur për pagëzimin e përurimin e “Kënetës” me emrin “”Qytetin e Ri”.
Banorët e kësaj lagjeje, që tani e tutje do të merrte një emër të ri, si u ngopën me premtime e gëzime, falënderuan autorët, me besim e shpresë të madhe, se fjala e tyre do të vinte në vesh të Perëndisë. Pas kësaj ngjarjeje të shënuar, miku im nga Durrësi, nguli këmbë si mushka, që të ktheheshim në banesën e tij, për të kaluar edhe një natë tjetër, që të çmalleshim e të gëzoheshim më shumë. Ishte errur fare, kur morëm rrugën për në shtëpinë e tij. Sa shkela te pragu i derës, mbeta si kali qorr, s’dija si e ku ta hidhja këmbën, pasi banesën e kishte zaptuar errësira. Bashkëshortja e tij, nxitoi, mori qirinjtë, që i shoi i nipi sipër tortës, dhe i ndezi menjëherë. Ndërsa nipi trevjeçar e shoqëroi me këngën: “Shumë urime për ty, shumë urime për ty gjyshe!”. Ndërsa unë me mikun vazhduam ishon: “Shumë urime për ju premtime jallane!”