Si e kam njohur vlonjatin Jozef Mackanga

Nga Fate Velaj

Ai  ishte një "vlonjat" që këndonte me kitarë këngët e dashurisë. ai ishte një "shqiptar" që recitonte plotë ndjenjë vjershat e naimit. Ai ishte "vlonjati" më i përvëluar nga dielli i korrikut dhe "shqiptari" më i ngjyrosur nga ai i gushtit, mbi të gjitha, ai ishte djaloshi më i buzëqeshur që mbaj mend akoma nga fëmijëria ime e paqeshur.

Mua më kujtohen si tani kur, mbasditeve, mbas shkollës, venim te dhoma e tyre, aty te konvikti i mjeksores dhe ai merrte kitaren në dorë dhe fillonte të këndonte këngët që as ne vetë nuk ua dinim fjalët dhe, me të bashkoheshin dhe ata që si ai, ishin bërë "vlonjat" e "shqiptar" dhe me zërin e tyre, të dale si nga oazet e fjetura të  shkretëtirave të errëta si dielli qe j'u kishte  dhënë ngjyrën, Këndonin për vajzat e bukura të bulevardeve të Vlorës e atyre të brazzavill-it që iu mungonte aq shumë…
Një ditë të viteve '90, në qytetin ybbs an der donau, diku më larg vendit ku banoja në austri, më kapi një dhimbje e madhe dhëmballe dhe, duke kërkuar një dentist, pashë një tabelë që tregonte emrin e dr. Jacques Charles Man-eng dhe duke menduar se duhet të ishte ndonjë doktor i huaj që, si shumë të tillë të ngelur nëpër Austri mbas studimeve, hyra brenda ku pashë një burrë që më la përshtypjen e dikujt të ardhur nga afrika, pa e specifikuar nga.

Filloi të më mjekonte dhe një moment më pyeti se nga isha me origjinë dhe unë, me gojën plotë pambuk, me nje zë të përgjakur e aromë arseniku, thashë "Shqipëria" dhe, nuk do të zgjaste sekondi kur ai do më thoshte "…dmth flisni shqip" e ku sytë e mi të hapur deri në fund e me shikimin e humbur te llamba sipër aparatit, mes dhimbjes që po më shqyente kokën gati sa s'më dolën nga vendi.
Më tregonte charly, sic e mbaja mend, kur fundjavave kthehej nga tirana ku studionte për tek miqtë e tij me të vegjël në moshë dhe që e shihja shëtitje bulevardit Vlorë-skelë, ashtu elegant me kostumin me kuadrata të vogla ngjyrë bezhë e ku netëve, do kendonin deri vonë e të nesërmen do luanin paraditeve basketboll te fusha e shkollës mjeksore, ku, mes gëzimit të topit që hynte brenda rrjetës, llamburisnin dhëmbët e tyre të bardha si drita në errësirën e fushës së qymyrtë…
E pyeta doktorin për Jozef Mackanga, djalin me kitarë dhe më tha që është në Belgjikë ose më saktë ishte, sepse sot, mësova se vlonjati i mire qe i këndonte vlonjateve të bukura e recitonte naimin si të ishte diku në qetësinë e avullt të oazeve të shkretëriave të verdha të kongo-s, ndërroi jetë.

SHKARKO APP