Si e themeluan Basha e Rama Republikën e V-të

Nga Alfred Lela

Asnjë burrë për be nuk abstenoi, nuk refuzoi, nuk u ankua apo nuk u largua të enjten në mesnatë gjatë votimit për reformën në drejtësi. Unanimiteti nuk përputhej kurrkund me animozitetin, e shfaqur ose jo, ndaj paketës së ndryshimeve kushtetuese që e fusin sistemin e drejtësisë, të paktën teorikisht, në një përpjestim të ri me veten dhe pushtetet e tjera. Mungoi një diversionist, një reaksionar apo një intelektual provokator. Në mungesë të sejcilit apo sejcilës (meqë edhe në këtë shkrim duhet futur 30 përqindëshi i kuotës gjinore) të gjithë e gjelbëruan tabelën elektronike të Kuvendit.

Paradoksalisht, dy politikanët që ngjanin në ekstrem të njëri-tjetrit në raport me qëndrimet ndaj reformimit të drejtësisë janë ‘përfituesit’ më të mëdhenj të këtyre ndryshimve. Lulzim Basha dhe Edi Rama. Edhe pse nuk votoi vetë, 140 pro-të e së enjtes në mesnatë ishin një investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen politike të shefit të ri opozitës. Qëndresa e tij, apo shpesh edhe ato që u dukën si inkoherenca, reflektojnë tri gjendje politike me të cilat i është dashur të përballet. Publikisht, por jo më pak gjatë minutave të rëndë të vetmimeve të tij politike. Së pari, duhej të sigurohej se drejtësia nuk binte në duar të mazhorancës, specifikisht të Ramës, gjë e cila do të kish ndodhur nëse paketa miratohej sipas varianteve më të parë të hedhur në tryezën e konsultave juridike dhe debatit politik.

Së dyti, në heshtje dhe me kujdes i duhej të punonte edhe për të prerë fijet që shkojnë nga segmente të Partisë Demokratike drejt pushtetit gjyqësor dhe që nuk janë të ndikimit të tij. Basha nuk mund ta ketë të plotë timonin e anijes poltike që drejton nëse në kuvertë ka ‘kapitenë’ të ‘industrive’ të tjera politike me ndikim në drejtësi a tjetërkund. Së treti, Bashës i interesonte që këto lidhje që shkëputen në partinë e tij të priten edhe për mik/armikun politik, që është Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës.

Teorikisht, kur paketa të implementohet, sistemi i drejtësisë do të jetë një tabula rasa,një fushë loje e re me perspektiva të hapura. Duke qenë se zbatimi përkon edhe me konstituimin e parlamentit të ri, pra të një ‘liste Basha’ të deputëve të PD, potencialisht ai do të kontrollonte të gjitha aksionet në PD, gjë që zbeh ‘disidencën’ kundër tij që qarkullon në PD. Duke pritur, përkundër të gjithë atyre që e kanë këshilluar të mos presë, Basha është barabitur me kohën që ka punuar në favor të idesë së tij.

Kryetari demokrat i ka bërë një shërbim Republikës me këmbënguljen që opozita të përfaqësohet përpjestimisht në vendimarrjen prej nga rrjedhin institucionet e reja të sistemit të drejtësisë. Nëse e ka bërë këtë me dijeninë e dikujt që e kupton se një ditë do të jetë në pushtet dhe kjo formulë e propozuar prej tij nuk e ndihmon ku karrigia ta frymëzojë për ‘pushtime’ të reja, ky është një akt i liberalizmit politik dhe i shtetarisë.

Procesi politik, gjë që shkon në favor të Bashës, ka vetinë që i fshin të gjitha cenet, luhatjet, inkoherencat kur përmbushet koha e plotë e veprimeve të cilat përmbyllen me një akt. Ky finalizim largon edhe istmet e akullta që u ngrinë në raportet me një pjesë të ndërkombëtarëve. Në fund të ditës Basha mbetet partneri kryesor i cdo negociate të re që Lu e Vlahutin do u duhet të përcjellin në Shqipëri si direktiva të zyrave të tyre qendore në Bruksel e Ëashington.

Për kryeministrin Rama mund të thuhet më pak, sa i takon, jo suksesit vetë, se sa agresivitetit me të cilin ai e kërkoi reformën. Atij, sigurisht, i takon merita se po kërkonte një domosdoshmëri dhe ishte gati ta shtynte përpara me cdo cmim. Tratativat e para dëshmojnë megjithatë se ishte gati të imitonte pikërisht ata që kërkontë të shfronësonte në konfigurimin e sistemit të drejtësisë. Por, në fund, edhe ai pranoi një variant disa herë të ndryshuar që fuste në lojë opozitën. Fitorja e tij përmblidhet te fakti se kur paketa të implementohet, bashkë me gjyqtarët e korruptuar bie edhe kontrolli politik mbi sistemin. I atyre që e kanë, pandehma që lidhen me emrat e Sali Berishës dhe Ilir Metës. Akuzat për shantazhe të kryeministrit, ministrave të tij, apo kryetarit të bashkisë së Tiranës, kundër gjyqtarëve, edhe pse janë në vetvete antidemokratike, tregojnë në fakt frustrimin e së majtës me një sistem jashtë ndikimit të tyre. Shantazhi pra nuk mund të tregojë kapje, por pafuqi ndaj kapjes. Por, kur paketa e ndryshimeve të implementohet, Edi Rama dhe të tijtë humbin cdo të drejtë shantazhi dhe cdo lëvizje e ngjashme do t’i identifikonte thjesht si skizofrenë politikë.

Gjasat janë që ajo që quhet Republika e V-të të ketë siguruar më në fund një balancë të shëndetëshme mes pushtetit politik dhe atij gjyqësor. Basha dhe Rama, edhe pse janë nisur nga esktreme ndarëse janë takuar te një kontribut i përbashkët. E dinë ose jo, Republika e V-të është e dizajnit të tyre. MAPO

SHKARKO APP