Si i shpronësoi komunizmit familjet e pasura

SPCIALE/Kalvari i familjes atdhetare Gashi në Shijak

Nga Nikolla  Sudar

Kur u referohesh ngjarjeve të vrullshme të “përmbysjes së madhe”, së pari mendja të shkon tek ata që për dekada të tëra “de facto” u bënë pararoja e urrejtjes së pushtetarëve dhe që jetën e tyre e kaluan në terrin e burgjeve komuniste, apo të izoluar e të privuar nga gjërat më elementare për ekzistencë.

     Shijaku pati mjaft të tillë, prandaj dhuna e ushtruar ndaj tyre qe më e fortë e me mjaft pasoja tragjike, por që asnjëherë nuk e mposhti dot shpirtin demokratik të kësaj treve. Secili prej tyre ka mjaft për të treguar, por me modesti ata të japin përgjigjen: “Nuk e deshëm komunizmin, shpresa na mbajti gjallë netëve pa dritë të diktaturës së egër, por më në fund fitorja e demokracisë ripërtëriu ëndrrat tona, të mbrujtura me gjak e sakrifica pa fund”. Një kalvar të tillë përjetoi edhe familja Gashi (Gasheviq), e cila me stoicizëm diti të ruaj nderin dhe ndjenjat e thella nacionaliste.

     Mehmet Gashi, djaloshi energjik e me dhunti të shumta natyrore nga Nikshiqi i Malit të Zi, arriti të dalë mbi injorancën e kohës dhe të bëhet një nga administratorët e përmendur të administratës Osmane për Ballkanin. Pasi kreu me rezultate të shkëlqyera gjimnazin turk, ai tërhoqi vëmendjen e autoriteteve të kohës, të cilat e dërgojnë për studime të larta teologjike dhe ekonomike në Kajro. Pas kryerjes së studimeve, emërohet në detyra të rëndësishme të administratës turke. Në fillim të këtij shekulli, Mehmetin tashmë e gjejmë njeri formuar dhe autoritar. Ndonëse tërë kohën në lëvizje, ai vendoset përfundimisht në Shijak dhe merret seriozisht me edukimin e fëmijëve të tij.

Pavarësia e shumëpritur

 Viti 1912. Lëvizja për pavarësi mbarëkombëtare përfshiu të gjitha shtresat e popullsisë. Po afrohej ngjarja e madhe që pritej prej shekujsh, çlirimi nga robëria turke. Pikërisht në këtë kohë drejt Shkodrës nisen njësi vullnetare nga shumë krahina të vendit për mbrojtjen e saj. Në radhët e batalionit vullnetar të Shijakut rreshtohet edhe djali i dytë i Mehmetit, Ahmeti me moshatarët e tij Sali Zyriqin, AIi Shikacin e mjaft të tjerë, ku luftuan për muaj me radhë. Sakrificat nuk u justifikuan për shkak të tradhtisë së Esat Pash Toptanit. Në luftimet e ashpra ra në fushë e nderit Sali Zyriqi, kurse Ahmeti u plagos në këmbë.

     Tashmë djali i madh i shtëpisë, Abdulla Gashi, i mbrujtur me ide tepër përparimtare për kohën dhe nën ndikimin e të atit (si njeri me kulturë të gjerë), për gati 20 vjet endet nëpër të gjitha vendet e Ballkanit, të Europës dhe arrin ta shtrijë aktivitetin e vet tregtar deri në Kinë, Japoni e Vladivostok. Njeri jashtë mase i zgjuar, autodidakt i rrallë, përmendet edhe sot me shumë respekt nga të moshuarit. Si njohës i mirë i afro 10 gjuhëve të huaja, ai, jo vetëm që orientohet drejt në ngjarjet e vrullshme politike të kohës, por njeh e përballon me sukses konjukturat e vështira të tregut botëror.

     Falë aftësive të tij dhe përvojës së gjatë në tregtinë botërore, Abdullai furnizon me mallra të Perëndimit e të Lindjes, tregtarë të njohur në të gjithë vendin. Kështu arrin të grumbullojë një kapital të konsiderueshëm, të cilin me besim e guxim e investon në Shijak. Përveç tregtisë që e ushtroi me sukses, Abdullai ngriti shtëpinë më të madhe e më moderne të kohës në qytet, një mulli të madh bloje, që përballonte nevojat e kohës, magazina etj. Brezi i tij e kujtonte me respekt të thellë këtë biznesmen të rrallë, i cili asnjëherë nuk do të harrohet për shpirtin e tij bamirës. Të shumtë janë ata që e kanë provuar humanizmin e këtij njeriu me zemër të madhe.

 

Abdullai dhe katolikja nga Kroacia…

Me iniciativën e tij e nëpërmjet fuqisë motorike të mullirit, në vitin 1928, Abdullai merr përsipër sigurimin e bazës materiale, shtrirjen e linjës dhe furnizimin me energji elektrike të një pjese të konsiderueshme të banorëve të Shijakut, që u bë ngjarje e shënuar në jetën e qytetit. Njeri tepër i emancipuar për kohën, ai doli mbi paragjykimet prapanike të saj. Abdullai lidhi jetën me katoliken Ana, vajzë nga një derë e përmendur në qytetin Shibenik të Kroacisë.

     E lidhur ngushtë me të shoqin, kjo grua e shkathët dhe kurajoze e ndjeu thellë prapambetjen e madhe të grave në Shijak. Gjithnjë e papërtuar dhe korrekte në sjellje, z. Ana, lidhet ngushtë me gra të shtresave të ndryshme të qytetit, të cilat i ndihmon për të futur të renë evropiane në jetën e tyre patriarkale. Ajo qe rrobaqepësja e parë për gratë në qytet, profesion të cilin u mundua t’ua mësonte grave shijakase, duke i ndihmuar për emancipimin e tyre, në ato kohë të vështira, kur prapambetja dhe paragjykimet bënin ligjin. Në periudhën e vështirë të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, kjo grua humane dhe mjaft energjike hapi një kurs rrobaqepësie pa pagesë për gratë në Shijak, gjë që pati jehonë të madhe në masën e banorëve të qytetit, ku paragjykimet bënin ligjin, sidomos ndaj grave. Gjithmonë do të kujtohen me respekt të veçantë zonjat Ana Gashi dhe Anthi Deda (e shoqja e doktorit mirënjohur, Koço Deda), të cilat me përkushtim të rrallë dhe durim të madh kontribuuan për emancipimin e gruas në periudhën shumë të vështirë të paraluftës.

Të edukuar me ndjenjën e atdhedashurisë, vëllezërit Gashi mbajtën lidhje të ngushta me patriotët më në zë Shijakas si: Deliallisët, Kokolt, Mancakët, me Qazim Domin, me avokat Myshketën në Durrës dhe tregtarë të përmendur në të gjithë vendin. Në mënyrë të veçantë ata u prononcuan ndaj personalitetit më të shquar të kohës, Mbretit Zog, të cilit i qëndruan besnikë deri në fund.

Nga fundi i viteve 20, për kontributin e tij si atdhetar, Ahmet Gashi caktohet me detyrë në Gardën Mbretërore. Disa vite më vonë atë do ta zëvëndësonte në Gardë i vëllai, Hysniu, i cili gjithashtu, vazhdoi traditën e krijuar. Tashmë familja Gashi në fshatin Koxhas u bë e njohur dhe atë e vizitojnë shpesh personalitete të kohës.

Vitet e provës së madhe…

Re të zeza kërcënojnë vendin tonë. Ishin ditët e para të prillit 1939. Atdheu thërriste bijtë e vet për t’i dalë zot. Ahmeti i përkrahur nga të vëllezërit pozicionohet në karakollin e Rashbullit. Atë ditë të zezë prilli krismat e armës së Ahmet Gashit u bashkuan me ato të dhjetëra e dhjetëra vullnetarëve që e “koritën” dushmanin, siç u ka hije atdhetarëve të vërtetë. Ndërkohë vëllai tjetër, Hysniu, ndihmonte vullnetarët me furnizime të ndryshme. Por rezistenca zgjati vetëm pak orë. Trupat pushtuese, pasi morën Durrësin, marshuan për në Shijak, ku gjetën një rezistencë jo të vogël: ura e madhe mbi lumin Erzen ishte hedhur në erë, ndërsa në të dalë të Shijakut, në përleshje me fashistët u vranë dy vullnetarë.

Pas pushtimit të vendit, fashistët burgosën ata që i kundërshtuan me armë në dorë. Për disa kohë Ahmeti strehohet nëpër miq, por zbulohet dhe arrestohet. Vetëm në saj të ndërhyrjes së fortë të vëllezërve, sidomos të Abdullait, i cili me ndihmën e atdhetarit të shquar Adush Kastrati u arrit që pas afro gjashtë muaj burg Ahmeti të lihet i lirë. Por tashmë ai do ta vazhdonte më i vendosur veprimtarinë antifashiste në të ardhmen. Vëllezërit Gashi iu kundërvuan me të gjitha forcat pushtuesve nazi-fashistë, kurse Abdullai do të shquhej në ndihmën e madhe materiale që dha për luftën. Ahmeti, si ushtarak, bëhet zëvendës i oficerit të njohur Sulejman Kadra, që ishte komandant i forcave legaliste për Shijakun, të cilin e shoqëroi edhe në Mukje. Shtëpia e Gashëve në fshat e qytet, tashmë pret e përcjell nacionalistë të vërtetë si dhe ilegalë. Aty strehohen Abaz Kupi, shefi operativ i “Legalitetit” Ndue Pali, Ramazan Agë Jella, Tofik Deliallisi, Minella Toçi etj., të cilët nuk lejuan, jo vetëm në qytet, por as në fshatra, konfrontim me forca të tjera politike dhe as raprezalje të armikut. Fakt kuptimplotë është vazhdimësia e atdhetarisë në këtë familje. Djali i madh i Ahmetit, Rifati, inkuadrohet në Brigadën IV partizane. Por më shumë nga të gjithë u aktivizua djali tjetër, Shabani.

Vetëm 16 vjeç ishte ai, kur bashkë me shokë ideali si Sadik Rroshin, Qamil Gashinetj, kryenin detyra nga më të vështirat antifashiste. Kështu i kaluan vitet e rënda të luftës, pjesëtarët e familjes Gashi, duke kontribuar në të gjitha drejtimet.

Fillimi i një zhgënjimi pa fund…

16 nëntori i vitit 1944. Gëzimi i paparë kishte përfshirë të madh e të vogël në Shijak. Qyteti i çliruar para dy ditësh nga forcat e komandës së Vendit priste partizanët e Brigadës 10. Por zhgënjimi i thellë do të shfaqej qysh në ato ditë të para, të të ashtuquajturit “çlirim”, që do të pasohej nga bëmat e paprecedentë gjatë dekadave të errëta të sundimit komunist. Kudo filloi me një furi të papërmbajtur sulmi kundër “armiqve të klasës” si Deliallisve, Mancakëve, Kokolve, Kacmolve, Krujve etj. Kështu filloi goditja në të gjitha drejtimet, sidomos kundër “shtresës së pasur”, pavarësisht nga kontributi atdhetar që kishin dhënë. Ndërkohë, shpronësimet, tatimet e jashtëzakonshme rrënuan, jo vetëm shtresën pasur, por edhe atë të mesme në qytet dhe në fshatra. Goditje vendimtare do të merrte familja Gashi, tashmë e mirënjohur si nacionaliste: toka dhe shtëpia në fshat, e vënë me aq mund e sakrifica nga Ahmeti e Hysniu, u morën nga “regjimi i ri”. Pasuria e patundshme: katër shtëpitë, mulliri, magazinat dhe gjithë pasuria tjetër e tundshme e Avdullait u sekuestruan me dhunë.

Të tre vëllezërit Gashi vihen në shënjestër nga sigurimi i shtetit: Ahmeti izolohet plotësisht, Hysniu arrestohet dhe pa asnjë fakt dënohet me disa vite burg si antisovjetik, më 1947. Abdullai i zhgënjyer dhe i rrënuar plotësisht, së bashku me të shoqen, kroate, që kishin dhënë aq shumë për Shijakun dhe për luftën, shtyjnë ditët në mjerim të madh. Familja e djalit, Skënderit, (e shoqja, Zyraja, grua kurajoze, që vuajtjet nuk e mposhtën dot dhe dy fëmijët e vegjël: Lira dyvjeçare dhe Pëllumbi shtatë muajsh) u përplasën në hajatin tërë lagështi e pa ajrosje të mullirit, ku dominonin minjtë. Kjo qe arsyeja që u sëmur rëndë Pëllumbi, i cili kaloi në paralizë (ndonëse tashmë në moshë madhore, ai vazhdon të vuajë pasojat e tmerrshme të asaj kohe). Ndërkohë Abdullait iu vu një tatim marramendës, të cilin nuk kishte sesi ta paguante, sepse s’i kishte mbetur më asgjë. Atëherë këtë intelektual të nderuar të Shijakut e arrestojnë dhe e torturojnë në mënyrë shtazarake. Më pas e dënojnë me pesë vjet burg të rëndë. Tashmë i moshuar ai do të humbte plotësisht shëndetin. Abdulla Gashi doli nga burgu në vitin 1953 dhe mbas gjashtë muajsh mbylli përgjithnjë sytë.

Vite më vonë këtë fat do të kishte edhe i nipi i Abdullait, Shabani, i cili do të ndëshkohej nga diktatura me gjashtë vjet burg politik dhe do të përndiqej tërë kohën si njeri plotësisht i padëshirueshëm për regjimin komunist.

Për dekada me radhë të birit të Abdullait, Skënderit, me të shoqen dhe fëmijët iu desh të përballojnë vështirësi të shumta, megjithatë ata i ruajtën deri në fund dinjitetin dhe krenarinë e të parëve te vet. Kjo është arsyeja që trashëgimtarët e fisnikut të paharruar Abdulla Gashi: Lira, Bahriu, Suzi, Abdullai dhe Tefta i mbështetën fuqimisht ndryshimet e mëdha demokratike që përfshinë vendin, duke u vënë në pararojë të tyre.

Zonja Ana, kjo grua fisnike nga Kroacia e cila në moshë fare të re, në vitet njëzet të shekullit të kaluar, kishte braktisur atdheun për hir të dashurisë së madhe ndaj të shoqit Abdullait, do t’i ngryste vitet e mbetura në mes të një pikëllimi të thellë për humbjen e të shoqit si dhe për pamundësinë absurde nga ana e regjimit për ta vizituar qoftë edhe një herë të vetme vendlindjen e saj.

Mbas përmbysjes së madhe Skënderi do të merrte përsëri pronën e dikurshme, të grabitur nga pushteti komunist. Ky burrë i urtë dhe i ndershëm, me brengën e madhe në zemër që e shoqëroi gjithë jetën, do të shprehej: “Nuk më hyn më në sy prona e rikthyer, sepse ajo më kushtoi jetën e babait dhe gjymtimin e djalit  për tërë jetën!”

SHKARKO APP